REIKJAVIK - Deputetet e Partisë Demokratike Mesila Doda e Albana Vokshi kanë marrë pjesë në Forumin Global të Grave Parlamentare që u zhvillua në Islandë, me temën "Prania e gruas ne politike, kusht përparimi për shoqërinë", nga ku parashtruan sfidat e gruas në shoqërinë shqiptare. 
 
Ato nënvizuan nevojën për një prani më të shtuar të grave në politikë, duke promovuar modelin e Islandës, i cili është listuar në 5 vitet e fundit si vendi i parë në botë për diferencën midis burrave dhe grave si dhe është vendi me praninë më dominante të grave në politikë.
 
Deputetet theksuan gjithashtu nevojat e mëdha të gruas shqiptare që përfshijnë problematika të rënda njerëzore, siç është fenomeni i dhunës në familje, ashtu dhe ato të kushteve të pasigurisë ekonomike.
 
Në fjalën e tyre Doda dhe Vokshi theksuan se “gruaja shqiptare ka nevojë për ndihmë në rritjen e pjesëmarrjes në politikë, në forcimin ekonomik dhe në përmirësimin e rolit të saj në strukturën shoqërore.”
 
Gjatë kësaj vizite, deputetet patën takime edhe me përfaqësuesit më të lartë të Islandës si me Kryeministrin Sigmundur Gumnlaugsson, Ministrin e Jashtëm Gunar Sveinsson dhe me Presidentin Olafur Ragnar Grimsson.

Gjatë këtyre takimeve deputetet Doda dhe Vokshi, kërkuan rritjen dhe intensifikimin e marrdhënieve midis dy vendeve, veçanërisht ato të marrdhënieve parlamentare.

Islanda është dhe vendi, që për 5 vite rrjesht është listuar si vendi i parë me praninë domimante në politikë të grave.


Redaksia Online
(e.c/shqiptarja.com)