ITALI – Gjashtë shqiptarë janë arrestuar ditën e djeshme nga Guardia di Finanza italiane, pasi u kapën në flagrancë me 7.2 kile kokainë. Shqiptarët u vunë në pranga pasi i’u gjendën dhe prova materiale që i implikonin për trafik në shkallë të gjërë dhe për posedim të një laboratori kokaine.
 
Në kuadrin e një operacioni për kontrollimin e territorit, duke hetuar dhe mbi një sërë personash të dyshuar për trafiqe ilegale, Guardia di Finanza e Varezes dhe Gorgonzolës kanë arrestuar në flagrancë 6 shtetas shqiptar për trafikim kokaine.
 
Pas një sërë ndjekjesh dhe përgjimesh, forcat e rendit italiane kanë mundur të evidentojnë një laborator kokaine në një banesë në afërsi të qytetit të Milanos. Përveçse gjashtë të arrestuarve Guardia di Finanza sekuestroi 7.2 kilogram kokainë, 1.5 kilogram substancë për t’i shtuar masën lëndës narkotike në fjalë, një pistoletë, dhe një sërë materialesh e makinerish për përzierjen, ndarjen dhe paketimin e kokainës.
 
Sipas autoriteteve italiane, të gjashtë të arrestuarit kishin ndërmend të shpërndanin drogën e sekuestruar në provincat e Milanos dhe Varezes. Sasia prej 7.2 kilogramësh nëse arrinte tregun, sipas Guardia di Finanza, do t’i sillte shpërndarësve një fitim prej gati 500 mijë eurosh.
 
Redaksia Online
(e.n/shqiptarja.com)