Trupi i Denaldo Maxhallakut, 31-vjeçarit shqiptar që punonte si bojaxhi në Itali, është gjetur mëngjesin e sotëm pranë një banese në Longiano në Cesena.
Një skenë rrëqethëse u shfaq para ekipeve të shpëtimit rreth orës 10:00, përgjatë rrugës provinciale 85, të quajtur “Felloniche”, në kilometrin e katërt. Brenda një pusi, vetëm pak metra larg një shtëpie dykatëshe, u gjet trupi i pajetë i shqiptarit, i cili banonte në Gatteo dhe ishte baba i një vajze vetëm 1 vjeçe, raportojnë mediat italiane.
Operacionet e nxjerrjes së trupit ishin të gjata dhe të ndërlikuara
Trupi u gjet në një thellësi prej rreth dhjetë metrash, i zhytur në ujë me kokën poshtë. Sipas verifikimeve të para, ai ndodhej në pus prej disa ditësh.
Trupi u lokalizua falë punës së kujdesshme të njësisë së karabinierëve të specializuar në kërkimin e trupave të pajetë dhe të mbetjeve njerëzore, e cila mbërriti nga Firence.
Operacionet për nxjerrjen e trupit ishin të gjata dhe të ndërlikuara dhe vazhduan deri vonë pasdite.
31-vjeçari u zhduk më 7 tetor, makina e tij u gjet e djegur
Në një distancë të vogël nga vendi ku u gjet trupi, u zbuluan disa gëzhoja pistolete. Po zhvillohen hetime për vrasje, ndërsa dyshohet se viktima është qëlluar me armë zjarri.
Rreth njëzet ditë më parë, makina e 31-vjeçarit u gjet në Rubikone, plotësisht e djegur, vetëm pak kilometra larg vendit ku u zbulua trupi i tij.
Maxhallaku u zhduk më 7 tetor. Sot, rasti ka marrë një përfundim makabër dhe tragjik. Ky është një tjetër element i enigmës, pas gjetjes së automjetit të tij të djegur dhe të hedhur pranë lumit Rubicone.
Tani hetuesit duhet të identifikojnë autorin e vrasjes. Dyshohet se krimi mund të ketë ndodhur për motive ekonomike.
Që nga dita e zhdukjes së tij, miqtë dhe familjarët kishin jetuar në ankth. Shumë prej tyre mbërritën edhe në vendin ku u bë zbulimi makabër.









Komente
Komento