ROME - Irani përbën një rrezik më të madh strategjik për Izraelin dhe stabilitetin në Lindjen e Mesme sesa xhihadistët e ISIS-it, deklaroi për ANSA-n ambasadori izraelit në Itali, Naor Gilon, i pranishëm në konferencën e organizuar në Romë nga fondacioni "Magna Carta" me temë "Destabiliteti në Lindjen e Mesme".
"Kërcënimi real është fuqizimi i energjisë bërthamore të Iranit. Kjo jo vetëm se Irani mbështet armiq prej një kohe të gjatë të Izraelit, si Hezbollahu dhe Hamasi, por edhe pse kapaciteti bërthamor i Iranit do të përhapte një garë riarmatimi në të gjithë rajonin dhe lufta do të zhvillohej më pas mes fuqive bërthamore", thekson Gilon.
"Kjo është arsyeja që Irani mbetet rreziku kryesor për ne. Në vendin e dytë janë xhihadistët dhe në të tretin ekstremistët sunitë, të cilët ia kanë arritur të krijojnë zona të pakontrolluara në Siri dhe Irak, shtuar këtu edhe terrorizmin e Hamasit", shton ambasadori izraelit në Itali, Naor Gilon./ATSH/