Më 13 qershor kombëtarja shqiptare do të zhvillojë një ndeshje miqësore me Estoninë në stadiumin ‘Air Albania’. Sfida do të luhet në orën 18:00 dhe zëvendëson ndeshjen e Ligës së Kombeve që kuqezinjtë duhet të luanin kundër Rusisë, por kjo e fundit është pezulluar nga FIFA dhe UEFA.
Po në qershor Shqipëria do të luajë më 6 qershor me Islandën në transfertë dhe më 10 qershor me Izraelin në shtëpi, që të dyja sfida të vlefshme për Nation League.
Kjo do të jetë hera e katërt që Shqipëria dhe Estonia do të përballen në një ndeshje futbolli. Në të kaluarën të dy përfaqësueset janë ndeshur tre herë me njëra-tjetrën, në të tre rastet për ndeshje miqësore.
Sfida e parë Shqipëri-Estoni është luajtur më 15 nëntor 2003 në Tiranë dhe u fitua nga kuqezinjtë me rezultatin 2-0. Golat u shënuan nga Adrian Aliaj dhe Alban Bushi.
Përballja e dytë është ajo e 28 prillit e luajtur në Talin të Estonisë dhe përfundoi në barazim 1-1. Goli për Shqipërinë u shënua nga Adrian Aliaj. Ndërsa sfida e tretë Estoni-Shqipëri është zhvilluar më 14 nëntor 2009 dhe ka përfunduar në barazim 0-0. Edhe kjo miqësore u luajt po në Talin.