Një sasi mielli i subjektit "Agro Blend" sh.p.k. ka rezultuar me aflatoksinë mbi 2 mikrogram për kg që është norma e lejuar nga Bashkimi Europian dhe udhëzimi i Ministrisë së Bujqësisë.
Këto janë rezulatet e analizave te kryera në Institutitn e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinare për mostrat e miellit të marra në një magazinë, në datën 15 maj. Këtij subjekti i janë bllokuar më herët 41.3 ton miell deri në përgjigje të analizave të cilat rezultuan me aflatoksinë mbi normën e lejuar.
Inspektorët e AKU-së të cilët kanë ushtruar kontroll në këtë subjekt kanë konstatuar kushte të papërshtatshme higjeno-sanitare si dhe të ruajtjes së miellit, mungesa të raport-analizave për produktin miell tip 500 dhe 700 si dhe mungesë të praktikave higjeno-sanitare. Për këtë i është vënë gjobë në masën 400 mijë lekë si dhe i është ndërprerë aktiviteti. Por, në vijimësi të gjurmueshmerisë, inspektorët e AKU-së kanë bllokuar pak më vonë një sasi prej 100 ton miell në kompaninë "Agro Blend" sh.p.k. si dhe 6800 ton grurë, mostrat e të cilave janë marrë në datën 23 maj dhe janë duke u analizuar pranë ISUV, përgjigjet e të cilave pritet të dalin këto ditë.
Ministria e Bujqësisë me anë të një deklarate për shtyp shprehet e vendosur për të mos lejuar daljen në treg të miellit të ndotur me myk apo mytoksinë, si kërcënues serioz i shëndetit të qyetarëve . Në deklaratë thuhet se, "pikat e shpërndarjes në të cilat u konstatua ndotja e miellit nuk respektojnë standartet e lagështisë, ajrimit dhe temperaturës së ruajtjes duke u shndërruar në burim të prishjes dhe ndotjes së drithërave dhe miellit".
"Përsa kohë këto pika nuk do t'i plotësojnë këto kritere, ato nuk do të lejohen të shërbejnë si qendra grumbullimi dhe shpërndarjeje të produktit. Dalja politikisht në mbrojtje të shkelësve të standarteve të sigurisë është shkelje flagrante e ligjit të ushqimit, e cila kërkon legjitimim të futjes së prodhimeve të prishura dhe të ndotura në treg",- thuhet në deklaratën e Ministrise së Bujqësisë./atsh/