/ATSH/ Çdo ditë, dy komunitetet më të margjinalizuara, ai rom dhe egjiptian ne vendin tone, hasen me problematika, të cilat vështirësojnë jetesën e tyre.
Komuniteti rom dhe egjiptian bëjne pjesë në ato komuniteti ku prirja e popullsisë së tyre është gjithmonë në rritje në krahasim me popullsinë në shumicë.
Si pasojë e ritmeve më të larta të lindjes, komuniteti rom dhe egjiptian është më i ri në moshë se popullsia në shumicë. Mosha mesatare e komuniteteve rome dhe egjiptiane është përkatësisht 25.6 dhe 28.7 vjeç.
Vajzat martohen në një moshë më të re dhe bëhen nëna më shpejt se grupet e tjera etnike. Ndërkohë, madhësia mesatare e familjes është 4,6 anëtarë për romët e 4,2 anëtarë për egjiptianët dhe është zvogluar në krahasim me disa vite më parë, si pasojë e uljes së fertilitetit, migrimit të brendshëm dhe të jashtëm.
Sakaq, kushtet e vështira të jetesës, mungesa e infrastrukturës, varfëria dhe mbi të gjitha, qasja e kufizuar e tyre në shërbimet shëndetësore, ndikojnë drejtpërdrejtë në jetëgjatësinë relativisht të ulët të tyre.
Sipas një studimi të Qendrës për Studimet Ekonomike dhe Sociale që operon në Shqipëri (Center for Economic and Social Studies), në bashkpunim me Unitet Nation Development Goals, është bërë e ditur se vetëm 58% e romëve dhe 76% e egjiptianëve shprehen se kanë libreza shëndetësore dhe marrin shërbime në qendrën shëndetësore.
Një nga arsyet është varfëria e familjeve, të cilat nuk mund të paguajnë për sigurimet shëndetësore. Ndërkaq, 37% e romëve dhe 20% e egjiptianëve shprehen se nuk dinë ku ta marrin librezën shëndetësore dhe nuk i njohin procedurat. Pagesat informale, për të cilat shprehen 83% e romëve dhe egjiptianëve, janë një pengesë tjetër për përfitimin e shërbimeve.
Shumë familje rome dhe egjiptiane, për shkak të varfërisë, mbështeten edhe në burime të tjera alternative të ardhurash si, ndihma ekonomike, pensionet për të moshuarit, pagesa e papunësisë, pagesa për aftësinë e kufizuar dhe pensionet për jetimët. Nga njëra anë, këto transferta financiare nga qeveria janë të pamjaftueshme për të plotësuar nevojat familjare. Ndërsa nga ana tjetër, shumë familje rome e egjiptiane janë të përjashtuara nga përfitimi i asistencës shtetërore ose nga marrja e kësaj asistence për aq kohë sa është e nevojshme.
Githashtu, sipas të dhënave të studimit, niveli i lartë i papunësisë, është karakteriste për këto dy komunitete, përkatësisht, niveli i papunësisë për romët (50.3%) dhe egjiptianët (57.6%).
Ndërkaq, thuajse 1/3 e tyre kanë qënë të papunë për më shumë se 1 vit. Përqindja e të papunëve të regjistruar në zyrat e punës është shumë e ulët (20.7% romët dhe 29.9% egjiptianët). Rreth 90% e romëve dhe egjiptianëve nuk kanë kontrata pune dhe nuk paguajnë sigurime shoqërore. Sipas UNDP (Unitet Nation Development Goals), kjo argumentohet me faktin se këto dy komunitete përjashtohen nga shoqëria. Si pasojë e përjashtimit social nga tregu formal i punës, romët dhe egjiptianët punojnë në tregun informal të punës, kryesisht në mbledhjen e hekurishteve, në tregtinë e rrobave të përdorura, punët e rastit, ndërtim dhe lypje. Këto punë sigurojnë të ardhura të pamjaftueshme për familjet e tyre. Megjithatë, edhe këto të ardhura janë në rënie, çka shkakton një stres të fortë emocional. Rrjedhimisht, nëse alternative të reja nuk zhvillohen, mirëqënia e ardhshme ekonomike e tyre është në rrezik.
Papunësia masive dhe afatgjatë në sektorin formal i detyron romët dhe egjiptianët të punojnë në sektorin informal. Kur të ardhurat nga puna formale dhe informale janë të pamjaftueshme për të përballuar nevojat e jetës së përditshme, romët dhe egjiptianët përpiqen të migrojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali. Edhe në Shqipëri, sikurse në botë, migrimi ndërkombëtar është një nga mekanizmat kryesorë që përdorin romët dhe egjiptianët për përballimin e varfërisë dhe të përjashtimit social.
Llojet kryesore të punës së migrantëve ndërkombëtarë janë mbledhja e hekurishteve, bujqësia, puna e rastit, ndërtimi, lypja dhe tregtia e rrobave të përdorura, por asnjëra prej tyre nuk siguron aq të ardhura për familjet migrante që ato të dalin nga varfëria. Thuajse 47% e familjeve rome dhe 80% e atyre egjiptiane që kanë migrantë thonë se marrin remitanca nga të afërmit e tyre. Këto remitanca përdoren kryesisht për të plotësuar nevojat e konsumit të përditshëm të familjeve, në vend që të kursehen apo investohen. Ky përdorim i remitancave të migracionit ndërkombëtar zbut, në afat të shkurtër, varfërinë e shumë familjeve që i përfitojnë, por ngaqë nuk krijon vende të reja pune, rrjedhimisht ai forcon, në afat të gjatë, varfërinë dhe përjashtimin social.
Shumë nga fëmijët që migrojnë jashtë vendit nuk frekuentojnë shkollën dhe një pjesë e migrantëve ndërkombëtarë nuk janë përfshirë në skemat e pensioneve. Për më tepër migrimi ndërkombëtar i ndan familjet, çka çon në pasoja të tjera ekonomike negative.Por cili është niveli arsimor i komunitetit rom dhe egjiptian?
Aktualisht 40.3% e popullsisë rome dhe 12.7% e popullsisë egjiptiane, 8 vjeç e sipër, janë analfabetë. Ndërkohë që rreth 61% e familjeve rome dhe 57% e atyre egjiptiane shprehen se ndeshin vështirësi në arsimimin e fëmijëve.
Prindët romë dhe egjiptianë rendisin disa shkaqe që lidhen kryesisht me varfërinë. Vështirësia për të blerë librat dhe artikujt shkollorë, mungesa e rrobave të përshtatshme, kushtet e vështira të jetesës dhe mungesa e infrastrukturës, kontributi që duhet të japin në rritjen e të ardhurave të familjes, përkujdesja ndaj motrave dhe vëllezërve më të vegjël etj, janë disa nga pengesat kryesore për arsimimin e fëmijëve. Krahas tyre, ekzistojnë edhe pengesa institucionale, ashtu si dhe pengesa që lidhen me traditat dhe kulturën e romëve. Diskriminimi është gjithashtu një barrierë tjetër për arsimimin e fëmijëve.
Të dhënat e anketës tregojnë se 26.8% e fëmijëve romë dhe 44.4% e fëmijëve egjiptianë, të moshës 3 deri 6 vjeç, shkojnë në kopsht. Fëmijët që më parë kanë frekuentuar kopshtin përshtaten më mirë me mjedisin e shkollës, kur shkojnë në shkollën fillore, dhe kanë më pak vështirësi në përvetësimin e mësimeve. Edukimi parashkollor është edhe një hallkë e rëndësishme për mësimin siç duhet të gjuhës shqipe. Përfshirja e të gjithë fëmijëve në sistemin parashkollor, që duhet të jetë i detyrueshëm për të gjitha familjet, duhet të jetë edhe një nga prioritetet në politikat arsimore.
Ndërkohë që sipas Ministrisë së Arsimit, përgjatë vitit 2014-2015 janë regjistruar 1601 romë më shumë sesa vitin e kaluar në arsimin parauniversitar. Ndërsa në arsimin parashkollor janë regjistruar 921 fëmijë më shumë se një vit më parë. Edhe pse në qershor tè 2014, anëtarët e  komunitetit rom dhe egjiptian  mundën të përfitojnë për herë të parë nga skema e ndihmës ekonomike, vëmendja dhe gjithpërfshirja qe ky komunitet kërkon, kalon punën e bëre deri me tani për ta.