Jola Hysa ish-sekretare për Marrëdhëniet me Publikun në PD, e larguar në mars të këtij viti nga Partia Demokratike emërohet si Drejtuesja e re e Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Lajmin e ka konfirmuar edhe vetë ajo përmes një postimi në rrjetet sociale ku u ka kthyer përgjigje edhe pyetjeve të ndryshme. Ajo thotë se e ka takuar Edi Ramën, i cili i ka kërkuar të lartësojë edhe më tej institucionin e ngritur nga Zana Çela.
Hysa thotë se vijon të jetë demokrate, jo krah PD, por partisë së Shqipërisë turistike.
“Përshëndetje, meqë kam marrë shumë pyetje në WhatsApp nga miq, ja përgjigja ime. Po jam emëruar drejtore e Agjencisë Kombëtare të Turizmit. Jam shumë falenderuese për besimin dhe uroj ta justifikoj plotësisht. Po e kam takuar Edi Ramën. Fjala që më mbeti në mend ishte: Nuk dua të bëhesh socialiste, dua të çosh më lart institucionin që ngriti Zana Çela.
Po jam demokrate, por nuk jam me Partinë Demokratike. Jam me partinë e Shqipërisë turistike. Uroj të respektoni lirinë dhe zgjedhjen time për të bërë një punë të re në një sektor ku kam punuar shumë vite. Gjithkush është i lirë të spekulojë dhe thurë teori konspirative. Por kush më njeh e di që unë i pres drutë shkurt. Kaq kisha nga ana ime. Kush do më urojë punë të mbarë e falenderoj! Kush do më shajë dhe mallkojë e ngushëlloj”, shkroi Hysa.
Pak muaj më parë kur njoftoi dorëheqjen nga PD, ajo tha se vendimarrjet brenda partisë nuk respektonin parimet mbi të cilat funksionon një forcë politike ndërsa në një postim në rrjete sociale shprehu shqetësim për kufizimin e ndjeshëm të kompentencave të saj si sekretare për Marrëdhëniet me Publikun. Një tjetër pikë kritike e shprehur prej saj ishte edhe mënyra e hartimit të listave të mbyllura për Qarkun e Durrësit dhe mungesa e hapjes reale të PD-së
“Pas më shumë se 20 vitesh angazhimi të pandërprerë në jetën politike dhe në shërbim të qytetarëve, kam marrë vendimin të jap dorëheqjen nga të gjitha pozicionet që kam mbajtur dhe më janë besuar me votë, si edhe nga anëtarësia në Partinë Demokratike të Shqipërisë. Ky është një vendim i vështirë, por i domosdoshëm. Për të gjitha këto arsye, kam vendosur të largohem, duke ruajtur mbi të gjitha integritetin tim personal dhe politik”, shkruante ajo asokohe.
Komente











