Izraeli voton nesër në zgjedhjet parlamentare, të cilat do të përcaktojnë nëse Benjamin Netanyahu, kryeministri më jetëgjatë në historinë e vendit, do të vazhdojë të qëndrojë në pushtet. Për shumë izraelitë, këto zgjedhje nuk kanë të bëjnë vetëm me emrin e kryeministrit të ardhshëm, por edhe me drejtimin që do të marrë vendi pas disa vitesh luftërash dhe përplasjesh të brendshme.

Sipas një analize të CNN, pothuajse çdo palë zgjedhje në vitet e fundit është kthyer në një referendum për Netanyahun. Por këtë herë, shumë qytetarë e shohin vendimin si më vendimtar se më parë.

Bëhet fjalë për zgjedhjet e para kombëtare që nga sulmi i udhëhequr nga Hamasi më 7 tetor 2023, dështimi më vdekjeprurës i sigurisë në historinë e Izraelit, si dhe luftërat që pasuan në Gaza, Liban dhe Iran.

Për shumë votues, kjo është mundësia e parë për të gjykuar përmes votës drejtuesit që ishin në pushtet gjatë sulmit të 7 tetorit, për të vendosur se kush duhet ta drejtojë vendin në kohë konflikti dhe kush duhet të mbajë barrën e shtuar të shërbimit ushtarak.

Qeveria në largim e Netanyahut, e para në disa dekada që përfundon një mandat të plotë katërvjeçar, është mbështetur te partitë e ekstremit të djathtë dhe ato ultraortodokse, të cilat e kanë shtyrë Izraelin drejt një politike më nacionaliste dhe fetare.

Gjatë kësaj periudhe, Netanyahu u bë kryeministri i parë në detyrë që u përball me një proces gjyqësor për akuza korrupsioni. Qeveria e tij ndërmori gjithashtu një reformë në drejtësi që synonte dobësimin e Gjykatës së Lartë dhe mekanizmave të tjerë të kontrollit të pushtetit, duke shkaktuar protesta masive në vitin 2023.

Në zgjedhjet e nesërme do të vendoset nëse Izraeli do të vazhdojë në këtë drejtim nacionalist, konservator dhe fetar apo do të ndryshojë kurs.

Megjithatë, përgjigjja mund të mos jetë e qartë për javë të tëra, për shkak të mënyrës se si formohen koalicionet qeverisëse.

Kush e sfidon Netanyahun dhe çfarë tregojnë sondazhet?

Në Izrael, qytetarët votojnë për lista partish dhe jo drejtpërdrejt për kandidatë individualë. Sistemi politik pasqyron ndarjet e shoqërisë sipas përkatësisë kombëtare, fesë, etnisë dhe ideologjisë.

Në zgjedhjet e nesërme marrin pjesë 36 parti, por vetëm ato që kalojnë pragun prej 3.25% të votave mund të sigurojnë vende në parlamentin me 120 deputetë, të njohur si Knesset.

Sondazhet sugjerojnë se nga 11 deri në 13 parti mund ta kalojnë këtë prag.

Dy forcat kryesore janë Likud-i i djathtë i Netanyahut dhe Yashar, një parti e re e qendrës, e drejtuar nga Gadi Eisenkot, ish-shef i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë izraelite.

Eisenkot është shfaqur si rivali kryesor i kryeministrit.

Sondazhi më i fundit i televizionit Channel 12 e rendit partinë e tij të parën, me 23 vende në parlament, kundrejt 21 vendeve për Likud-in.

Por sondazhet e tjera japin një panoramë ndryshe. Televizioni Channel 14, i cili mbështet Netanyahun, parashikon 30 vende për Likud-in dhe rreth 20 për partinë e Eisenkotit.

Në pyetjet se cili prej tyre është më i përshtatshëm për postin e kryeministrit, Eisenkot ka ruajtur një epërsi të qëndrueshme ndaj Netanyahut.

Megjithatë, dalja si partia më e madhe nuk mjafton për të marrë pushtetin.

Për të formuar qeverinë nevojiten të paktën 61 deputetë dhe asnjë parti në historinë e Izraelit nuk e ka siguruar e vetme këtë shumicë.

Për këtë arsye, nata e zgjedhjeve zakonisht zgjidh shumë pak. Gara e vërtetë vazhdon më pas me negociatat për krijimin e koalicioneve, të cilat mund të zgjasin ditë, javë apo edhe muaj.

Shumica e sondazheve e vendosin bllokun e Netanyahut, të përbërë nga Likud-i, dy partitë e ekstremit të djathtë të Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir, si dhe dy partitë ultraortodokse, në 49 deri në 55 vende.

Kjo do ta linte koalicionin nën shumicën prej 61 deputetësh.

Nga ana tjetër, opozita duket e fortë në numra, por mbetet e përçarë.

Në të djathtë të Eisenkotit qëndrojnë partitë e ish-kryeministrit Naftali Bennett dhe ish-ministrit të Mbrojtjes Avigdor Liberman, ndërsa në të majtë është Partia Demokratët, e drejtuar nga Yair Golan.

Bennett dhe Liberman nuk e kanë mbështetur Eisenkotin si kandidat për kryeministër, pasi të dy kanë ambiciet e tyre për këtë post.

Sipas sondazheve, çdo qeveri alternative ndaj Netanyahut ka të ngjarë të ketë nevojë për mbështetjen ose abstenimin e partive arabe. Megjithatë, disa drejtues të opozitës e kanë përjashtuar bashkëpunimin me to.

Në këto kushte, mbeten të mundshme disa skenarë: një ngërç politik, një qeveri pakice, një qeveri uniteti kombëtar apo edhe zgjedhje të tjera.

Votat e arabëve dhe partitë e vogla mund të vendosin fatin e qeverisë

Me asnjërin bllok që nuk ka një shumicë të qartë, rezultati mund të varet nga diferenca shumë të vogla votash.

Një rol të rëndësishëm do të luajë fakti se cilat parti të vogla do të arrijnë të kalojnë pragun zgjedhor prej 3.25%.

Vetëm disa mijëra vota mund të përcaktojnë nëse një parti do të hyjë në parlament apo do të mbetet jashtë tij, duke ndryshuar edhe raportin e forcave mes dy blloqeve.

Veçanërisht e rëndësishme pritet të jetë pjesëmarrja e qytetarëve arabë të Izraelit.

Qytetarët palestinezë me shtetësi izraelite përbëjnë rreth 20% të popullsisë së vendit, por tradicionalisht kanë pasur një pjesëmarrje më të ulët në zgjedhje sesa mesatarja kombëtare.

Në vitin 2022, pjesëmarrja e votuesve arabë ishte 53.2%, ndërsa pjesëmarrja e përgjithshme arriti në 70.6%.

Këtë herë, anketuesit presin që pjesëmarrja e arabëve të kalojë 60%.

Një pjesëmarrje më e lartë do të rriste numrin e votave që nevojiten për të kaluar pragun zgjedhor, duke e bërë më të vështirë mbijetesën politike të partive të vogla.

Brenda koalicionit të Netanyahut, disa parti rrezikojnë të mos e kalojnë pragun, përfshirë Sionizmin Fetar të Smotrichit dhe një parti të re të djathtë të drejtuar nga Ofer Winter, një gjeneral i njohur në pension.

Shumica e partive opozitare janë mbi pragun zgjedhor, por një parti tjetër e re, që përqendrohet te çështjet e rezervistëve dhe ekonomisë dhe nuk është rreshtuar me asnjërin bllok, ndodhet pranë kufirit prej 3.25%.

Një tjetër faktor janë izraelitët që jetojnë jashtë vendit.

Izraeli nuk lejon votimin nga jashtë, me përjashtim të personelit diplomatik.

Sipas të dhënave zyrtare, mbi 11% e 7.3 milionë qytetarëve me të drejtë vote, ose rreth 810 mijë persona, jetojnë jashtë Izraelit.

Mijëra prej tyre planifikojnë të udhëtojnë drejt vendit për të votuar personalisht, çka mund të ndikojë në rezultatin përfundimtar.

Kostoja e jetesës shqetëson izraelitët më shumë se lufta me Iranin

Pas disa vitesh luftërash, siguria dhe përgjegjësia politike mbeten çështje kryesore për votuesit. Por sondazhet tregojnë se ekonomia dhe kostoja e jetesës janë gjithashtu ndër shqetësimet më të mëdha, veçanërisht për të rinjtë.

Sipas sondazhit të fundit të Channel 12, 21% e izraelitëve e rendisin ekonominë dhe koston e jetesës si përparësinë kryesore të zgjedhjeve.

Në vendin e dytë është çështja e shërbimit ushtarak për hebrenjtë ultraortodoksë, me 17%, e ndjekur nga dështimi i sigurisë më 7 tetor 2023, me 14%, dhe lufta me Iranin, me 10%.

Megjithatë, përparësitë ndryshojnë ndjeshëm sipas përkatësisë politike.

Mes votuesve të koalicionit të Netanyahut, lufta me Iranin renditet e para, me 21%.

Ndërsa mes votuesve të opozitës, dështimi i 7 tetorit është shqetësimi kryesor, me 28%.

Një sondazh i shtatorit nga qendra kërkimore Achord në Universitetin Hebraik tregoi se 58% e votuesve të moshës 22 deri në 34 vjeç e lidhin vendimin e tyre me koston e jetesës dhe çmimet e banesave.

Vetëm 36% e të rinjve të kësaj grupmoshe përmendën çështjet e sigurisë.

Pavarësisht këtyre shifrave, ekonomia nuk kishte qenë në qendër të fushatës deri në fundjavën e fundit, kur Netanyahu e vendosi atë në krye të diskutimit politik.

Në një intervistë për Channel 10, kryeministri foli për mundësinë e vendosjes së sanksioneve bankare ndërkombëtare ndaj Izraelit, në një kohë kur vendbanimet izraelite në Bregun Perëndimor po përballen me dënime ndërkombëtare.

Netanyahu deklaroi se vendi duhet të përgatitet për këtë mundësi duke zhvilluar “një ekonomi që mund t’i anashkalojë ato”.

Ai tha se po shqyrtohet përdorimi i kriptomonedhave dhe teknologjisë blockchain dhe se kishte kërkuar hartimin e një plani për këtë çështje.

Deklaratat shkaktuan kritika nga ekonomistët, përfshirë edhe një kundërshtim të pazakontë publik nga Banka e Izraelit.

Banka hodhi poshtë idenë, duke deklaruar se “kriptomonedhat nuk mund të shërbejnë si mjet për të anashkaluar sanksionet”.

Rivalët e Netanyahut e paraqitën propozimin si një tregues se kryeministri pret që Izraeli të izolohet edhe më shumë në arenën ndërkombëtare.

Eisenkot e ironizoi idenë duke e quajtur “BibiCoin” dhe e cilësoi si “kërcënim për sigurinë kombëtare”.

Ai akuzoi Netanyahun se po planifikon të “shkatërrojë ekonominë izraelite për brezat e ardhshëm”.

Sulmi i 7 tetorit dhe lufta në Gaza, një nga përplasjet kryesore të fushatës

Netanyahu e ka ndërtuar karrierën e tij politike mbi imazhin e një drejtuesi që mban qëndrim të ashpër për çështjet e sigurisë.

Megjithatë, ai ishte kryeministër më 7 tetor 2023, kur Hamasi depërtoi përtej kufirit izraelit, vrau mbi 1,200 persona dhe mori 251 pengje në Gaza.

Netanyahu ka refuzuar të marrë përgjegjësi personale për dështimet e sigurisë dhe ka kundërshtuar kërkesat për krijimin e një komisioni shtetëror hetimor.

Opozita e ka kthyer mungesën e llogaridhënies në një nga temat qendrore të fushatës.

Lufta në Gaza ka ndikuar edhe personalisht te rivali i tij, Gadi Eisenkot.

Djali i Eisenkotit, Gal, 25 vjeç, u vra gjatë luftimeve në Gaza në dhjetor 2023.

Kjo humbje personale ka ndikuar në mënyrën se si shihet Eisenkot nga votuesit që i japin përparësi sigurisë.

Edhe parti të tjera kanë përfshirë në listat e kandidatëve familjarë të personave të vrarë, të afërm të ish-pengjeve izraelite dhe rezervistë që kanë marrë pjesë në luftimet në Gaza dhe Liban.

Kjo ka sjellë në qendër të fushatës edhe debatin për shërbimin ushtarak.

Shumica e izraelitëve hebrenj mbi 18 vjeç janë të detyruar të kryejnë shërbimin ushtarak, por burrat ultraortodoksë kanë përfituar prej kohësh përjashtim të përgjithshëm për shkak të studimeve fetare.

Partnerët ultraortodoksë të Netanyahut kanë kërkuar ruajtjen dhe zgjerimin e këtij përjashtimi.

Ndërkohë, ushtria izraelite thotë se i mungojnë më shumë se 12 mijë ushtarakë, ndërsa përballet me operacione në disa fronte.

Për të plotësuar mungesat, rezervistët janë thirrur vazhdimisht në shërbim, në disa raste për qindra ditë brenda vitit.

Të gjitha partitë opozitare kanë premtuar vendosjen e shërbimit ushtarak për të gjithë.

Çfarë do të ndryshojë për palestinezët nëse Netanyahu fiton sërish?

Qeveria në largim e Netanyahut ka qenë ndër më të ashpra në historinë e Izraelit për çështjet palestineze, kryesisht për shkak të ndikimit të dy drejtuesve të ekstremit të djathtë, Bezalel Smotrich dhe Itamar Ben-Gvir.

Smotrich, ministri i Financave, i cili mbikëqyr edhe administratën civile në Bregun Perëndimor të pushtuar, ka nxitur zgjerimin e vendbanimeve izraelite.

Ai gjithashtu ka bllokuar transferimin e të ardhurave tatimore drejt Autoritetit Palestinez, një veprim që, sipas kritikëve, mund të shkaktojë kolapsin ekonomik të këtij institucioni.

Ben-Gvir, ministri i Sigurisë Kombëtare, ka mbështetur një ligj për dënimin me vdekje, ka ashpërsuar kushtet për të burgosurit palestinezë dhe ka dobësuar ndërhyrjen e policisë kundër dhunës së kolonëve izraelitë në Bregun Perëndimor.

Të dy kanë kundërshtuar përfundimin e luftës në Gaza dhe mbështesin krijimin e vendbanimeve izraelite edhe në këtë territor.

Ata gjithashtu kërkojnë aneksimin e plotë të Bregut Perëndimor dhe vendosjen e kontrollit hebre mbi të.

Nëse Netanyahu rikthehet në pushtet me të njëjtët partnerë, analiza e CNN vlerëson se kjo politikë ka gjasa të vazhdojë dhe të ashpërsohet.

Smotrich kërkon anulimin e Marrëveshjeve të Oslos, shpërbërjen e Autoritetit Palestinez dhe nisjen e një lufte në Bregun Perëndimor.

Ndërsa Ben-Gvir, i cili ka deklaruar se do të kërkojë Ministrinë e Mbrojtjes në një qeveri të re, ka bërë thirrje për largimin e palestinezëve nga Gaza dhe Bregu Perëndimor.

Megjithatë, edhe një qeveri e drejtuar nga opozita nuk pritet të sjellë një ndryshim rrënjësor të qëndrimit ndaj çështjes palestineze.

Eisenkot, ashtu si Netanyahu, e ka kundërshtuar krijimin e një shteti palestinez.

Për më tepër, çdo koalicion opozitar do të përfshinte edhe parti të djathta që kundërshtojnë lëshimet ndaj palestinezëve.

Sipas analizës së CNN, një qeveri që nuk do të varej nga Ben-Gvir dhe Smotrich mund të ndërmerrte masa më të forta kundër dhunës së kolonëve izraelitë.

Ajo mund të hiqte dorë edhe nga mbështetja e hapur për largimin e palestinezëve dhe shpërbërjen e Autoritetit Palestinez, si dhe të tregonte më shumë gatishmëri për të bashkëpunuar me nismat amerikane dhe rajonale për Gazën.

Por problemet kryesore do të mbeteshin të pazgjidhura.

Mes tyre janë çarmatimi i Hamasit, rindërtimi i Gazës dhe rikthimi i rendit dhe sigurisë në Bregun Perëndimor.

Trump mbështet Netanyahun, por Izraeli përballet me izolim ndërkombëtar

Luftërat në Gaza dhe Liban, konflikti me Iranin dhe rritja e dhunës së kolonëve izraelitë kanë dobësuar ndjeshëm pozicionin diplomatik të Izraelit.

Sipas CNN, marrëdhëniet ndërkombëtare të vendit janë në një nga momentet më të dobëta të dekadave të fundit.

Netanyahu përballet me një urdhër arresti nga Gjykata Penale Ndërkombëtare për akuza për krime lufte në Gaza.

Për këtë arsye, ai shmang udhëtimet në shumicën e vendeve evropiane, për shkak të rrezikut të arrestimit.

Presidenti amerikan Donald Trump e ka mbështetur publikisht Netanyahun përpara zgjedhjeve.

Megjithatë, qëndrimi i opinionit publik amerikan ndaj kryeministrit izraelit është shumë më pak pozitiv.

Një sondazh i Pew Research Center, i zhvilluar në mars 2026, tregoi se 60% e të rriturve amerikanë të anketuar kishin një opinion negativ për Izraelin.

Ndërkohë, 59% deklaruan se kishin pak ose aspak besim te Netanyahu për të marrë vendimet e duhura në çështjet ndërkombëtare.

Edhe sondazhi ndërkombëtar i Pew Research Center gjatë pranverës së vitit 2026 tregoi se shumica e të anketuarve në pjesën më të madhe të 36 vendeve të përfshira kishin qëndrime negative ndaj Izraelit dhe kryeministrit të tij.

Ndryshimi ka qenë veçanërisht i dukshëm në Evropën Perëndimore.

Disa vende, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën dhe Kanadanë, kanë njohur shtetin palestinez dhe kanë vendosur sanksione e kufizime tregtare ndaj vendbanimeve izraelite dhe personave apo organizatave të lidhura me dhunën e kolonëve.

Ben-Gvir dhe Smotrich janë vendosur personalisht nën sanksione dhe përballen me ndalime udhëtimi nga disa vende perëndimore.

Sipas analizës së CNN, nëse Netanyahu rizgjidhet dhe vazhdon të qeverisë me partnerët aktualë, presioni ndërkombëtar ndaj Izraelit ka gjasa të rritet.

Nga ana tjetër, një qeveri e drejtuar nga Eisenkot ose një tjetër figurë e opozitës mund të sillte një zbutje fillestare të tensioneve.

Masa më të vendosura kundër dhunës së kolonëve mund të krijonin mundësi për përmirësimin e marrëdhënieve me disa qeveri evropiane dhe me Partinë Demokratike në Shtetet e Bashkuara.

Megjithatë, CNN vlerëson se një ndryshim qeverie nuk pritet ta përmbysë plotësisht prirjen aktuale.

Kandidatët kryesorë të opozitës nuk pritet të ndryshojnë rrënjësisht politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së Izraelit.

Për këtë arsye, edhe nëse Netanyahu largohet nga pushteti, qeveria e ardhshme do të trashëgojë të njëjtat sfida në Gaza, Bregun Perëndimor dhe marrëdhëniet me komunitetin ndërkombëtar.

Përgjigjja se kush do ta drejtojë Izraelin pas zgjedhjeve të nesërme mund të kërkojë javë ose muaj negociatash. Me dy blloqet kryesore që nuk kanë një shumicë të sigurt dhe me disa parti të vogla pranë pragut zgjedhor, votimi mund të hapë një tjetër periudhë ngërçi politik në vend.