Një 43-vjeçar shqiptar është dërguar në burg në Itali pasi dyshohet se sulmoi me një shishe molotov makinën e ish-shefes që e kishte pushuar nga puna.

Ngjarja, sipas mediave italiane, ndodhi në gusht të vitit të kaluar në Cento, në provincën e Ferrarës. Sipas hetimeve të karabinierëve, burri hodhi një shishe molotov ndaj makinës së sipërmarrëses, duke e shkatërruar atë. Gruaja, ish-punëdhënësja e tij, jeton në San Giovanni në Persiceto.

Hetuesit thonë se pas pushimit nga puna ai kishte nisur një seri veprimesh hakmarrëse ndaj saj. Përveç makinës së djegur, ai dyshohet edhe për një tjetër sulm ndaj kompanisë. Në një rast tjetër kishte spërkatur me benzinë një nga furgonët e firmës dhe tentoi t’i vinte flakën, por nuk arriti ta ndizte.

Për këtë seri episodesh, ndaj tij u vendos masa e arrestit shtëpiak ndërsa priste gjykimin e menjëhershëm. Por në fund të shkurtit ai theu masën e sigurisë dy herë brenda vetëm 24 orësh.

Herën e parë karabinierët e gjetën në një bar dhe e kthyen sërish në banesë. Edhe ditën kur duhej të paraqitej në gjykatë, policia shkoi ta merrte në shtëpi, por ai nuk ishte aty. Kërkimet nisën menjëherë dhe 43-vjeçari u gjet përsëri në një tjetër lokal.

Pas këtyre shkeljeve të përsëritura, gjykata vendosi ta ashpërsojë masën e sigurisë për shkak të rrezikshmërisë dhe mosrespektimit të urdhrave të drejtësisë.

Më 7 mars me vendim të gjyqtarit të gjykatës së Bolonjës, karabinierët e Centos e arrestuan dhe e dërguan në burgun e Ferrarës në rrugën Arginone, ku tani ndodhet në dispozicion të drejtësisë për akuzat që rëndojnë ndaj tij dhe për arratisjet e përsëritura nga arresti shtëpiak.