Isufi: Kritikat për “Big Bang”-un tim
te Banka, mendësi të vjetëruara

Isufi: Kritikat për “Big Bang”-un tim<br />te Banka, mendësi të vjetëruara
TIRANE- Të gjithë artistët duhet të protestojnë për skandalin e Bankës së Shtetit. Jam i mendimit të kishte një vepër edhe me konkurs. 

Trajtimin e disa fenomene të rëndësishme të angazhimit kulturor në vendit tonë, në marrëdhënie me aspekte social-shoqërore dhe politike po lidh me shqetësimin tim për keqpërdorimin nga media të “sugjerimit” tim artistik, sepse nuk është hera e parë dhe as e fundit që shkrimet apo opinione nëpër artikuj anashkalojnë problematikën e vërtetë.  Më duhet të them se ne si shoqëri jemi tejet e margjinalizuar nga “angazhimi në të mirën publike” dhe kjo është shumë e dukshme, sepse nëse mblidhemi me qindra-mijëra nëpër sheshe vetëm kur e do Partia, ndodh shumë pak ose aspak të mblidhemi dhe të reagojmë ndaj fenomeneve shumë të prekshme që na trokasin përditë në derën e shtëpisë e që bëjmë sikur jemi të shurdhët e nuk dëgjojmë.

Patjetër që konstatoj se mbi të gjitha ky “reagim i mpirë” vjen si pasojë e një kulture Postkomuniste që ka të njëjtat nuanca me atë kohe ku njerëzit ishin “instrumentalizuar” nga diktatura dhe kishin frikë edhe të mendonin “ndryshe”, që ka deformuar në përgjithësi raportin tonë mbi të gjitha me liritë dhe të drejtat e individit për tu shprehur! Pra, fatkeqësisht kjo ishte pasuria më e madhe që na la regjimi komunist që të jemi të “mpirë” në sjellje dhe “reagim publik” por gjithsesi vitet kalojnë dhe padyshim “liria e lëvizjes” dhe eksperiencave të reja perëndimore ka treguar që ka një fije shpresë për të reaguar ndaj fenomeneve që po na mbysin përditë dhe që po duan të na fundosin përfundimisht në vendet e botës së tretë ku mbizotëron “korrupsioni i lartë” dhe “ligji i më të fortit”.

Personalisht jam i orientuar drejt artit Postmodern që fatkeqësisht kuptohet pak në Shqipëri sepse në përgjithësi artistët e sotëm ose vegjetojnë në estetiken Modernizmit të hershëm (fillim shek.20), ose ka edhe më keq që e kanë kokën mbrapa duke prodhuar vepra arti me jehonën plastike dhe estetike të Realizmit Socialist, pra siç u shpreha edhe më sipër dukshëm është duke na mbajtur akoma “peng” të sfondit kulturor me mendësi dhe mentalitet të vjetruar.

“Sfondi kulturor” dhe “mirëkuptimi I tij” ka shumë rëndësi për një shoqëri kaq të paqartë sa kjo e jona ku duhet qartësuar përfundimisht se po flasim për një ndërthurje të fenomeneve shoqërore me qëndrimet  kulturore, dhe në thelb këtu “ngec” problemi sepse ne nuk jemi edukuar me “protestën” siç ndodhi të paktën në vitet ’60-të në perëndim me demonstratat për liritë dhe të drejtat e individit, ku padyshim edhe në atë kohë “abuzimi me pushtetin” ishte një çështje me rëndësi dhe kryefjalë e tij dhe artisët reaguan fort me mesazhet dhe mjetet e tyre artistike(sa për analogji: Në atë kohë ne përsërisnim si papagall: Parti-Enver jemi gati kurdoherë). Artisti në ditët tona në këtë kontekst dhe nënshtresëzim kulturor duhet të jetë një intelektual që kontribuon për shoqërinë në shumë aspekte me “pikëpamjet bashkëkohore” dhe mbi të gjitha është domosdoshmëri të përmblidhen në veprën dhe krijimtarinë e tij artistike, dhe “jo” të vazhdojmë si për inerci me “estetika te tejkaluara” ku patjetër nuk përjashtohet edhe vëzhgimi social I fenomeneve të caktuara që emancipon shoqërinë edhe nëpërmjet artit.

Postmodernizmi e ka pajisur artistin edhe për shkak të teknologjisë dhe informacionit te shpejtë të reagojë menjëherë ndaj fenomeneve të ndryshme që në pamje të parë duken “të përkohshme” por që brenda tyre kanë “karakterin universal të së drejtës” dhe hap pas hapi ndërtohen shenja apo vepra artistike “të përkora” që mbushin pazllin e kohës tonë duke reflektuar gjithmonë për të ardhmen. Në këtë drejtim citoj (edhe nga faqja ime e Facebook) se: “Maurizio Cattelan realizoi skulpturën L.O.V.E. 2010 dhe e vendosi përballë bursës së Milanos, si ironi për nëpunësit që menaxhojnë paranë dhe që shkaktuan krizën ekonomike dhe monetare globale!...

Në fakt do të doja të realizohej një skulpturë e këtij karakteri dhe të vendosej tek sheshi përballë Bankës së Shqipërisë si ironi me vjedhjen që ju bë shqiptarëve nga zyrtarët e korruptuar deri në palcë!”... dhe kjo duhet pare vetëm si vetëm fillesa e një qëndrimi më të thellë kritik me vetë sistemin tonë.

Ideja e mësipërme është një “sugjerim” nga ana ime dhe për të qenë edhe më i qartë në reagimin tim nuk ishte diçka vetëm personale, por i ftoj të gjithë artistët që e ndjejnë veten “realisht” dhe “jo me sikur” të angazhohen për të dhënë idetë e tyre nëpërmjet veprës publike të artit për rastin konkret, që është dhe do të jetë njëkohësisht reagim qytetar dhe respekt ndaj dinjitetit njerëzor. Për të vazhduar më tej më duhet të sqaroj se mençuri është jo të merremi me lojëra fjalësh nëse ka apo jo arti kompetencë të trajtojë gjëra të tilla kur më së miri e tregon shembulli i Cattelan, por ne duhet të analizojmë “fenomenin” nëpërmjet debatit që ekziston edhe në elitat mbarë botërore për qëndrimet që mbajnë ndërmjet “Lokales dhe Globales” për të gjetur pasojat dhe të vërtetat e këtyre dukurive, ku dhe propozimi im rrugëton në këtë drejtim.

Pra, skulptura me tingull “Big Bang”, starton mbi një problem tejet të rëndë social-ekonomik por që mbart në vetvete një proces universal, atë të “gjëmimit të tingullit” të kahershëm që do të ndodhë nga goditja që i jep vetë publiku tamburit të bronztë duke bashkëvepruar në përmbajtje metaforike dhe njëkohësisht në mënyrë itereaktive me “timpanin i veshit”, që është porta e pare hyrëse e çdo zhurme dhe që tjetërsohet në tambur gjëmues si akt i tingullit solemn në zgjim të memories humane.

Kërkimi im artistik gjatë viteve të fundit është rrekur gjithnjë rreth “kritikës” të fenomeneve të shoqërisë tonë që është edhe nevojë jetike për të ecur përkrah frymës europiane, ku e citoj edhe nëpër tekstet e mia artistike dhe kuratoriale që sipas analizës të Oscar Wilde, del se “Kritika më e lartë është regjistri i një shpirti. Është më magjepse se historia, sepse merret vetëm me vetë ne, është më argëtuese se filozofia, sepse subjekti i saj është konkret, e jo abstrakt, real e jo i papërcaktuar…”

Padyshim për mua më e rëndësishme është “të reagojmë” dhe do të isha i lumtur që si përfundim i këtij diskutimi të kishim një vepër arti edhe nëpërmjet një procesi konkurrimi ku shumë artistë të shfaqnin idetë e tyre me qëndrim bashkëkohor dhe mendoj se kjo do të ishte edhe një eksperiencë e re dhe e vyer për institucionet vendore dhe qendrore që të përkrahin gjerësisht dhe të mbështesin frymën e kohës të artit postmodern. Megjithatë, për të vazhduar me sinqeritet të plotë më duhet të shtoj se jam pak optimist që diçka mund të lëvizë, duke parë se në përgjithësi nuk e kemi të kultivuar kulturën e “protestës qytetare”, dhe këtë e vura re se menjëherë edhe në opinionet e djeshme të artistëve apo kritikëve të artit që bien në batakun e analizave të cekta, ku pothuajse nuk trajtojnë fare fenomenin.

Madje këto opinione që reduktohen në mendime të rrëmujshme, shpeshherë janë kaq shumë të njëanshme, saqë vijnë edhe si shkak i interesave të vockla që ka ndonjë individ me Bankën e Shqipërisë (p.sh. dihet se Ylli Drishti në mos de jure, është de facto konsulent artistik i z. Fullani dhe kjo përbën të paktën moralisht një konflikt të hapur interesi), sepse në fund të fundit është fakt abuzimi në këtë institucion dhe aspak nuk shërben të fshihemi pas fjalëve si me gjethe fiku… megjithatë ka dhe më keq, uroj për të ardhmen që të paktën të mos ndodh ajo situatë qesharake që “PO NDODH” dita-ditës me rrjepjen që po i bëhet Monumentit të 100-vjetorit të Pavarësisë, ku vjedhja e pllakave të bronzit në mes të Tiranës për “ne” është një “turp kolektiv” dhe flet qartë për nivelin tonë kulturor.
Maurizio Cattelan























Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 22 Gusht 2014

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)   

  • Sondazhi i ditës:

    Si do e drejtojë Kuvendin Elisa Spiropali krahasuar me Lindita Nikollën?



×

Lajmi i fundit

VIDEO/ Rama publikon pamjet e pushuesve në plazh dhe ironizon: Jala plot me patronazhistë

VIDEO/ Rama publikon pamjet e pushuesve në plazh dhe ironizon: Jala plot me patronazhistë