TIRANË  - Prokuroria e Krimeve të Rënda ka arrestuar sot 15 persona, ndërmjet tyre disa biznesmenë shqiptarë, të cilët dërgonin shqiptarë si emigrantë ilegalë në Shtetet e Bashkuara kundrejt pagesës 24 mijë euro për person.

Policia e Shtetit ka njoftuar se "operacioni pёr ndalimin e tyre ёshtё shtrirё njёkohёsisht nё 6 rrethe tё vendit, nё Tiranё, Kavajё, Shkodёr, Malёsi e Madhe, Durrёs dhe Elbasan dhe gjatё 24 orёve tё fundit ka ekzekutuar 10 urdhёra ndalimi nё Tiranё dhe 5 urdhёra ndalimi nё Shkodёr.

Të arrestuarit janë:
  1. Pashko Jak Nilaj, vjeç 52, banues nё  Kamicё, Malёsi e Madhe
  2. Prel Maç Micaj, vjeç  60, banues nё Bajzё Malёsi e Madhe
  3. Ali Bajram Metvelaj, vjeç 53, banues nё Koplik Malёsi e Madhe Shkodёr
  4. Gjergj Nik Martinaj vjeç 49, banues nё Shkodёr
  5. Filip Gjergj Kertunga, vjeç 55, banues nё Velipojё Shkodёr
  6. Fatmir Zyhdi Bakalli, vjeç 53, banues nё Tiranё
  7. Enver Karaj, vjeç 50, banues nё Shkozё Tiranё
  8. Fatos (Dashnor) Osmen Fasko,  vjeç 44,  banues nё Fier
  9. Nertil  Axhem  Pervizi, vjeç 40, banues nё Delogozhd, Strugё Maqedoni
  10. Fatmir Rasim Flaga, vjeç  58, banues nё Tiranё
  11. Nikoll  Pal Kolaj vjeç 49, lindur nё Puke dhe banues nё Tiranё
  12. Zaim Ferit Hysenbelliu, vjeç 53, banues nё Tiranё
  13. Durim Fuat Koxha, vjeç 56, banues nё Tiranё
  14. Gezim Idriz Tafaj, vjeç 44, lindur nё Viçidol dhe banues nё Tiranё,
  15. Alfred Xhezmi Myrtaj,vjeç 50, banues nё Tiranё
 Njëkohësisht, ёshtё shpallur nё kërkim 28-vjeçari Lek Maç Micaj, banues nё Bajzё të Malёsisë së Madhe.

Nё momentin e ndalimit,"- vë në dukje Policia, - " shtetasit maqedonas Nertil Perzvizi iu sekuestruan 58 500 dollarё, ndёrkohё që Zaim Hysenbelliut iu sekuestruan 10150 dollarё; Nikollё Kalajt, gjatё kontrollit nё banesё, iu gjet njё armё zjarri automatik dhe njё sasi municioni luftarak."

Prokuroria  ka bërë të ditur se ky grup kriminal ishte mjaft i strukturuar dhe konspirativ.  Sinjalimi për këtë trafik është bërë nga FBI-ja, që ka vënë në lëvizje Prokurorinë Shqiptare për të hetuar të përfshirët në këtë trafik.
 
Skema e trafikut ishte Tiranë - Maqedoni; nga Maqedonia në Bullgari, ku pajiseshin me dokumenta bullgare të rreme dhe më pas, dërgoheshin në Meksikë; nga Meksika, ata hynin në territorin e SHBA.
 
Ata kishin kohë që operonin në këtë linjë trafiku dhe deri më sot kanë nisur deri në 50 vetë.
 
Këtë çështje janë duke e hetuar, prokurorët: Përparim Kulluri, Elisabeta Imeraj dhe Ervjola Stojaka; hetimet janë në vazhdim, pasi përveç të arrestuave ka edhe persona të tjerë të përfshirë.
 
Redaksia online
(ar.sh/Shqiptarja.com)