Ambasadori italian, Alberto Cutillo ka deklaruar se qeveria italiane ka gati 20 milion euro që do t'i dhurohen Shqipërisë. Këtë deklaratë, Cutillo i bëri gjatë inaugurimit të qendrës shëndetësore e cila vjen si kontribut i programit IADSA që financohet nga qeveria italiane. Ai tha se këto fonde kanë synim që të financojnë një sërë projektesh dhe se kanë mbetur vetëm procedurat e fundit nga qeveria shqiptare që të hapë garën.

Duke u ndalur tek qendra shëndetësore e inauguruar, ambasadori, në praninë e kryetarit të Bashkisë së Vau të Dejës Zef Hila, shprehu bindjen se ky investim ka shkuar aty ku duhet në shërbim të 12 mijë banorëve.

Ky investim kap shifrën e 68 milion lekëve ndërkohe që vjen si bashkëfinancim mes programit IADSA dhe Bashkisë Vau Dejës. Në këtë qendër shëndetësorë, e cila do të jetë 24 orë në funksion të banorëve, do të ofrohet edhe shërbimi i ekografisë, EKG-së, kontrolli i dëgjimit si dhe do të kryhen edhe ndërhyrje mikro-kirurgjikale.

Kjo qendër do t'i japë fund ecejakeve të banorëve që duhet të udhëtonin drej Shkodrës ose drejt Lezhës për të marrë shërbimin shëndetësor.