Arben Frroku, personi që Prokuroria e Krimeve të Rënda e akuzon si të dyshuarin kryesor në vrasjen e kryepolicit Dritan Lamaj rezulton me precedente penale, kryesisht në trafikun dhe shfrytëzimin e prostitutave në Belgjikë.  Në vrasjen e Dritan Lamaj në 24 shkurtit të 2013, Arben Frroku u indetifikua falë një dëshmitari të quajtur Fatmir Vladi. Ky i fundit kishte mundur ta njihte Frrokun brenda në makinën tip BMW, prej nga u qëllua me dy breshëri automatiku Dritan Lamaj.
 
Si lindi konflikti mes Arben Frrokut dhe ish-kryekomisarit të Policisë së Shtetit Dritan Lamaj?
Konflikti mes dy personave ka nisur gjatë kohës kur Lamaj drejtonte komisariatit nr.6 në Tiranë. Herë pas here Lamaj ka kryer kontrolle në biznesin e Frrokut, që njihet ndryshe si “AML” në Kombinat. Pas këtij konflikti, Lamaj filloi të kërkonte informacione shtesë për një vrasje të kryer në Belgjikë nga Arben dhe Mark Frroku, të cilët aty ishin prezantuar si vëllezërit Krasniqi nga Kosova.
 
A e kishte ndier rrezikun Dritan Lamaj, për një vrasje të mundshme nga Frrokët?
Sigurisht që e kishte ndier. Kjo pasi sipas dëshmisë së motrës së tij në gjykatë, i vëllai i kishte pohuar herë pas herë që të kishte kujdes, pasi kishte probleme serioze me Arben Frrokun.
 
Kush është dëshmitari që është dënuar me 6 muaj burg për dëshmi të rremë në procesin gjyqësor kundër Arben Frrokut?
 
Njëri nga dëshmitarët e procesit ndaj Arben Frrokut është dënuar me 6 muaj burg për akuzën e “Dëshmisë së Remë”.Ish-gardisti Ylli Mema, ka dëshmuar në sallën e gjyqit të kundërtën e thënieve që kishte deklaruar para prokurorëve. Emri i ish-gardistit Mema ka dalë nga dëshmitari kryesor Fatmir Vladi, i cili ka pohuar se Mema e kishte ndihmuar për të gjetur disa numri kontakti të oficerëve të lartë të policisë së shtetit, si Agron Kuliçaj dhe Tonin Vocaj. Ky fakt u vërtetua dhe nga Mema në fazën e pyetjes në prokurori, ndërkohë në gjykatë ka deklaruar të kundërtën. Nisur nga kjo situatë,pak ditë më parë gjykata ka shpallur fajtor Meminë, duke e dënuar me 6 muaj burg.

Redaksia online
(S,M/shqiptarja.com)