Dhe e quajnë armëpushim. Hezbollah po godet veriun e Izraelit me dronë me fibra optike, ndërsa Netanyahu ka urdhëruar trupat të kalojnë “yellow line” dhe të avancojnë sërish mbi lumin Litani. Bombardime janë regjistruar në jug të Libanit dhe në Luginën Bekaa, ndërsa janë dhënë urdhra evakuimi për 19 fshatra. Të paktën 30 persona kanë humbur jetën, mes tyre edhe dy fëmijë. Megjithatë, formalisht armëpushimi vazhdon të jetë në fuqi dhe negociatat në Uashington mes Libanit dhe Izraelit po vijojnë.

Po intensifikojmë operacionet tokësore dhe po forcojmë zonën tampon në Liban për të mbrojtur komunitetet tona në veri”, deklaroi kryeministri izraelit Netanyahu pas takimit me drejtuesit e mbrojtjes. “Po punojmë për zgjidhje inovative kundër dronëve shpërthyes”.

Hezbollah po përdor një armë të testuar më parë në Ukrainë, që ka surprizuar Forcat Mbrojtëse të Izraelit (IDF): dronë të vegjël të komanduar jo përmes sinjaleve radio, rrjeteve celulare apo satelitëve, por përmes kabllove të hollë me fibra optike, të cilët shmangin sistemet elektromagnetike të përgjimit. Ata quhen FPV (First Person View) dhe drejtohen me syze digjitale të ngjashme me ato të videolojërave. “Mesatarisht kablli është 15 kilometra, por me dronët më të mëdhenj arrin deri në 25 kilometra”, shpjegon gjenerali izraelit në pension Giora Eiland, ish-drejtor i Këshillit Kombëtar të Sigurisë. “Me këta dronë, Hezbollah ka arritur të vrasë tashmë 11 ushtarë”.

Shtabi i përgjithshëm izraelit u kap i papërgatitur, aq sa — sipas transmetuesit publik Kan — u detyrua të kontaktojë peshkatarët e Detit të Galilesë për të marrë rrjeta peshkimi dhe për të ngritur barriera mbrojtëse për mjetet dhe pozicionet ushtarake. Megjithatë, duket se kjo nuk mjafton. “Edhe sot, 50 për qind e dronëve FPV arrijnë objektivin”, tha gjenerali Eiland.

Për këtë arsye, IDF mori urdhër të avancojë drejt Nabatiyeh dhe urdhëroi evakuimin e zonës, duke kaluar vijën e verdhë pas së cilës ishte pozicionuar pas armëpushimit të 16 prillit. Kjo vijë shënon një zonë pushtimi rreth 10 kilometra të thellë në territorin libanez. Logjika është e njëjtë me “yellow line” në Gaza, por aktorët në terren janë të ndryshëm. Ndryshe nga Hamasi — që dje u godit nga një sulm ajror në Gaza ku mund të ketë humbur jetën Mohammed Odeh, i emëruar komandant i Brigadave Qassam vetëm një javë më parë — milicia shiite vazhdon të godasë rëndë.

Në nëntë ditët e fundit, paralelisht me bllokimin e negociatave mes SHBA-së dhe Iranit, Hezbollah ka intensifikuar sulmet dhe ka zgjeruar zonën e veprimit: më parë fokusohej te trupat izraelite në Liban, ndërsa tani po godet edhe komunitetet izraelite përtej kufirit. “Për të ushtruar presion ndaj amerikanëve, Irani, si gjithmonë, ka aktivizuar aleatët e tij”, thotë Sarit Zehavi, presidente e qendrës gjeopolitike Alma. “Forcat tona të armatosura duan të rifillojnë ofensivën ndaj Bejrutit, ku Hezbollah ka komandat, por nëse kjo ndodh, Irani do ta fajësojë Izraelin për dështimin e negociatave me SHBA-në”.

Jo rastësisht, Trump në një bisedë telefonike me Netanyahu ka dhënë miratimin për operacionin tokësor, por jo për bombardimin e kryeqytetit libanez./La Repubblica