Ushtria izraelite ka hartuar plane për të nisur operacione të reja masive dhe intensive ushtarake në Gaza në muajin mars”, me një ofensivë të përqendruar në Qytetin e Gazës, që synon ta shtyjë vijën e verdhë të demarkacionit të armëpushimit drejt bregdetit të enklavës, duke zgjeruar më tej kontrollin mbi territorin.
Kështu shkruan Times of Israel, duke cituar një zyrtar izraelit dhe një diplomat arab. Sipas këtij të fundit, megjithatë, operacioni nuk mund të nisë pa miratimin e Shteteve të Bashkuara, të cilat ende po përpiqen ta çojnë armëpushimin e brishtë të arritur në tetor drejt një faze të dytë, që do të përfshinte çarmatimin e Hamasit.
Kryeministri Benjamin Netanyahu, shkruan gazeta, “ka pranuar” gjatë takimit të tij me Donald Trump muajin e kaluar të bashkëpunojë në përpjekjet për avancimin e armëpushimit, “por nuk beson se do të arrijnë ta çarmatosin Hamasin dhe për këtë arsye ka ngarkuar Forcat e Mbrojtjes së Izraelit (IDF) të përgatisin një plan emergjence”.
Përgatitjet për një ofensivë të re konfirmohen edhe nga burime të tjera, këtë herë për Wall Street Journal, sipas të cilave “Izraeli dhe Hamasi po përgatiten për një rifillim të përplasjeve, pasi grupi militant palestinez refuzon të çarmatoset”.
Në Gaza, “Hamasi po përqendrohet në rindërtimin e kapaciteteve ushtarake, përfshirë pjesë të infrastrukturës së tij të tuneleve që janë dëmtuar”. Për më tepër, “ka marrë gjithashtu një fluks të ri fondesh që i ka mundësuar të paguajë rregullisht pagat e luftëtarëve të tij”.
Komente








