VERONA - Një shqiptar është vrarë në një atentat mafioz para derës së shtëpisë së tij në Verona të Italisë. Ngjarja ku humbi jetën emigranti shqiptar, Alban Lilaj, 41 vjeç, ka ndodhur gjatë natës duke u gdhirë dita e sotme në një shesh të Veronas në Itali.
 
Banorët kishin dëgjuar të shtëna armësh dhe menjëherë kanë lajmëruar policinë. Këta të fundit kanë mbërritur rreth mesnatës në vendngjarje, në sheshin “XXX Aprile”.  Shqiptari u gjet përtokë një burrë i qëlluar me armë zjarri.
 
Nga hetimet e policisë rezultoi se shqiptari punonte në ndërtim dhe rezultonte me disa precedentë penalë. Mësohet se shqiptari është qëlluar me armë zjarri gjatë kohës që ishte duke u kthyer në shtëpi, pasi në duar iu gjetën çelësat e shtëpisë.
 
Dyshohet se gjithçka ka ndodhur si pasojë e një prite, për larje hesapesh. Por pavarësisht pyetjeve të personave që ndodheshin në lokalin fare pranë vendit ku ndodhi krimi, askush nuk pranoi të kishte parë gjë, duke hedhur dyshimet se autori i krimit ishte fshehur mirë për të mos u pikasur, ndërsa priste shënjestrën e tij për ta ekzekutuar.
 
Redaksia online
(ac/shqiptarja.com)