Italiania i refuzoi dashurinë,Enver
Hoxha i burgosi e vrau të shoqin

Italiania i refuzoi dashurinë,Enver<br />Hoxha i burgosi e vrau të shoqin
Italiani Aldo Terrusi ishte ende fëmijë, kur regjimi i Enver Hoxhës në Shqipëri i burgosi të atin Giuseppe në burgun e Burrelit.

Në këtë burg vdiq pa i dhënë as lamtumirën e fundit të birit dhe të shoqes. Historia tragjike e ish-drejtorit të bankës tregtare të Vlorës në vitet ‘45 dhe familjes së tij që kishte vendosur të jetonte në Shqipëri pasqyrohet në librin e ri “Brenga ime shqiptare”.

Libri i Terrusit i përkthyer nga Elvana Zaimi do të promovohet këtë të enjte nga Instituti Italian i Kulturës në Bibliotekën Kombëtare. 

Historitë reale janë grumbulluar nga dokumentet dhe arkivat gjatë një shtegtimi të mundimshëm në kërkim të origjinës dhe historisë së vet, ku Aldo dhe daja i tij Xhakomo kthehen në Shqipëri pas dyzet e katër vjetësh, ku ra komunizmi. Dëshira e Aldos ishte të kthente në atdhe eshtrat e të atit, por kjo dëshirë bashkohet me pikëllimin e kujtimeve të dhimbshme të familjes Terrusi në Shqipëri dhe vuajtjes së shqiptarëve nga diktatura. 

Nëpërmjet kujtimeve të familjes, dokumenteve origjinale të procesit gjyqësor që iu bë të atit në vitin 1945, Aldo Terrusi ngre në këtë libër akuza për Enver Hoxhën, ku sipas tij diktatori në rininë e tij ka kërkuar të ketë lidhje dashurie me nënën e tij Aurelia. Aldo ka letrat që ia drejtonte asaj. Sipas tij Enver Hoxha u hakmorr, sepse ajo u lidh me Giuseppe Terrusin me të cilin dhe u martua.

Aldo Terrusi vet ka lindur në Vlorë në vitin 1945 nga prindër italianë që bashkëjetuan shumë miqësisht me qytetarët vlonjate. Ai nuk ka si ta shpjegojë ndryshe këtë përndjekje të papritur të babait të tij, ku në arkiva nuk gjen asnjë dëshmi të vërtetuar për akuzat se bashkëpunoi me fashistët apo agjenturat e huaja.

[gallery]20623[/gallery]

Si nisi në Gjirokastër tragjedia e familjes italiane
Edhe pse lindi në Shqipëri, italiani Aldo Renato Terrusi u lejua vetëm pas 44 vjetësh të kthehej ne vendlindjen e tij. E kishte lënë Shqipërinë bashkë me nënën e tij kur ishte vetëm 5 vjeç, ku diktatori Hoxha ia burgosi dhe ia vrau babanë. Pas rënies së diktaturës në vitin 1991 nisi një aventurë e dhimbshme dhe plot brenga e Aldos në kërkim të së kaluarës dhe të eshtrave të babait të tij, i cili vdiq në burg në Burrel. 

Në atë kohë ai shkroi librin me odisenë e familjes së tij italiane në tokën shqiptare, “Rikthimi në tokën e shqiponjave”. Ky libër ka qenë si një lloj ditari për udhëtimet që kishte bërë me dajën e tij në vitin 1993 për të mësuar shumë histori që lidheshin me të kaluarën e familjes së tij. Tragjedia e familjes Terrusi filloi në Gjirokastër, aty ku nëna e tij, Aurelia, ishte vendosur së bashku me familjen në vitet ‘30. 

Kjo familje italiane ishte e detyruar të ikte nga Greqia nga ku kishte emigruar më parë për shkak të gjendjes së luftës mes Italisë dhe këtij vendi. Në librin e ri memuaristik “Brenga ime shqiptare”, Aldo Terrusi (me profesion teknolog fizike, që lindi në Vlorë në vitin 1945 nga prindër italianë), burgosjen dhe vdekjen e të atit ia atribuon “hakmarrjes së Enver Hoxhës për dashurinë e refuzuar nga nëna e tij, Aurelia”. 

Sipas Terrusit, Enver Hoxha kishte rënë në dashuri me vajzën e re italiane, por ajo u dashurua me babanë e tij, qe ishte menaxher i bankës Italo-shqiptare në Gjirokastër. Tragjedia e vërtetë e familjes fillon pas arrestimit të babait të tij, në vitin 1945, kur ishte drejtor i Bankës së Vlorës. Fillimisht u dërgua në burgun e Vlorës dhe më pas në Burrel që nga viti 1949, ku ai vdiq në vitin 1952 dhe u varros sipas dëshmitarëve, në atë vend. 

Aldo Terrusi pas kësaj tragjedie, së bashku me nënën e tij u riatdhesuan, duke kaluar shumë peripeci. E kaluara e dhimbshme i ndiqte pas gjithmonë, ndërsa nëna i tregon edhe shkakun e tragjedisë, së bashku me disa letra të Hoxhës, ku ai i kërkonte të dashurohej me të dhe ajo i thoshte me shumë respekt “që njohja e tyre le të mbetej vetëm një miqësi e mirë”. Aldo me peshën e dhimbjes së nënës së tij pas 44 vitesh, së bashku me dajën e tij James, rikthehen në Shqipëri për të rihapur faqet e së kaluarës dhe për të gjetur eshtrat e babait të tij, të cilat ende nuk i ka gjetur. Terrusi rrëfen në librin e parë se:

“Babai im u largua me familjen nga Castellaneta, qyteti ku jetonte, dhe u vendosën në Shqipëri. Ai kishte qenë në vitet ‘30 zëvendësdrejtor i bankës italiane në Gjirokastër. Në atë qytet kishte edhe një komunitet të vogël italian, ndërsa familja e nënës sime kishte shkuar në Gjirokastër nga Greqia për shkak të luftës Italo –Greke dhe konflikteve qe kishte Italia me Greqinë

Aldo rrëfen se:
“Nëna ime Aurelia kishte njohur Enver Hoxhën, kur ajo jetonte në Gjirokastër. Enver Hoxha kishte rënë në dashuri dhe i kishte kërkuar të kishte lidhje me të. Nëna ime kishte pranuar vetëm miqësinë e tij. Pas kthimit të Enver Hoxhës nga udhëtimi i tij në Paris, ajo e ndërpreu miqësinë. Aurelia u lidh me babanë tim Giuseppe Terrusi në Gjirokastër dhe u martuan në vitin 1936 në Sarandë. 

Im at Giuseppe, u burgos në vitin 1946, kur ishte drejtor i bankës Italo –Shqiptare në Vlorë, me akuzën për shpërdorim të parave të popullit shqiptar. Ato ishin të gjitha akuza të rreme për të cilat ata nuk kanë gjetur dëshmitarë të besueshëm”. Aldo Terrusi ka rrëfyer në librin e parë të tij sesi ai me nënën janë kthyer në Itali si refugjatë në vitin 1949- dhe babai i tij vdiq në burgun e Burrelit në vitin 1952.

(d.b/Shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:

    Si po përballohet situata e krijuar nga zjarret në vend?



×

Lajmi i fundit

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre

Flakët agresive rrezikuan banesat në Finiq, ndërhyrja nga ajri parandaloi shkrumbimin e tyre