Italia nuk do të hyjë në luftë. Ky ishte mesazhi kryesor i Georgia Melonit sot në Parlament, ku kryeministrja raportoi për krizën në Lindjen e Mesme dhe për përgatitjet e Këshillit Europian të 19-20 marsit.

Në Senat, shumica miratoi rezolutën e saj me 102 vota pro, 66 kundër dhe një abstenim. Dokumenti dënon rolin destabilizues të Iranit në rajon dhe konfirmon mbështetjen për popullin iranian, ndërsa opozita paraqiti disa rezoluta të ndryshme.

Meloni tha se Italia nuk është në luftë dhe nuk dëshiron të hyjë në konflikt. Sipas saj, deri tani nuk ka pasur kërkesa për përdorimin e bazave amerikane në territorin italian për operacione ushtarake dhe çdo vendim i mundshëm do t’i takonte Parlamentit.

Kryeministrja foli edhe për pasojat ekonomike të krizës, veçanërisht për rritjen e çmimeve të energjisë dhe karburanteve. Ajo paralajmëroi masa kundër spekulimeve dhe tha se qeveria është gati të ndërhyjë edhe me taksa më të larta ndaj kompanive që përfitojnë nga situata. Nëse rritja e çmimeve bëhet e qëndrueshme, mund të aktivizohet edhe mekanizmi i “akcizave të lëvizshme” për të ulur barrën për qytetarët.

Meloni u bëri thirrje edhe opozitës për një qëndrim të përbashkët në një moment të vështirë ndërkombëtar. “Italia duhet të flasë me një zë të vetëm”, tha ajo, duke shtuar se është e gatshme të ulet në një tryezë me forcat e opozitës.

Por nga ana tjetër kritikat nuk munguan. Partia Demokratike kërkoi që qeveria t’u thotë qartë Shteteve të Bashkuara dhe Izraelit se po ndjekin një rrugë të gabuar dhe kërkoi garanci që bazat amerikane në Itali të mos përdoren për operacione ushtarake kundër Iranit.

Në sallë pati edhe protesta simbolike nga senatorët e Lëvizjes 5 Yjet, të cilët mbajtën kapele të kuqe me shkrimin “No alla guerra”. Ndërkohë në debat u përfshinë edhe tema të tjera si çmimet e energjisë, politikat migratore dhe mbështetja për Ukrainën.

Jo të gjithë në kampin e djathtë votuan me shumicën. Deputetët e grupit “Futuro Nazionale” të lidhur me Roberto Vannacci njoftuan votë kundër, duke kritikuar përdorimin e parave publike për mbështetjen e Ukrainës dhe duke kërkuar që qeveria të fokusohet më shumë te ekonomia italiane.

Pas votimit në Senat, debati u zhvendos pasdite në Dhomën e Deputetëve, ku pritet një diskutim i gjatë dhe votime të tjera mbi rezolutat para Këshillit Europian të javës së ardhshme.