Një sasi e konsiderueshme kokaine prej mbi 93 kilogramësh që kap vlerën e 18 milionë eurove u sekuestrua nga policia italiane, ndërsa u arrestuan dy shqiptarë të cilët transportonin lëndën narkotike. 

Sipas mediave italiane të arrestuarit janë me inicialet G.E 36 vjeç dhe M.A 42 vjeç. Droga u zbulua në zonën e Brennero pranë kufirit me Austrinë.

Dy shqiptarët u arrestuan teksa transportonin lëndën narkotike në një makinë tip Ford Kuga me targa gjermane, ndërsa u pikasën nga policia gjatë një kontrolli rutinë. Kokaina ishte fshehur në bagazhin e makinës në një vend të modifikuar prej tyre, me shpresën se nuk do të pikaseshin nga policia.  

Pas një kontrolli të imtësishëm ata vunë re se vendi i gomës rezervë ishte mbyllur hermetikisht. Pasi policët hapën këtë pjesë të makinës gjetën lëndën narkotike që sipas tyre është e cilësisë më të lartë dhe vlera në treg kap shifrën e 18 milionë eurove. 

Redaksia Online
Gre.M/Shqiptarja.com