Historia e  një të riu  vlonjat, që u arratis në Kosovë në vitin 1948 dhe u burgos nga serbët në burgun e Nishit, për idetë e tij rreth Shqipërisë etnike.

Rebelimi dhe vuajtjet në qelitë serbe dhe kthimi në Shqipëri, ku gjeti një  persekutim të ri, këtë herë nga komunistët e Shqipërisë. 

Kalvari i familjes Skënderaj dhe lidhja me vajzën e një tjetër patrioti të madh Ago Agajt edhe ai i arratisur  prej komunistëve dhe me një jetë që e shkriu për çështjen e Kosovës...

Më 1 tetor 1963, në familjen Skënderaj në Vlorë do të vinte në jetë një djalë, emrin e të cilit dy prindërit, Violeta dhe Skenderi e kishin menduar që herët. Ishte si një thirrje kuptimplotë e historisë dhe përpjekjeve patriotike të të dy familjeve nga rridhte. Donin ta quanin Kosov. Por në zyrën e Gjendjes Civile, nuk pranuan t’ja vendosin atë emër kështu e quajtën Mallëngjim, sërish në kujtim të Kosovës martire dhe shpresave të projektuara për të ardhmen e saj... Ai sot i mban të dy emrat Mallëngjim Kosov Skënderaj dhe në këtë episod të Dosjes K, do të zbulojë shumë prej historisë së dy familjeve prej nga rrjedh: të gjyshit nga mamaja Ago Agaj, i cili e shkriu jetën e tij për Kosovën dhe çështjen kombëtare dhe e vajtoi po ashtu Shqipërinë nën komunizëm, dhe të gjyshit nga babai Shyqyri Skënderaj, një vlonjat përparimtar që vuajti shumë  burgjeve të diktaturës. 

Mallëngjimin, e njohin sot më shumë përmes shkurtimit Sovi, që rrjedh nga  emri që e ëndërruan prindërit e tij Kosov. Madje në dosjet e Sigurimit të shtetit ai ka zbuluar së fundmi që atë shkurtim ja kishin theksuar në emër që në kohën e diktaturës.

Mallëngjim Kosov Skënderaj: “Kam qenë midis dy gjendjeve të familjes sime. E para, nga im gjysh Ago Agaj, i cili në intervistën e fundit para se të ndërronte jetë, në 24 dhjetor të vitit 1994, në Florida në Amerikë, ishte marrë në intervistë nga gazeta “Iliria” dhe titulli i shkrimit ishte “Po vdes pa e parë të lirë Kosovën”.

Ndërkohë, në luftën e Kosovës, në 1998-1999-n, normalisht komunikoj me tim atë, të ndjerin, dhe ishte një moment me fjalë pothuajse goxha optimal për të trajtuar disa elementë të asaj historie dhe u përshëndetëm atë natë dhe i thashë: po vij pak më vonë që të ulemi bashkë dhe të shkëmbejmë një bisedë. Më thotë: mos ki merak se nuk vdes pa shkuar edhe një herë në Kosovë. Jam brumosur dhe jam ngjizur me kripën e patriotizmit dhe atdhedashurisë edhe mëmëdheun,  dhe në bisedë e sipër, që bëja me prindërit e mi të ndjerë, nënën time, dhe të ndjerin babanë tim, ishte diskutimi i emrit.

 Po, unë e kam emrin Mallëngjim Skënderaj, por është një emër i cili është vendosur nga të dy prindërit e mi për shkak të këtij motivi me një fjalë, të pjesës me një fjalë, duke qenë se në shqip trajtohet, mallëngjim do të thotë gëzim e lot, përtej gëzimit për atë që ti ëndërron dhe pret që të realizohet, pra çështja kombëtare.

Dëshira, edhe e babait edhe e nënës, ka qenë që të ma vendosin emrin Kosov. Regjimi nuk e pranonte dhe për shkak të këtij motivi vendosën me një fjalë, sinonimin në kuptimin në konceptin e gëzimit me lot, mallëngjim, por që pjesa ime e familjes, miqësia, shoqëria, më kanë folur Kosov dhe shkurtimisht Sovi.

U çudita kur u njoha me dosjen e persekucionit, që m’u vendos në dispozicion nga Autoriteti i Dosjeve. Dhe pashë edhe atje që ishte kjo pjesë dhe kur kishin shkruar emrin tim, kishin shkruar emrin Kosov dhe pastaj kishin forcuar germat sovi, pra që më flasin shkurtimisht. Kjo është historia me një fjalë, sa domethënëse dhe që mua më ka peshuar goxha në krahët e mi”.”

Ago Agaj një patriot i kulluar, do të udhëtonte në tre kontinente, do të hulumtonte e do të përjetonte eksperienca të pazakonta jetësore, do të jetonte afro gjysmën e jetës me dhimbjen e familjes së mbetur nën robërinë komuniste në Shqipëri, dhe gjithë energjinë e tij intelektuale do ta vinte në shërbim të atdheut, e kryesisht të Kosovës. Ajo pjesë e Shqipërisë së ëndrrave të tij ishte dhe mbeti derisa mbylli sytë preokupimi i tij më i madh, sepse ai e dinte se Kosova ishte dhe ështe çelësi i jetës së kombit dhe siç thote ai vetë "pa Kosovë nuk ka Shqipëri....

Mallëngjim Kosov Skënderaj: “Im gjysh nga ana e mamasë Ago Shero, Emin Aga që quhej ndryshe, pjesëtar i Pavarësisë, po stërgjyshi Agaj komandanti i ushtrisë që mbronte Ismail Qemalin, Ismail bej Vlorës, po ashtu ka qenë qehajai i kësaj familjeje dhe im gjysh pasi mbaroi në Vjenë universitetin për inxhinieri agrare, u rikthye në Shqipëri dhe ka qenë dhe pjesëmarrës në Kongresin e Lushnjës dhe më pas kanë bërë drejtimin e Luftës së Vlorës bashkë me gjithë shpurën e patriotëve nacionalistë vlonjatë dhe përtej asaj.

Bashkë me grupin e intelektualëve të Shqipërisë, që ishin me zë se kishin mbaruar të gjithë universitetet jashtë shtetit, në universitetet më të mira, si në Vjenë, Paris, Romë e kudo.

Kanë zhvilluar shkollat e mesme në gjithë Shqipërinë etnike dhe aq më tepër pastaj dhe u vendos edhe drejtor i Shkollës Bujqësore në Lushnjë dhe...më pas u vendos ministër i Bujqësisë, i Ekonomisë dhe i Financave në Shqipëri dhe pati fatin e keq pasi u largua nga Shqipëria dhe për motivet, me një fjalë, e përplasjes me pjesën tjetër të diktaturës, dhe la 5 vajza dhe të shoqen. Nëna ime ka qenë vajza e dytë, Violeta Skënderaj.”

Sovi thotë se nga ky moment i arratisjes së  gjyshit Ago, jeta për familjen e tij të mbetur në Tiranë do të kishte rrjedhë të ngjashme me shumë prej famljeve të të arratisurve politikë të regjimit komunsit, mes internimeve dhe persekutimit të vazhdueshëm. Ndërkohë Ago, do ta vuloste në zemër dhimbjen për familjen dhe në emigrim do ti shkrinte gjithë energjitë e jetës për çëshjen kombëtare.

Mallëngjim  Kosov Skënderaj: “U arratis, shkoi në Itali dhe pas Italisë shkoi në Egjipt. Atje me një fjalë, me gjithë pjesën e, që kishte shkuar me një fjalë, një pjesë e mirë e të arratisurve nga Shqipëria dhe ndërkohë ka qenë viti 1954, dhjetori i 1954-s, ku këta kanë qenë një delegacion prej 51 personash dhe kanë shkuar në Organizatën e Kombeve të Bashkuara dhe kanë kërkuar me një fjalë që Shqipëria të jetë pjesëtare e Organizatës së Kombeve të Bashkuara, dhe i drejtohen, dhe i thonë që po mirë, si vini ju, - thotë, - kur atje janë kundërshtarët tuaj? Dhe im gjysh i ka thënë: Shqipëria është e shqiptarëve, sot janë ata, nesër janë të tjerë, me një fjalë, vjen momenti që do ndryshohen të gjitha pjesët e strukturave. Në një moment të caktuar ne u pranuam.

Marrë shkas tani nga gazeta “Iliria” dhe aty ku thotë: “Po vdes pa e parë të lirë Kosovën”, thotë që kush do të bashkojë Shqipërinë me Kosovën, do të jetë burri më i mirë historikisht i të tëra kohëve, burri më i madh i të tëra kohërave, me një fjalë, në Shqipëri, si shqiptar. Kur them Kosova, - tha, - them Shqipëria.

Dhe në një moment të dytë e pyet që si i ke pasur marrëdhëniet me regjimin këtu. Thotë: dërgonin shpeshherë njerëz që na survejonin, por që erdhi një moment i caktuar dhe më kërkuan që të më vendosnin në një pozitë shumë të rëndësishme në Shqipëri. Por ata e dinin shumë mirë që unë e njihja mirë çështjen edhe për shkak edhe të, ka bërë librin “Milloshi, heroi i Kosvoës” për luftën e 1389-s, të Fushë-Kosovës.  Ka disa hulumtime pastaj, është edhe një letërkëmbim me një pjesë të inteligjencies shqiptare në atë periudhë, pra të intelektualëve të shquar, letërkëmbime, dhe thotë: me një kusht, - thotë, - që do të vij, por duhet të më shpreheni për Kosovën, me kusht që Kosova duhet të jetë në krahun tonë. Që atë ditë, - tha, - u larguan dhe nuk erdhën më. Pra nuk e donin Kosovën në pjesën e tyre”

Vlorë 1945.  Në qytetin bregdetar, një tregtar i pasur do të vihej nën shënjestrën e regjimit të sapoinstaluar komunist. Ai ishte Shyqyri Skenderaj, gjyshi i Sovit nga babai. Rridhte po ashtu nga një familje patriotike, ku një prej të parëve të tij Hasan Sulo Skënderaj, i njohur ndryshe si Sulo Kanina ishte martirizuar për gjuhën shqipe.

Mallëngjim  Kosov Skënderaj: “Gjyshi im nga Vlora, i ndjeri Shyqyri Skënderaj, pikërisht duke pasur, se ka pasur goxha biznese në Vlorë, dhe dyqan kripe, vajguri, biles edhe guri i çakmakut që ka qenë dikur që ndizej çakmaku, ka qenë monopol shteti, e kishim ne të drejtën ekskluzive që e fusnim, po ashtu ishin edhe lëkurat, ka qenë edhe një manifakturë e gomës së peshkut që bëhej këpuca.Shtëpitë në Karabash ishin 2 palë shtëpi, njëra nga shtëpitë, të dyja ishin 2-katëshe, njëra ishte, në katin e 1-rë ka qenë bibliotekë, në katin e 2-të ka qenë pritja, kurse nga prapa ka qenë një 2-katëshe tjetër, e cila ishte, në katin e 1-rë ishte gatimi që bëheshin, për arsye se ishin familje të mëdha dhe në katin e 2-të ishin fjetinat, pastaj ishte edhe pjesa e bahçes me ullinj etj. Dhe kryesisht kemi pasur edhe nga kalaja e Kaninës deri te liqeni...”

Pikërisht për shkak të pronava të tij  dhe kushteve të ashpra që diktoi regjimi i ri mbi pronën ai kthehet në kundërshtar  të diktaturës.

Mallëngjim  Kosov Skënderaj: “Gjyshi është arrestuar në 1948-n.  Dhe gjyshin e futën 8 vite në burg pse, se nuk jepte pronat e tij. Pra, dhe 4 vite i ka bërë në Burrel dhe 4 i ka bërë në tharjen e kënetës së Maliqit. Kur ka dalë nga burgu, e vendosën, si të them unë ty, që të jetonte si me qira, përballë pronave të tij. Dhe nuk e përballoi dot atë moment. Dhe iu shfaq azotemi në veshka dhe në moshën rreth 61 vjeç ka ndërruar jetë.”

Sovi tregon se edhe babai i tij Skënderi, do të kishte po ashtu  një rrjedhë jete që ja diktonin  këto rrethana. Por deri në vitin 1948, para se të vendoste të arratisej jeta e tij do të ndahej mes Vlores dhe Shkodrës një qytet ku do të kalonte disa vite të jetës së tij në shtëpinë e dajave.  Gjatë Luftës do të ishte i angazhuar fillimisht me Çetën Plakë të Vlorës e më pas me brigadën e V-të. Falë një rrethane njohje të gjyshes së tij me Hysni Kapon e Rrahman Përllakun, të cilët i kishte strehuar,  ai do të kishte mbështetjen e tyre gjatë viteve të Luftës por deri në një pikë, pasi ai nuk mund të përqafonte ideologjinë e tyre dhe nuk mundej po ashtu të binte dakord sesi po e trajtonin komunsitët në fund të luftës çështjen e Kosovës .

Mallëngjim  Kosov Skënderaj: “im atë duke qenë se fillimet e tij i ka pasur me “Çetën Plakë” të Vlorës. dhe më pas, bashkë me disa njerëz të tij e kushërinj të tij.

Në periudhën e pushtimit, te shtëpia e stërgjyshes shkojnë dhe fshihen në shtëpi 2 personazhe shumë të rëndësishëm në lidhje me kohën e luftës. Ishte Hysni Kapo,  gjeneral Parllaku. Kjo e bëri një lidhje më të afërt edhe me Rrahmanin tim atë edhe me Hysni Kapon. Dhe ndërkohë bëhet partizan, me një fjalë me Brigadën V dhe XII Sulmuese. Gjatë asaj kohe kishte përplasje të tij, në kuptimin intelektuale dhe mënyrës se si duhej trajtuar lufta, pse, se lufta nuk është, u bë për çlirimin e vendit, nuk u bë për një ideologji të caktuar apo për një ideologji tjetër. Dhe pati fërkimet e tij ç’është e vërteta. Dhe u largua pastaj nga Vlora dhe shkoi në Shkodër te njerëzit e tij dhe aty filloi, me një fjalë, ai kalvari tjetër që u largua, që shkoi në pjesën e Malit të Zi pra në Podgoricë.”

Ishte vitit 1948.  Kufijtë me Jugosllavinë ishin ende të hapura. Nga Shkodra, ku jetonte prej disa kohësh, Skënderi vendos të arratiset e të kalojë në Kosovë në Pejë, ku vendos të vijojë studimet për filozofi. Por nuk do të zgjaste shumë se në vitin 1950 do të burgosej  për shkak të ndjenjave  dhe angazhimeve të tij atdhetare atje.

Mallëngjim  Kosov Skënderaj: “Ka qenë me një fjalë shok i ngushtë dhe, me një fjalë, edhe shok vërtet ideali me të ndjerin, profesorin Hajrullah Gorani, ish-kryetarin e sindikatave të Pavarura të Kosovës. I ndjeri profesor vazhdonte për Financat, kurse im atë për Filozofi. Aty krijuan grupin e studentëve, kanë qenë 8 studentë. Dhe im atë ishte kryetari i komitetit ilegal të studentëve, kurse Hajrullahu ishte nënkryetar. Dhe pasi bënë gjithë atë aktivitet në lidhje për të ndezur çështjen shqiptare, ranë në arrestimin si grup nga serbët dhe i kanë futur nëpër burgje dhe aty përsëri filloi tani torturat e tjera në lidhje me këtë organizim. Në burg ishte edhe një mjek që ishte, e njihte mirë greqishten, dhe nga ai mësoi edhe greqishten im atë, italishten e kishte me shkrim e këndim se ishte si gjuhë e dytë në familje ajo, serbo-kroatishten e mësoi në Shkodër, pasi edhe në Shkodër është folur goxha ajo gjuha serbo-kroatishte. Dhe metodat e para të italishtes që unë i kam trajtuar me tim atë kanë qenë metoda të gjuhës italiane të françeskanëve, biles ishin të shtypura me makinë shkrimi, edhe ajo koha e paskajores: me punue, me ndërtue”

Sovi tregon se shumë vite pas burgimit të të atit në Nish, ka mësuar prej shokëve të babait, një ngjarje  të rrallë që kishte ndodhur në atë burg, ku protagonist ishte babai i tij.

Mallëngjim  Kosov Skënderaj: “Me 28 nëntori i vitit 1952, ku im atë bashkë me shokët e tij ishin në kampin e përqendrimit të Nishit në Mitrovicë, vendosën të festonin Pavarësinë e Shqipërisë. Festë. Dhe ka marrë bezen e bardhë, ka prerë damarët, e ka ngjyer me gjakun e tij, ka marrë një thëngjill, ka bërë zhgabën dhe me një fill që kanë ngritur flamurin dhe kanë festuar më 1952, 28 nëntor 1952, kanë festuar Pavarësinë e Shqipërisë. Aty pastaj janë masakruar, nuk diskutohet. Iu shtuan si vepra penale, e ku e di unë se çfarë, agjitacionet, problematikat, jo ju doni, me një fjalë, Shqipërinë etnike. Me një fjalë, të këtij karakteri ishin të gjitha, si thirrjet edhe. Im atë pastaj, në bankën e të akuzuarve, ngaqë ishte torturuar, ishte gjithë gjak, merrte gjakun këtej dhe e vendoste në mur, pra shiko çfarë na keni bërë dhe gjyqi ishte gati-gati ndërkombëtar. Pra 4 orë, rreth 40 faqe, i ka shkruar vetë im atë në mbrojtjen e tij, në këtë gjyq. Dhe përfundimisht u dënua me vdekje, e ka jetë të dytë.

Pastaj e dënuan 15 vite, pas 15 vitesh 8 vite e gjysmë përfundimisht. Mbaroi ato dhe e kthyen në Shqipëri. Këtu filloi pastaj përsëri kalvari i persekucionit.”

Ishte fundi i viteve 50-të. Pas lirimit nga burgu i Nishit, Skënderi ishte kthyer në Shqipëri edhe pse e dinte shumë mirë se si po rridhte jeta nën diktaturë në Shqipëri. Në Vlorë po ashtu edhe i ati sapo ishte liruar nga burgjet komuniste.  Por jeta nuk do të ishte më si më parë. Gjithçka kishte ndërruar rrjedhë.  Për patriotët si ai, regjimi  kishte gjithmonë një skenar gati, me survejim e persekutim të pandërprerë.  Në ato rrethana të reja do të njihej e do të martohej me Violetën, vajzën e dytë të Ago Agajt, e cila pas arratisjes së të atit me nënën dhe fëmijët e tjerë do të kalonin vite shumë të vështira në Shqipërinë Komuniste. Nga kujtimet e së ëmës Sovi e ka të plotësuar edhe këtë pjesë të historikut të prindërve. 

Pas arratisjes së Agos, familja e mbetur në Shqipëri: bashkëshortja me 5 vajzat do ti largonin nga shtëpia e tyre në Tiranë dhe do ti internonin. Në atë kohë nëna e Sovit, Violeta ishte vetëm 11 vjeç.

Mallëngjim  Kosov Skënderaj: “Jetonin në Tiranë dhe më pas, rreth moshës 11 vjeçe, u internuan në një nga fshatrat e Mavrovës, Hysoverdhë e Mavrovës. Më 1945, që bëhet regjistrimi i popullsisë,prandaj e lidh me Lushnjën,  pra nëna ka lindur në Lushnjë, por  ndërkohë ia kishin vendosur në regjistrim, pra në certifikatat familjare të periudhës, edhe në ato letërnjoftim që quheshin, lindja: Hysoverdhë. Pra, edhe vendlindjen ta denatyrojnë jo më të tjerat.

Filloi kalvari prej 10 vitesh i internimit të nënës dhe më pas u rikthyen në Vlorë dhe jetonin te lagjja “Lirimi”. Ndërkohë, im atë ishte kthyer nga arratisja. U njoh me nënën time, u fejuan, u martuan dhe në 1959-n që lindi motra e madhe. Pastaj në 1960-n, thashë, në dhjetor, motra tjetër dhe unë në 1.10.1963.|”

Fundi i pjesës së parë