Ismail Qemali: Pakt me Greqinë
për t’i bërë ballë rrezikut sllav

Pikëpamjet politike të Ismail Qemalit mbi marrëdhëniet shqiptaro-greke në vitet 1906-1908. Si politiklan dhe diplomat, Ismail Qemali e vlerësoi saktë situatën jo të favorshme në të cilën ndodhej Greqia, për shkak të marrëdhënieve të acaruara me Bullgarinë dhe u mundua të hynte në lidhje e bashkëpunim me të, në interes të çështjes së Shqipërisë duke mos lejuar që as grekët, askush tjetër të kishin të drejtë të merrnin nëpër këmbë aspiratat e ligjshme të popullit shqiptar dhe trojet e tij.


ISMAIL QEMALI: GREKE E SHQIPTARE JEMI VELLEZER

Shkrimi i plote i  Prof. Dr KALIOPI NASKA u botua në të përjavshmen Rilindasi
 
Pas dështimit të përpjekjeve për përmbysjen e regjimit të sulltan Hamitit, Ismail Qemali e forcoi më tepër veprimtarinë e tij në shërbim të çështjes kombëtare shqiptare. Qysh nga viti 1903 deri më 1908, kur shpërtheu revolucioni xhon-turk, ai qendroi kryesisht në Bruksel, duke shkuar here pas here në Francë, Egjipt, Itali dhe Greqi. Këto udhëtime kishin lidhje me luftën për çështjen shqiptare, për përmbysjen e absolutizmit sulltanor dhe për fitoren e autonomisë administrative të Shqipërisë. Në vargun e veprimeve politike që ai ndërmori në këto vite në shërbim të çështjes shqiptare, mjaft interes paraqesin pikëpamjet e tij politike lidhur me vendosjen e marrëdhënieve midis shqiptarëve dhe grekëve. Përkrahjen e Greqisë për çështjen shqiptare, Ismail Qemali e shihte si një faktor të rëndësishëm kundër lakmive pushtuese, që kishin Serbia dhe Bullgaria ndaj vilajetit të Kosovës dhe të Manastirit, pa harruar vështirësitë që rridhnin nga synimet e qarqeve greke ndaj trojeve jugore të Shqipërisë. Këtë bashkëpunim, siç shprehej vetë në kujtimet e tij, ai e shihte në afërsinë e origjinës, në ngjashmërinë e zakoneve dhe në marrëdhëniet e lashta apo fqinjësinë shumë shekullore që kanë patur të dy popujt, të cilët kishin krijuar simpati për njeri-tjetrin. Në këto kushte theksonte ai rreziku sllav i afronte grekët dhe shqiptarët. Si diplomat i zgjuar që ishte ai e kuptonte rëndësinë që kishin kontradiktat midis shteteve dhe këto nuk mund t’i linte pa i shfrytëzuar. Kështu Ismail Qemali vendosi të lidhej me personalitete greke. Me këto, duke shfrytëzuar synuar të tërhiqte Greqinë në politikën që do t’i shërbente çështjes shqiptare, që ajo të mos bëhej kundërshtare e krijimit të një shteti të pavarur shqiptar.
Për këtë qëllim në shkurt të vitit 1907 ai shkoi në Athinë, për të vazhduar bashkëpunimin me kryetarin e shoqatës panhelenike “Elenizmos”, Neokli Kazazis, profesorin e Universitetit të Athinës, me të cilin më 1906 kishte biseduar për një marrëveshje shqiptaro-greke. Pas disa takimeve, u përfundua marrëveshja dhe u nënshkrua në Athinë më 22 mars 1907. Ajo u dha për botim në një “Shpallje”, të cilën për anën shqiptare e nënshkroi Ismail Qemali me disa shqiptarë të tjerë, ndërsa për palën greke kryetari i Shoqatës “Elenizmo”. Ismail Qemali ndikoi mjaft në hartimin e pikave të kësaj “Shpalljeje”, mbi bazën e të cilave do të vendosej bashkëpunimi midis dy palëve.
Siç del nga brendia e “Shpalljes”, qëllimi kryesor i marrëveshjes midis dy palëve ishte mbrojtja kundër “agresionit të ardhshëm të bullgarëve dhe racave /kombeve/të tjera sllave”. Në të vihej në dukje gjithashtu se Fuqitë e Mëdha nuk kishin marrë asnjë masë për zbatimin e reformave në dobi të shqiptarëve dhe të grekëve që ndodheshin brenda Perandorisë Osmane.
Në “Shpallje” theksohej se si grekët, ashtu edhe shqiptarët duke u nisur nga ruajtja e ekzistencës së tyre kombëtare, mendonin se kishte ardhur momenti për të mbrojtur krah për krah interesat e tyre të përbashkëta. Në “Shpallje” parashtroheshin pesë kërkesa, të cilat shprehnin thelbin e bashkëpunimit midis shqiptarëve dhe grekëve, në to thuhej:
“1. Ne nuk do të turbullojmë paqen e përgjithshme, duke iu kundërvënë ndonjë projekti ose aksioni politik që ka për qëllim mbrojtjen e status-quo-së së Orientit, konform traktatit ndërkombëtar, por ne presim që kjo status-quo të përbëjë një garanci të vërtetë për paqen në botë dhe një faktor drejtësie dhe barazie për popujt e Lindjes.
2. Ne nuk do të hedhim poshtë reformat e Evropës, por ne duam që reformat e siguruara të jenë radikale dhe të përgjithshme për të gjithë popujt.
3. Ne nuk do t’i kundërvihemi të drejtave dhe aspiratave legjitime të cilitdo nacoionaliteti, por ne pretendojmë që të drejtat dhe aspiratat tona legjitime, po ashtu të respektohen. Ne do të zmbrapsim çdo propagandë fetare apo politike dhe çdo intrigë, ngado që të vijë ajo dhe do të deklarojmë si armik të përbashkët atë që do të kërkoje të na dëmtojë ose të na cënojë mbi të drejtat tona të përbashkëta dhe të veçanta.
4. Grekë dhe shqiptarë pa dallim feje jemi vëllezër, dhe miq, kemi interesa dhe rreziqe të përbashkëta. Programi ynë i përbashkët konsiston në evolucionin kombëtar të secilës racë në kufijtë e saj historikë, sa kohë që do të ruhet gjendja aktuale në krijimin e një atdheu shqiptar të lire dhe të pavarur dhe rindërtimin e vendeve greke në qoftë se ndonjëherë regjimi aktual politik do të zhdukej.
5. Ne grekët dhe shqiptarët, dënojmë shtypjen dhe shkombëtarizimin e racave të tjera. Liria fetare, uniteti social, autonomia politike, bashkëpunimi i të gjithë popujve bashkëjetues në tokën tone, këto përbëjnë bazat e programit tonë nacional dhe të dëshirave tona intime”.
Siç shihet në to të drejtat dhe interesat shqiptare qenë pasqyruar drejt. Nga teksti i “Shpalljes” dhe nga komentet e shtypit shqiptar dhe grek, si dhe nga deklaratat publike e nga interpretimet që i jepte Ismail Qemali marrëveshjes, del se ajo nuk ka qenë arritur në bazat e politikës së ndjekur gjer atëhere nga Kazazi me shokë ndaj Shqipërisë. Në këtë dokument ato gjenin për herë të parë një mbështetje të hapur mbi bazën e parimeve të bashkëpunimit dhe të mosndërhyrjes së ndërsjelltë.
Si politiklan dhe diplomat, tashmë me një përvojë të madhe, Ismail Qemali e vlerësoi saktë situatën jo të favorshme në të cilën ndodhej Greqia, për shkak të marrëdhënieve të acaruara me Bullgarinë dhe u mundua të hynte në lidhje e bashkëpunim me të, në interes të çështjes së Shqipërisë duke mos lejuar që as grekët, askush tjetër të kishin të drejtë të merrnin nëpër këmbë aspiratat e ligjshme të popullit shqiptar dhe trojet e tij. Ismail Qemali takohej në këtë çështje, me Abdyl Frashërin, mbasi që të dy i bënë pak a shumë të njëjtin vlerësim konstelacionit të forcave politike ndërkombëtare dhe ballkanike në raport me çështjen shqiptare. Ashtu si Abdyl Frashëri, i cili në kohën e Krizës Lindore shihte te Greqia, aleatin e mundshëm të Shqipërisë për faktin se të dy vendet kërkonin shembjen e Perandorisë Osmane dhe shqetësoheshin nga politika pansllaviste e Rusisë, edhe Ismail Qemali gjykoi se qeveria e Athinës, e shqetësuar nga lakmitë e Serbisë do ta përkrahte për interesat e saj idenë e krijimit të shtetit shqiptar. Megjithatë midis platformës së tyre kishte një dallim të rëndësishëm. Abdyl Frashëri kërkonte aleancë me Greqinë për shkatërrimin e Perandorisë Osmane, për dëbimin e saj nga Ballkani. Ndërsa Ismail Qemali e mbështeste marrëveshjen me Athinën mbi parimin e ruajtjes së Perandorisë Osmane në Ballkan, madje edhe në rast se prishej status-qua-ja, Shqipëria do ta fitonte autonominë, por do të qendronte në kuadrin e saj, ndërsa trojet greke do të bashkoheshin me Greqinë. Ideja e tij qe pikërisht që së bashku me greket të merreshin masa mbrojtese ndaj synimeve te pansllavizmit dhe të dy popujt aleatë të siguronin të drejtat e tyre kombëtare.
Krahas “Shpalljes” u hartua edhe një protokoll i special ku u përcaktuan parimet bazë mbi të cilat do të punonin të dyja palët për realizimin e kërkesave të shtruara në marrëveshje për mbrojtjen e interesave politike të të dy popujve në bazë të marrëdhënieve të reciprocitetit e të fqinjësisë së mirë. Ismail Qemali përpiloi edhe një statut ku përcaktoi si detyrë kryesore krijimin e një shoqate shqiptare me qendër në Paris, qëllimi i së cilës do të ishte që, nëpërmjet shtypit, t’i bënin shqiptarët të ndërgjegjshëm politikisht për të drejtat dhe interesat e tyre të vërteta. Lidhur me marrëdhëniet midis shqiptarëve dhe grekëve, ai caktonte si kriter bazë mbrojtjen e përbashkët të dy popujve nga çdo armik mbi bazë të njohjes prej të dy palëve të kufijve të tyre, duke marrë në konsideratë në përcaktimin midis këtyre shumicën e banorëve që flisnin një nga dy gjuhët. Ismail Qemali mendonte të botonte edhe një gazetë për realizimin e qëllimeve të shoqatës shqiptare dhe parashikonte që shoqëria në fjalë bashkë me shoqërinë “Elenizmos” të bënte botime në gjuhët shqipe, greke, turke e frënge. Por përmbajtja e marrëveshjes dhe protokolli special nuk mundën të viheshin në jetë për shkak se qeveritarët grekë nuk hoqën dorë nga lakmitë shoviniste ndaj trojeve jugore të Shqipërisë duke kërkuar që kufijtë veriore të Greqisë të shtriheshin deri në Vlorë.
Duhet theksuar se në asnjë nga dokumentet e nënshkruara nga Ismail Qemali dhe personalitetet greke nuk bëhej fjalë për përcaktimin e kufijve shtetërore midis Greqisë dhe Shqipërisë. Qendrimi i hapur armiqësor i N. Kazazit dhe i shoqatës së tij shkaktoi reagimin e drejtë të rretheve patriotike shqiptare. Rreth kësaj marrëveshjeje shqiptaro-greke të nënshkruar nga Ismail Qemali, u bënë mjaft kritika e akuza të ndryshme nga patriotë dhe shtypi shqiptar i kohës, sidomos nga gazetat “Kombi” e “Drita”. Këta të shqetësuar nga politika e Athinës, nuk e kuptuan qëllimin që pati Ismail Qemali, kur nënshkroi aktet e përmendura, prandaj jo pak prej tyre e kritikuan atë rëndë. Mjaft artikuj të botuar prej tyre kritikonin Ismail Qemalin dhe lidhjet e vendosura me grekët dhe arritën deri aty sa ta quanin “tradhtar”, “të shitur” etj.
Përveç kësaj marrëveshjeje të nënshkruar midis Ismail Qemalit dhe N. Kazazit mjaft studiues grekë dhe të huaj shkruajnë se paskan kaluar nëpër duar një marrëveshje tjetër të Ismail Qemalit të nënshkruar me kryemimstrin grek Jorgo Theotoqis. Këtë e përmendin për qëllime politike dhe qeveritarët grekë si Eleftherios Venizellos më 1913, kur një komision ndërkombëtar ishte dërguar në Shqipëri nga Konferenca e Londrës për të caktuar në vend kufijtë greko-shqiptarë. Venizelloja e paraqet marrëveshjen të nënshkruar më 1908, po për këtë shkruan dhe profesori i historisë në Universitetin e Athinës Kostandin Amantos. K. Caldharis , i cili e jep nje vit më vonë më 1909.
Ndërsa M. Spiromilo pretendon se e ka parë dhe është nënshkruar më 1906. Përsa i përket tekstit, flitet për një përcaktim të vijes kufitare në jug me Greqinë. Mendimet janë të ndryshme. Disa pretendojnë se ishte caktuar një vijë që kalonte në perëndim të Manastirit dhe vazhdonte në një pikë tjetër që gjendej në veri të Korfuzit, mendimi tjetër ishte për një vijë që kalonte në jug të Manastirit dhe vazhdonte siç është thënë më lart. Më 1946 kryeministri Kostandin Caldharis u përpoq më kot të detyronte Konferencën e Paqes në Paris që të rishikonte në të mirë të Greqisë kufirin politik shqiptaro-grek.
Për këtë marrëveshje që përmendet, shtypi shqiptar i viteve 1907, 1908 si dhe ai i mëvonshëm që ishte mjaft i ndjeshëm ndaj problemeve kyçe që lidheshin me Lëvizjen Kombëtare nuk ka shkruar. Në asnjë artikull me sa kemi shfletuar nuk sheh kritika të adresuara I.Qemalit për një marrëveshje të bërë me Theotoqin, përveçse atë me Kazazin. Kanë kaluar afro 100 vjet dhe nuk është botuar donjë faksimile e këtij dokumenti. Për këtë vazhdojnë të ekzistojnë kontradikta, në lidhje me datën e nënshkrimit si dhe të përmbajtjes së tekstit, të cilat i ka analizuar Timo Dilo në artikullin e shkruar për këtë problem. Në këto vitet e fundit është dhënë dhe një datë tjetër ku thuhet se marrëveshja është nënshkruar më 22 janar 1907 midis Ismail Qemalit dhe kryeministrit J. Theotoqis, në prani të konsullit të përgjithshëm të Selanikut Koromilaj. Dhënia e gjithë këtyre datave si dhe teksteve të saj me përmbajtje të ndryshme të lënë të dyshosh.
Logjika e do që marrëveshja në fjalë të mos ketë ekzistuar siç pretendohet nga grekët qoftë për faktin që patriotizmin e Ismail Qemalit nuk mund ta vëmë aspak në dyshim, ashtu edhe për faktin që ky personalitet nuk kishte asnjë funksion politik dhe as një prerogativë e cilësi për ta nënshkruar atë.
Nga materialet e deritanishme të shfletuara të Ismail Qemalit, si intervista, memorandume, letra personale, në dokumente të kancelarive evropiane, në kujtimet e tij flitet vetëm për një marreveshje shqiptaro-greke të nënshkruar më 22 mars 1907 për të cilën folëm më sipër. Me autoritetet greke Ismail Qemali ka biseduar parimisht për vijën kufitare jugore, por pa hyrë në hollësira. Pretendimet e qeveritarëve greke se Ismail Qemali ka bërë cedime territori duke lënë jashtë kufirit Korçën, Gjirokastrën dhe Himarën janë të pathemelta, sepse aktiviteti i tij në shërbim të çështjes kombëtare nga viti 1900 e derisa vdiq flet qartë për luftën e vazhdueshme që ai ka bërë për ruajtjen e trojeve shqiptare në veri e në jug.
Në të gjitha thirrjet, memorandumet, në intervista ai është shprehur për krijimin e një Shqipërie ku brenda saj të përfshiheshin të gjitha tokat e banuara me shqiptarë si në veri e verilindje duke përfshire Kosovën, ashtu edhe në jug duke futur tokat shqiptare deri në Prevezë.
Në tërë veprimtarinë e tij, ai asnjëherë nuk u udhëhoq nga parimi që të sigurojë përfitime materiale, por si t’i shërbente më mirë çështjes kombëtare.
Si përfundim duke marrë në konsideratë dhe vlerësimin e T. Dilos mund të themi se tërë lufta e tij hedh poshtë çdo dyshim që mund të lindë për nënshkrimin e kësaj të ashtuquajture marrëveshje.
Ismail Qemali duke parë kritikat që iu bënë dhe në shtyp rreth marrëveshjes me Kazazin, për sqarimin e opinionit i dha një intervistë gazetës “Tribuna” në Romë, më 27 korrik 1907, në kohën kur sapo qe kthyer nga Athina, pas përfundimit të marrëveshjes me të. Intervista u zhvillua rreth çështjes shqiptare për të cilën Italia tregonte një interes të veçantë.
Në intervistë Ismail Qemali trajtoi se si duhet të ishin marrdhëniet midis Greqisë dhe Shqipërisë. Problemi i parë që shtroi ai kishte të bënte me synimet që kishte Shqipëria në lidhje me marrdhëniet me Greqinë. Kësaj ai iu përgjigj se shqiptarët kërkonin përkrahje si nga Italia, ashtu dhe nga Greqia. Për këtë propozonte krijimin e një “Antante” me Greqinë. Ai përjashtoi mundësinë e bashkëpunimit me rrethet bullgare “të cilat shtireshin sikur e shikonin me kënaqësi lëvizjen kryengritëse shqiptare, por vepronin për interesat e tyre, me qëllim që të ulnin qëndresën dhe te shkonin drejt realizimit të “endrës së tyre” të vjetër lidhur me krijimin e një Bullgarie të Madhe”.
Ismail Qemali nuk ishte për zëvendësimin e Perandorisë Osmane me një Bullgari të Madhe ose me ndonjë perandori tjetër. Pra edhe bashkëpunimi me greket nuk mund të konceptohej prej tij si një bashkëpunim në dëm të Shqipërisë. Lidhjen e shqiptarëve me grekët ai e shikonte në interes të të dy palëve, sepse bashkëpunimi midis tyre kishte si bazë “zhvillimin paralel të dy kombeve në sferën kombëtare të secilit”, gjë që mbështetej dhe në faktin se të dy popujt ndodheshin afër njeri-tjetrit. Ismail Qemali i dha gjithashtu përgjigje edhe pyetjes për mos marrëveshjet që mund të lindnin midis dy palëve në lidhje me çështjen e territoreve të diskutueshme prej tyre. “Unë nuk mendoj aspak - theksoi ai, - se mund te dalin çështje të rëndësishme territoriale për të dobësuar Antantën dhe për të krijuar grindje në të ardhmen. Shqiptari i njohur për gjuhën e tij, për historinë e tij dhe për ndërgjegjen e tij, do të vazhdojë të qendrojë aty ku ndodhet efektivisht, po ashtu edhe greku”.
Duket qartë se në intervistë Ismail Qemali nuk e trajtoi problemin konkret të kufijve, por theksoi me të madhe krijimin e një Shqipërie të fortë, e cila nuk mund të realizohej po të sakrifikohej tërësia toksore e vendit; siç pretendohej në akuzat e bëra kundër tij. Këtë ai e tregoi më së miri me veprën e tij në Shpalljen e Pavarësisë së Shqipërisë dhe në mbrojtjen që ai i bëri kufijve të vëndit të tij pranë Konferencës së Ambasadorëve në Londër në vitin 1913, duke mos tradhëtuar dhe shitur asnjë pëllëmbë tokë të Shqipërisë asnjëherë. Vepra e tij i ka hedhur poshtë më së miri akauzat e bëra ndaj tij nga Franc Baron Nopçe, apo dhe nga disa shqiptarë.
Siç e pamë dhe nga intervista përpjekjet e Ismail Qemalit për vendosjen e marrëdhënieve miqësore me Greqinë për vitet në të cilat u ndalëm, shkuan kot dhe kjo për shkak të qendrimit të palës greke.
Problemi tjetër që ngriti Ismail Qemali në intervistë, ishte dhe ai i marrëdhënieve që duhet të ekzistonin midis Shqipërisë dhe Italisë. Ai i linte të kuptonte Romës se ajo nuk duhej të ushqente asnjë iluzion në dëm të tërësisë së trojeve shqiptare. Pyetjes së bërë nga intervistuesi për marrëdhëniet me Italinë ai iu përgjigj: “çështja shqiptare ashtu siç është në fazën e tanishme, reduktohet në një çështje thellësisht kombëtare. Shqipëria, e cila ka gjuhën e saj, letërsinë e saj, historinë dhe traditat e saja ka të drejtë që të kërkojë njohjen e saj kombëtare, sipas idealeve të reja të lirisë e të pavarësisë”. Ismaili kërkonte që të përkrahej krijimi i një Shqipërie të bashkuar dhe të forte për të cilën luftoi deri në vdekje.
(Autorja është dekane e Fakultetit të Shkencave Politike në Universitetin ILLYRIA)

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave

Shenjat që kanë më shumë gjasa të fillojnë një zënkë në tryezën e festave