Ushtria izraelite vrau 10 palestinezë në aksionin e saj në Bregun Perëndimor të martën. Sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë edhe 40 të tjerë u plagosën në sulmin ushtarak izraelit në Jenin.
Në një deklaratë ushtria izraelite tha se operacioni në Jenin, i koduar "Muri i Hekurt", pritet të zgjasë disa ditë. Tensioni ka qenë i lartë në Bregun Perëndimor për shkak të luftës gjenocidale të Izraelit në Rripin e Gazës, ku të paktën 47,000 viktima janë vrarë, kryesisht gra dhe fëmijë, dhe më shumë se 110,700 të plagosur që nga 7 tetori 2023. Rreth 868 palestinezë janë vrarë dhe mbi 6,700 të plagosur nga zjarri i ushtrisë izraelite në territorin e pushtuar, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Aksioni vjen vetëm 3 ditë pas nisjes së armëpushimit në Gaza, ndërsa autoritetet izraelite pretendojnë se ai synon asgjësimin ë celulave të hamasit dhe islamit xhihadist në këtë pjesë të territorit.
Tensionet e dy ditëve të fundit kanë rritur shqetësimet për prishjen e armëpushimit të cilave iu shtua edhe një sulm në Tel Aviv të martën, ku një shtetas amerikan me prejardhje marokene plagosi 4 izraelitë përpara se të vritej nga policia.