Këtë të martë në orën 20:45 Italia pret Izraelin në Grupin I kualifikues të Kupës së Botës 2026. Ndeshja, e cila zhvillohet në Udine, është një test vendimtar për ekipin e Rino Gattusos, i cili kërkon të sigurojë kualifikimin në Botëror, pas dy mungesave radhazi.
Pas një ndeshjeje të hapur dhe me shumë gola (4-5) kundër Izraelit vetëm një muaj më parë, 'Azzurrët' nuk e marrin lehtë sfidën. Gattuso paralajmëroi se kundërshtarët janë të rrezikshëm në mesfushë dhe mund të shkaktojnë probleme. “Nga mesfusha e tutje, ata janë të fortë, kanë lojtarë që dinë të mposhtin rivalët dhe mund të na shkaktojnë probleme”, tha trajneri italian.
Formacioni dhe mungesat
Për shkak të mungesave të rëndësishme, Moise Kean është jashtë për shkak të dëmtimit dhe Alessandro Bastoni i pezulluar, Gattuso mund të rikthehet te sistemi 3-5-2, edhe pse pranon se nuk është preferenca e tij. “Nuk më pëlqen të luaj me tre në mbrojtje”.
Treshja mbrojtëse mund të përbëhet nga Gianluca Mancini, Giovanni Di Lorenzo dhe Riccardo Calafiori. Në krahët e mesit të fushës do të jenë Dimarco dhe Cambiaso, ndërsa në mesfushë të sigurt për një vend janë Barella dhe Tonali, me Cristante që pritet të marrë fanellën e tretë.
Në sulm, trajneri do t’i besojë Jack Raspadori dhe Mateo Retegui, të cilët kanë treguar jo vetëm aftësi shënimi, por edhe punë të madhe për ekipin.
Gattuso theksoi: “Nuk jam i kënaqur vetëm me golat që po shënojnë, por edhe me punën që bëjnë, ata ndjekin, i afrohen kundërshtarit.”
Atmosfera dhe protestat
Ndeshja do të zhvillohet në një klimë të veçantë, pasi aktivistët pro-palestinezë kanë paralajmëruar një marshim prej të paktën 10,000 personash pranë stadiumit 'Friuli', duke kërkuar pezullimin e ndeshjes dhe masa ndaj Izraelit nga UEFA dhe institucionet sportive italiane.
Tri pikë, një vend në fazën play-off dhe një sfidë ndaj kundërshtarëve të fortë; Italia është gati për të hedhur një hap vendimtar drejt Botërorit 2026.
Renditja e Grupit I kualifikues
Komente





