Ja kush është Damir Fazlliç dhe
lidhjet e tij me Sali Berishën

Ja kush është Damir Fazlliç dhe<br />lidhjet e tij me Sali Berishën
Në intervistën e tij të parë që nga tetori 2008, biznesmeni boshnjak Damir Fazlliç i përgjigjet thashethemeve dhe aludimeve për aktivitete kriminale, të cilat kanë shoqëruar të gjithë karrierën e tij, zbulon se si u bë një figurë me ndikim në Ballkan dhe më gjerë, si dhe flet për planet e tij madhështore për të ardhmen.

Asgjë nuk është ashtu siç duket në botën prej thrilleri me spiunë të Damir Fazlliç. Boshnjaku është cilësuar si agjent i CIA-s, trafikant mbetjesh bërthamore, pastrues parash dhe biznesmen kontrovers; këto akuza, shpesh me shumë pak fakte, nuk janë provuar kurrë.

Në të njëjtën kohë, ai ka lidhje me disa nga politikanët dhe biznesmenët më të fuqishëm në Ballkan dhe Uashington DC, si dhe ka punuar në një numër të madh fushatash elektorale të rëndësishme, madje është përmendur edhe si kryeministër i mundshëm në të ardhmen i  Bosnje dhe Herzegovinës.

“Jam ekzaktësisht ai që ti mendon se jam”, pretendon sekseri boshnjak në mënyrë enigmatike në profilin e tij në Twitter, por identiteti i 38 vjeçarit varet shumë nga këndvështrimi.

Duke qendruar në mjediset luksoze të një hoteli me pesë yje në Londër, Fazlliç u duk rehat me stilin e tij të shtrenjtë të jetesës – një ekzistencë që ai e pëlqen në kontrast me statusin e tij prej emigranti boshnjak.

Historia e Fazlliçit është një botë krejt tjetër nga ajo e bashkëatdhetarëve të tij që ikën nga vendi duke kërkuar shpëtim nga vrasjet dhe përdhunimet. Boshnjaku, fëmijë i një martese të përzierë serbo-muslimane, la atdheun e tij para luftës për të marrë një vend në një nga shkollat më të shtrenjta dhe prestigjoze të botës dhe jo një jetë pjatalarësi të varfër.

Teksa ulej për një bisedë dyorëshe në hotelin Mayfair’s Connaught, me ‘buzëqeshjen e tij hollivudiane’ dhe shikun e shoqërisë së lartë, ai dukej si ndërmjetësi i pushtetit që udhëton dhe bën pazare nëpër holle hotelesh.
Por megjithëse me vetëbesim dhe i prerë, intervista e tij me Rrjetin Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN) qe e para që ai dha që nga tetori 2008, kur një hetim për pastrim parash u hap kundër tij në Shqipëri. Ai refuzoi gjithashtu të fotografohet duke pretenduar se është “i turpshëm para aparatit fotografik”.

fazllic










Ai lëviz mes Uashingtonit – ku ka nën pronësi një apartament multimilionësh në Ritz; Virxhinia, nga ku bashkëshortja e tij me shumë lidhje boshnjako-amerikane Amra ka preardhjen - dhe Aspen, ku deri së fundmi ai kishte një apartamnet në zonën më prestigjoze të resortit të skive.

Por ai theksoi se sërish ka një “bazë në Europë”, ku ai fiton pjesën më të madhe të parave për të paguar për jetën e tij luksoze, duke përdorur, dhe abuzuar sipas pretendimeve të disave, librin e tij të artë të kontakteve për të hapur dyert e Ballkanit për investitorët perëndimorë. Ai e quan këtë akses.

Fazlliç krenohet për 15 kompanitë e tij nëpër botë, por ai është gjithashtu i zellshëm në fshehjen e marrëveshjeve të tij të biznesit nën sekretin e ofruar nga parajsat fiskale. BIRN arriti të gjurmojë disa nga këto kompani në Britaninë e Madhe, Shqipëri, Qipro dhe SHBA, ku shumica e të cilave dukej se qenë inaktive dhe asnjëra nuk po gjeneronte fitime të mëdha.

Dokumente të siguruara nga BIRN, gjithsesi, tregojnë se ai mori 50 herë avionë privatë për të udhëtuar vetëm drejt Shqipërisë mes viteve 2005 dhe 2008, me një kosto prej së paku 500 mijë eurosh. Një ish kolegu i tij i biznesit zbuloi gjithashtu se ai qe i gatshëm të merrte me qera një avion privat për 20 mijë dollarë për ta dërguar familjen e tij për pushime.

fazllic 2













Ndërsa punonte me ish-kryeministrin e Shqipërisë Sali Berisha dhe po ndërtonte biznesin e tij në Tiranë, ai kaloi shumë muaj duke jetuar në hotelin më të shtrenjtë në qytet, Sheraton.
Por në të njëjtën kohë, shtëpia e familjes së tij, të cilën e përdori si adresë zyrtare për kompaninë e tij me bazë në Mbretërinë e Bashkuar, Virtu Capital International Limited, ishte një shtëpi që nuk binte në sy, në një rrugë qorre jashtë qytetit aspak të njohur të Northhemptonit në Midlands.

Kompania e tij hollding, e cila ishte nën pronësinë e një kompanie të regjistruar në Ishujt Britanikë Virgjin, falimentoi më herët këtë vit, duke lënë borxhe të papaguara prej 80 mijë eurosh në zyrën e taksave të Mbretërisë së Bashkuar me.

Ai humbi gjithashtu apartamentin e tij luksoz në Aspen më 2011, kur kompania u konfiskua pasi ai nuk ia doli të kryejë pagesat në kohë, sipas dokumenteve të siguruara nga BIRN.Fazlliç thotë se ai refuzoi ta shesë këtë pronë.
Fazlliçi ka shumë miq - Kryeministra, senatorë, lobistë të fortë amerikanë, sekretarë të jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar, trajnerë të Bundesligës, gjeneralë të NATO-s. Por ai ka qenë nën një hetim për pastrim parash në Shqipëri, mbetet nën hetim për mashtrim dhe evazion fiskal në Bosnjë, si dhe përballet vazhdimisht me një dallgë akuzash marramendëse nga media.

Fazlliç mbetet një gjëegjëzë përplot enigma.

fazllic 3












“Babëzia është e mirë”

Në moshën 8-vjeçare, Fazlliçi ishte një fëmijë me një idhull të pazakontë – Gordon Gekko, protagonisti i filmit i vitit 1987 ‘Wall Street’, batuta simbol i të cilit është “babëzia është e mirë”.

Një vizitor i pasur britanik, i cili frekuentonte një hotel në Bosnjë të menaxhuar nga babai i Fazlliçit, u intrigua nga ky “fëmijë me të vërtetë i mistershëm” dhe aftësitë e tij për të cituar sekserin famëkeq të bursës.
Meqë nuk kishte një djalë të vetin, udhëtari i pasur, emrin e të cilit Fazlliç nuk e tregon, e ndihmoi Fazlliçin të sigurojë një vend në Shkollën e Djemve Harrow, një nga shkollat më prestigjoze private të Britanisë.
Nga aty, i armatosur me një listë të gjatë rezultatesh të larta në provime, ai ndoqi Shkollën Ekonomike të Londrës, një nga universitetet më të mira të botës. Aty, siç pretendon Fazlliç, ai u dallua nga Lord Desai, një nga anëtarët udhëheqës të Partisë Laburiste të Mbretërisë së Bashkuar dhe profesor i ekonomiksit, që e mori si nxënës.

Arritja e ti e parë e madhe në biznes erdhi gjatë një vere kur po bënte praktikë mësimore në NatWest Markets, krahu investues i një prej bankave më të mëdha të Britanisë, e cila ishte thirrur nga regjimi i Millosheviçit për të ndihmuar në privatizimin e Telekomit të Serbisë dhe për të rigjallëruar ekonominë e rrënuar të vendit.

Një sekretar i Douglas Hurd, i cili sapo pati lëvizur te NatWest pasi pati punuar si Sekretar i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar, zbuloi rrënjët boshnjake të Fazlliçit dhe i kërkoi atij të takonte bosen e famshme të kompanisë së tij.
“Dhjetë ditë më vonë unë jam në një avion privat me Douglas Hurd duke fluturuar për në Serbi,” thotë Fazlliç, i cili ofroi përkthimin dhe kontekstin për shefat e tij në bankë.

“Ne zbresim dhe Millosheviçi, politika e të cilit praktikisht e bëri copash vendin tim dhe është arsyeja kryesore pse unë jam refugjat, arsyeja se pse familja ime është refugjate, ishte duke pritur për mua në pistë, me të gjitha tiparet e vizitës ceremoniale.”

Fabrikat e duhanit dhe aludimet për mashtrim

fazllic 4



















Fazlliç u bashkua pas kësaj me AC European Finance, një kompani londineze e financave të larta e krijuar nga ish shefi i tij te NatWest, Alby Cator.

Biznesi kryesor i kompanisë, sipas të dhënave të analizuara nga BIRN, qe këshillimi i qeverisë së Bosnjës mbi privatizimet. Njeriu kryesor i AC European Finance në Bosnjë qe Fazlliçi.
Ai pretendon se marrëveshja u arrit pasi ai takoi Alija Izetbegoviç, presidentin e Bosnjës në atë kohë, pas një fjalimi në Universitetin e Oksfordit.

“Ai tha, ‘Pse nuk vjen të më takosh mua? Ndoshta ne mund të gjejmë diçka për ty për të bërë.’”

Biznesi filloi mirë për Fazlliçin dhe AC European Finance, dhe mes viteve 1999 dhe 2001, operacionet në Bosnjë arritën në gati 400 mijë euro, pjesa më e madhe e të gjithë xhiros së firmës.
Por në Korrik 2001, zyra e Sarajevës u mbyll me 50 mijë euro borxhe të këqija, si dhe përfshirë nga akuzat për mashtrim.

Një audit nga OSBE zbuloi një kredi prej 12,500 dollarësh që AC European Finance kishte marrë për të ndihmuar në “krijimin e 100 vendeve të punës”, si pjesë e ndërtimit të një hoteli Rogner me pesë yje, i cili nuk u ndërtua kurrë.
Transaksioni u zbulua kur auditorët e OSBE hetuan një fond publik të drejtuar nga kryeministri i kohës, Edhem Bicakcic, një mik i Fazlliçit. Bicakcic u ndalua të mbajë post publik për shkak të parregullsive në fond por më vonë u fal.

AC European Finance punoi gjithashtu edhe në privatizimin e fabrikës së duhanit të Sarajevës.

Kur qeveria e bllokoi marrëveshjen, Fazlliç ndryshoi punë dhe filloi në një kompani tjetër, Capital Investment Management Corporation (CIMC), nën pronësinë e biznesmenit palestinezo-amerikan Hani Masri.
Masri është një donator madhor i Hillary Clinton dhe menaxhonte një plan investimesh 60 milionë dollarësh të mbështetur nga SHBA-të në Gaza dhe në Bregun Perëndimor.

Por edhe privatizimi përmes CIMC nuk u realizua, gjë që solli ngritjen e një padie nga fabrika e duhanit, ku kjo e fundit pretendoi se i kishte paguar 250 mijë dollarë CIMC-së për asgjë.
Çështja u hap kundër Federatës së Bosnjës dhe Herzegovinës, CIMC dhe përfaqësuesit të GTZ, agjencisë gjermane të zhvillimit të ngarkuar për të ndihmuar privatizimin, i cili, argumentoi fabrika e duhanit, e pati detyruar atë të merrte CIMC si këshilltar.

Kur u pyet mbi hetimin e lidhjes së Damir Fazlliç me fabrikën e duhanit dhe marrëveshjen e AC European Finance, një zëdhënës për prokurorinë tha: “Ne ju informojmë ju se zyra e Prokurorisë së Kantonit të Sarajevës po heton D.F. për akuzat kriminale të mashtrimit dhe evazionit fiskal.”

Prokuroi shpjegoi se hetimi nuk ka përparuar për shkak të vështirësive në mbledhjen e provave kundër Fazlliçit, CIMC dhe AC European Finance.

Fazlliç i tha BIRN se ai pati shkuar personalisht në zyrën e prokurorit në mënyrë që të zgjidhte problemin, por dosja është lënë qëllimisht e hapur në mënyrë për të dëmtuar reputacionin e tij.

Ai pretendoi se akuzat qenë pjesë e një komploti nga “krahu i Talebanëve” në Partinë për Veprim Demokratik, SDA, një nga partitë kryesore të vendit që përfaqëson muslimanët e Bosnjës.
Fazlliç tha: “Ata janë kancer – ajo pjesë e atij krahu – në politikën e Bosnjës."

fazzllic 5.













Fazlliç ruan kontakte të forta në vendin e tij të lindjes, gjithsesi, dhe këto lidhje u përmirësuan ndjeshëm kur xhaxhai i bashkëshortes së tij, Zlatko Lagumdzija, u emërua Ministër i Jashtëm më 2010.
Biznesmeni është gjithashtu shok me kreun e kompanisë publike të elektricitetit në Federatën e Bosnjës ‘Elektropriveda BiH’, Elvedin Grabovica.

Ata u fotografuan në një lokal me ndriçim të zbehtë në Sarajevë duke shkaktuar debate.

Kur u pyet mbi takimet e tij me Lagumdzija dhe Grabova, si dhe planet e tij në Bosnjë, Fazllliç tha se po punonte me “gjashtë apo shtatë” projekte qeveritare me vlerë qindra milionë euro.
“Unë aktivisht po kërkoj të sjellë më së shumti [investitorë] amerikanë. Bosnja ka potencial të jashtëzakonshëm energjetik në ndërtimin e impjanteve të reja”.

“Së paku thuaj se unë jam një batakçi i madh”
Fazlliç duket se është thathethemexhi i regjur dhe hedh emra për të plotësuar bisedat e tij me përmendjet e “miqve të shtrenjtë”.
Mes tyre janë tri presidentë të SHBA-së dhe një kandidat – dy Bush dhe dy Clinton – si dhe komandanti suprem i NATO-s Wesley Clark, drejtori i parë i Sigurisë së Brendshme të SHBA-së, Tom Ridge, si dhe Stuart Stevens, shefi i fushatës për kandidatin republikan për president Mitt Romney.

Lista e tij e jashtëzakonshme e kontakteve në Bosnjë është ndërtuar, siç pretendon ai, pjesërisht për shkak se ka qenë në vendin e duhur në kohën e duhur por edhe për shkak të aftësisë së tij për të ndërtuar ura mes kulturave.
“Nëse më lejoni që unë të mos jem modest, atëhere mund t’ju them se ka një veçori këtu: unë ia dal, gjithmonë, të punoj me të gjithë këta njerëz të mëdhenj dhe me ndikim. Dhe ti nuk mund të arrish të bësh diçka të tillë nëse je një batakçi i vogël, siç shkruajnë shpesh se jam unë,” bën shaka ai.

“Kështu, unë gjithmonë i them atyre kur më pyesin: ‘Së paku thoni se jam batakçi i madh për shkak se unë nuk mund të jem batakçi i vogël dhe të bëj të gjitha këto, së paku thuajeni.’”
Ai krenohet se ka punuar në 11 fushata elektorale, në Mal të Zi, Kroaci, Kongo, Rumani, Serbi dhe, më e debatueshmja, në Shqipëri.

Ai punoi krahas Stuart Stevens, kryestrategut të Mitt Roomney për fushatën e vitit 2012 kundër Obamës, si dhe ndihmoi sigurimin e suksesit zgjedhor për Joseph Kabila në Kongo dhe Sali Berishën në Shqipëri.
Ai ndihmoi BGR Group, më herët i njohur si Barbour Griffith & Roger, një nga kompanitë më të mëdha të lobimit në Uashington DC, për të përfituar një kontratë fitimprurëse me Berishën, për të negociuar një marrëveshje mes kompanisë dhe ish-presidentit të Kosovës Ibrahim Rugova, e cila nuk u firmos kurrë, si dhe duke punuar me kompaninë në Serbi.

Mero Baze, një ish-këshilltar i Berishës i cili u bë kritik i ashpër i ish-kryeministrit, së bashku me Fazlliç, udhëtuan me Berishën për në Uashington DC në mënyrë që të nënshkruanin marrëveshjen me BGR-në. Ai pretendon se Fazlliç ishte “sekseri” në bisedime dhe se Partia Demokratike e Berishës pagoi 500 mijë dollarë për lobistët që këta ta ndihmonin për të fituar zgjedhjet.

Fazlliç më vonë prezantoi Tom Ridge, drejtorin e parë të Sigurisë së Brendshme të SHBA-së dhe republikan me profil të lartë, me Berishën dhe pas këtij takimi, amerikani u punësua nga Tirana si lobist.

Duke fituar 500,000 dollarë në një vit, Ridge zbuti marrëdhëniet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Tiranës, ndihmoi Shqipërinë në anëtarësimin në NATO dhe qe këshilltar kyç në çështjet ekonomike, të tilla si nënshkrimi i një kontrate të debatueshme për ndërtimin e një rruge me kompaninë amerikane Bechtel.

Fazlliç pretendon se ai nuk mori asgjë për punën e tij krahas BGR dhe Ridge në Shqipëri. Boshnjaku thotë se ai vijon të “bëjë biznes” me Ridge, të cilin e përshkruan si një “mik shumë të shtrenjtë”.

Në syrin e stuhisë

fazllic 6













Ish kryeministri i Bosnjës Edhem Bicakçic, më herët një ortak i ngushtë i Fazlliç, ka ngritur pretendimin e pambështetur në fakte se ish-kolegu i tij punon për shërbimet e spiunazhit të SHBA-ve dhe Britanisë – një aludim me të cilin Fazlliçi qesh, siç bën edhe për aludimet se ai është përzierë në trafik mbetjesh bërthamore apo armatimesh.

Bicakçic tha gjithashtu: “Ai nuk shfaqet në ndonjë dokument dhe nuk ka kompani, së paku për një kohë të gjatë, por ai përdor miqësitë e tij për të arritur marrëveshje.”

Marrëveshjet e biznesit të Fazlliçit janë fshehur nën shtresa sekreti, shpesh duke përdorur kompani të regjistruara nëpër parajsa fiskale për të zhdukur pronësinë.

Ai përdor hotele luksoze si zyrat e tij dhe parapëlqen të shmangë reklamën. Por një seri transaksionesh biznesi në Shqipëri e vuri atë në syrin e një stuhie mediatike.

Pas fushatës elektorale të suksesshme të Berishës më 2005, këshilltari i tij Fazlliç krijoi së paku pesë kompani me Erion Isufin, kunatin e Ministrit të Transporteve, si administrator të tij, dhe vajzën e kryeministrit si avokate të tij.
Mes bashkëpunëtorëve të tij të biznesit qe Jurgen Rober, ish menaxher futbolli me klubin e Hertha Berlin dhe Partizanin e Beogradit, si dhe agjenti kontrovers i futbollit Fali Ramadani.

Më 2 tetor 2008, Fazlliç u rrëmbye nga një lokal i vogël në Bosnjë nga policë të maskuar, duke shkaktuar tërmet politik 400 kilometra më larg, në Tiranë, dhe një seri ngjarjesh pasuese.

Biznesmeni pretendoi se qe gjendur në vendin e gabuar në kohën e gabuar - një dëshmitar i pafajshëm në arrestimin e të njohurit të tij, Naser Oriç, një i dyshuar për krime lufte dhe zhvatje, i cili po qëndronte në tavolinën ngjitur në një restorant.

Fazlliç u lirua pa akuza, por kjo nuk shërbeu për të zbutur raportimet mediatike që lidhin boshnjakun me elitën politike të Shqipërisë dhe një numër kriminelësh të Ballkanit.
Pyetje u ngritën mbi blerjen e tokës prej tij pranë Porto Romanos, në periferi të Durrësit dhe lidhjet me kryeministrin e Shqipërisë, Sali Berisha.

Berisha i frikësuar vendosi ta sjellë Fazlliçin në Tiranë për një intervistë me televizionin miqësor me të Klan TV, në përpjekje për të pastruar emrin e vet dhe të tij.
Por pa dijeninë e Berishës, prokuroria pati hapur një hetim për pastrim parash kundër Fazlliçit disa ditë më herët.

Kur prokurorët dëgjuan se shënjestra e tyre pati mbërritur me një avion privat, ata lëshuan urdhërin e thirrjes për të marrë në pyetje Fazlliçin, por boshnjaku arriti të largohet nga vendi pa u ndaluar.
“Një gjë të kesh akses, një gjë tjetër të bësh korrupsion.”

Fazlliç beson se akuzat kundër tij qenë një komplot për të destabilizuar regjimin e Berishës, komplot i udhëhequr nga kryeprokurorja Ina Rama dhe John Withers, në atë kohë, ambasador i SHBA-së në Tiranë.
Hetimi u rrëzua kur kërkesat për dokumente nga Qipro dhe Bosnja mbetën pa përgjigje dhe provat e mbledhura nuk u paraqitën kurrë në gjykatë, diçka për të cilën Fazlliçit i vjen keq për shkak se në këtë mënyrë nuk qe në gjendje të pastronte tërësisht emrin e tij.

Ai tha: “Ina Rama, me ndihmë të qartë nga John Withers, bëri gjithçka në përpjekje për të sajuar [...] për të më lidhur me Berishën dhe për ta akuzuar atë për korrupsion.”
Fazlliç dhe Berisha thonë se ai nuk kishte biznes me shtetin e Shqipërisë dhe nuk përfitoi nga lidhjet e tij politike.

Por emaile të reja mes Fazlliçit dhe partnerit të tij amerikan në biznes, Meridian Telecommunications LLC, zbulojnë se ai aktivisht po punonte me kompaninë Albtelekom, në atë kohë nën pronësi shtetërore, si dhe në heshtje po përpiqej për kontrata të tjera shtetërore.

“A i përdor unë çdo ditë kontaktet e mija për të hapur disa dyer? Po. Një gjë është të kesh akses, një gjë tjetër të bësh korrupsion.”
Fazlliç, me të shkuarën dhe të tashmen e tij të mbushur me hetime kriminale, duket se e ka ndërtuar biznesin e tij duke ecur në këtë vijë të hollë ndarëse.
 
*Marrë nga BIRN

Redaksia Online
(g.f/shqiptarja.com)

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri

Kosova mbyll dy ndërmarrje publike serbe në veri