Prej 9 muajsh dyshohej se u dogj në makinën e tij në Pukë, gjendet gjallë biznesmeni italian që ngriti në këmbë autoritetet e dy vendeve! U largua ilegalisht nga Hani i Hotit

Merr fund misteri mbi zhdukjen në Shqipëri të biznesmenit italian Davide Pecorelli, e ndryshe nga çfarë dyshohej, ai është gjetur i gjallë në ishullin Elba në Toskana të Italisë. Automjeti që ai kishte marrë me qira u gjet i djegur në Pukë në janar të këtij viti, ku brenda ishte edhe një trup i djegur, por nuk u konfirmua se i përkiste Pecorellit. Ndërkohë ky i fundit u gjet mbrëmjen e djeshme në një gomone në det, ndërsa përgjatë këtyre 9 muajve që rezultonte i zhdukur, ai ishte strehuar në një hotel në ishull.

Pecorelli ka dhënë deklarimet në polici, e më pas u la i lirë, por nuk dihen ende arsyet se përse ai inskenoi të gjithë ngjarjen. Mësohet se ai kishte ndryshuar edhe pamjen e jashtme, në mënyrë që të mos identifikohej në Itali. Paraprakisht dyshohet se ai krijoi këtë skemë për  të fituar siguracionet.

Nga Shqipëria ai u largua në mënyrë ilegale nga Hani i Hotit për të shkuar më pas drejt Italisë, dhe në këtë skemë mashtrimi dyshohet se është ndihmuar edhe nga shqiptarë, kundrejt pagesës. 

Biznesmeni italian, baba i 4 fëmijëve, është shprehur i gatshëm të japë dëshminë e tij në prokurorinë e Perugia, për të sqaruar të gjitha detajet e ngjarjes. Ndërkohë në Shqipëri dhe Itali tashmë janë pushuar hetimet për vrasje dhe Pecorelli do të hetohet për "Mashtrim".

Mësohet se mbetjet kockore të gjetur në automjetin e djegur rezultojnë se janë mbetje kockore të në njeri, dhe dyshohet se janë marrë në një varrë të vjetër në zonë. Mbetjet e gjetura kockore  janë dërguar në Itali për t'u ekzaminuar.

Në fillim të këtij viti, makina që Pecorelli kishte marrë me qira në aeroportin e Tiranës u gjet i shkrumbuar në Pukë dhe brenda automjetit u gjetën edhe mbetjet kockore të një personi, si dhe sende personale të biznesmenit italian. Ngjarja u dyshua si kriminale dhe hetimet u përqendruan te një vrasje e mundshme, ndonëse nuk rezultonte se Pecorelli të kishte patur konflikte me njeri. Ai kishte biznese në Shqipëri ku tregtonte pajisje për sallone bukurie dhe ishte në një periudhë delikate sa i përket të ardhurave, megjithatë nuk kishte informacione se ishte në borxh. Pecorelli ishte martuar me shqiptare, me të cilën kishte edhe një fëmijë. Në Shqipëri për të sqaruar misteret që rrethonin këtë ngjarje erdhën edhe hetues italianë, por pa hedhur dritë. E ndërsa hetuesit punon për të zbuluar se kush e vrau biznesmenin italian në Shqipëri, ngjarjet morën kthesë tjetër mbrëmjen e 17 shtatorit, ku Pecorelli u gjet shëndoshë e mirë, teksa jetonte në një hotel në ishull.

Makina e djegur në Pukë

1631948542_1631945070pecorrelli.jpg

Davide Pecorelli

Ishulli i Montecristo ku do fshihej Pecorelli

 

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 12:11
Dëshmia që i dha fund farsës së Pecorellit, një person e kishte parë të gjallë

Dëshmia e një personi se Davide Pecorelli ishte i gjallë, i ka dhënë fund farsës së biznesmenit italian i cili prej më shumë se 9 muaj qëndronte i fshehur, pa pasur asnjë kontakt me familjarët e tij dhe duke bërë të gjithë të besojnë se kishte humbur jetën në Pukë. Mediat italiane bëjnë të ditur se hetuesit e çështjes kishin zbuluar më parë shenja të cilat tregonin se ai ishte i gjallë.

Madje kryeprokurori, Raffaele Cantone dhe Zëvendësprokurori Giuseppe Petrazzini kishin deklaruar se ata kishin dëshminë e një personi i cili kishte deklaruar se e kishte parë Pecorellin të gjallë.

Biznesmeni italian kishte inskenuar vdekjen e tij tragjike në Pukë, ku kishte djegur makinën të cilën e kishte marrë me qira dhe në të cilën ishin gjetur disa eshtra.

Të dhënat e fundit për Pecorellin ishin disa mesazhe që ai i kishte shkëmbyer me një mik, në të cilin ai theksonte se ai gjendej në Shqipëri për të negociuar me bizneset vendase. 

Ora 10:44
Vdekje e stisur për të përfituar siguracionin për jetën! Si ia rrijnë biznesmenët të mashtrojnë kompanitë e sigurimit dhe jo rrallëherë edhe shtetin?

 

Historia e zhdukjes së mistershme të biznesmenit italian Davide Pecorelli në Shqipëri dhe gjetja e tij plot 9 muaj më vonë ka sjellë edhe njëherë në qendër të vëmendjes një fenomen tejet të njohur në Itali, në veçanti nga biznesmenët të cilët janë në prag të falimentimit, atë të mashtrimit për të përfituar nga siguracionet.

  1. Si bëhet e mundur një gjë e tillë?

Shumë persona për të përfituar nga siguracionet dhe duke përfituar edhe nga lehtësirat në Kodin Civil,  humbasin të gjitha kontaktet me familjarët e tyre dhe kështu pas 10 vitesh mund të arrihet në marrjen e deklaratës së vdekjes së supozuar. Një deklaratë e tillë mund të merret vetëm pas dhjetë vitesh nga dita e fundit kur është deklaruar i zhdukur.

      2. Sa shpesh ndodh një fenomen i tillë në Itali?

Rasti i Pecorellit për të mashtruar kompanitë e siguracioneve nuk është i pari në shtetin fqinjë.  Në 2016 është bërë publike një skemë që biznesmenët italian përdornin sikur ishin rrëmbyer nga grupe terroriste. Ata fillimisht udhëtonin në Turqi aty ku kishin edhe bashkëpunëtorët e tyre në rrëmbimin e rremë, por që më pas ata u ishin dhënë një organizate terroriste të afërt me Al Kaedën në Siri. Mashtrimi i biznesmenëve u zbulua shpejt por ata u mbajtën peng në Siri deri në 2019. Një tjetër operacion i njohur është ai Lazzaro, në të cilin janë konstatuar dhjetëra mashtrime dhe të dyshuarit të cilit ishin shpallur të vdekur, "u ringjallën" dhe shijuan miliona euro të siguracioneve. Gjatë këtij operacioni ata përgatisnin të gjithë dokumentet e nevojshme për inskenimin e vdekjes, krijimin e sa më shumë kontratave të sigurimit të jetës, dokumentet e rreme të vdekjes dhe krijonin llogaritë rrjedhëse për të përfituar paratë. Për ta bërë sa më të besueshme vdekjen ata krijonin situata vdekjeje të tilla që të bëhej e pamundur identifikimi i trupave, ndonjëherë duke djegur makinat dhe duke përdorur eshtra të tjerë. Në këtë operacion janë zbuluar të paktën 60 raste mashtrimi me vlerë të paktën 5 milion euro.

   3. Çfarë ndodh nëse një person mashtron?  

Në rast të simulimit të një aksidenti automobilistik, mashtrimi mund të dënohet nga një në 5 vjet dhe kompania e sigurimit ka të paktën 3 muaj kohë për të dëshmuar pas padisë civile se kanë të bëjnë me një mashtrim. Në bazë të nenit 642 të Kodit Penal Italian, nëse një person mashtron dhe zbulohet dënimi varion nga 1 deri në 5 vjet, nëse një person ia arrin qëllimit dhe merr sigurimin dhe më pas zbulohet dënimi është edhe më i rëndë në varësi të krimit.

Ora 09:09
I biri inskenoi vdekjen e tij, babai i Davide Pecorelli pasi mëson pas 9 muajsh se ai është gjallë: Do ta përqafoj dhe pastaj do t'i tërheq veshët

1610965591_1610964270pecorelli3.jpg

9 muaj pa e parë të birin dhe me dhimbjen se mund të mos e takonte me kurrë, babai i Davide Pecorelli ka folur i emocionuar pasi lajmit se ai ishte gjallë. "Do ta përqafoj, por pastaj do t'i tërheq veshët", ka thënë ai. 86-vjeçari Renato Pecorelli thotë se gjithnjë shpresonte se i biri mund të ishte gjallë, ndërsa lajmin e mirë ja dhe ish-bashkëshortja e Davide.  

"Unë po shpresoja që ai të ishte gjallë, edhe pse kishte kaluar një kohë e gjatë. Ajo menjëherë më tha se kishte folur me Davide -in tim dhe se ai ishte mirë, tani mezi po pres ta shoh përsëri, kështu ai do të më thotë çfarë ndodhi në ato anë. Unë do ta përqafoj fort, por pastaj do t'i tërheq veshët", ka thënë ai.

/r.k./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Iris: 18/09/2021 22:36

    Edhe ketu ne U.S.ndodhi nje ngjarje e ngjashme jo shume kohe perpara.Nje prokuror.Alex Murdaugh e kishte rregulluar me nje kriminel te rendomte qe t'a vriste dhe parate e inshurences t'i merrte djali.Zoteria vertet u plagos rende ne koke,por mbijetoi dhe duke dhene shpjegime u ngaterua me keq dhe tani qe te dy jane arrestuar.Ceshtja e tij eshte shume me teper e komplikuar,por e tregova si shembull.Te pakten ky e kishte vendosur me te vertete te vritej.Gjithashtu ketu ka patur raste kur kane inskenuar rrembime ose zhdukje dhe pastaj jane gjetur ne keto raste pervec akuzave konkrete,policia i ka hedhur ne gjyq edhe per te rikuperuar shpenzimet per gjetjen e ketyre personave nga organet e rendit.Po shoh qe ne rastin e italianit kjo akuze mungon,akuzohet vetem per mashtrim!!

    Përgjigju
  • Tata: 18/09/2021 11:50

    Nuk habitem qe egzistojne maskarenjte,njeriu ka shume fetyra,por habitem pse ca ndertojne shtet ti kapin e ca sduan shtet ti kapin,ketu eshte ndryshimi.

    Përgjigju
  • AltinTop: 18/09/2021 10:24

    Tan Hoxha ta futi Taljoni… sipas informacioneve qe une kam…

    Përgjigju
  • Timi: 18/09/2021 07:51

    Ta varin ne mes te koloseut. Me mashtruesat vijne te ne

    Përgjigju
  • Qwert: 18/09/2021 06:35

    Epo kisha degjuar per italjanet po te arrinin deri ketu ..po paskan qen palaco..i shprehem edhe ngushellime zagarit..papa cpaska qen ...

    Përgjigju
    • Loku: 18/09/2021 14:58

      Italoni eshte nona e mafies o Bir.

    • qwert@: 18/09/2021 07:31

      hahahaha po dhe ti paske qene rrot k, po italianet per keto gjera njihen ne botë..

  • Sondazhi i ditës:

    Kë doni ju që të fitojë zgjedhjet në SHBA?



×

Lajmi i fundit

Projeksionet e Fox News: Vota në 19 shtete, 105 vota elektorale për Trump dhe 72 për Kamala Harris! Gara e fortë

Projeksionet e Fox News: Vota në 19 shtete, 105 vota elektorale për Trump dhe 72 për Kamala Harris! Gara e fortë