Seanca paraprake në GJKKO për dosjen në ngarkim të ish-drejtorit të ARRSH-së, Evis Berberi është shtyrë për në 9 dhjetor. Gjatë seancës së sotme, SPAK mori në pyetje biznesmenin Valter Begaj, gjithashtu i pandehur, pasi kishte paraqitur një memo duke pretenduar se i ishte mohuar e drejta për të dhënë deklarime. 

Nga 23 të pandehurit, 22 kanë kërkuar gjykim të shkurtuar përveç Valter Begajt dhe dy shoqëritë e tij që kanë kërkuar gjykim të zakonshem ose rikthim të çështjes për hetim. Javën e kaluar, Beberi kërkoi gjykim të shkurtuar, kërkesë për të cilën ende gjykata nuk është shprehur. Ai kërkon gjithashtu kthimin e sendeve të sekuestruara dhe papërdorshmërinë e akteve. 

SPAK thotë se zyrtarët, nën akuzë përmes një skeme të përpunuar bashkëpunimi mes tyre dhe kompanive private, synonte kontrollin dhe përfitimin sistematik nga fondet publike në sektorët e energjisë dhe infrastrukturës. 

Ish-drejtori i ARRSH, Evis Berberi, Valter Begaj, Ervis Lami, Brunilda Buli, Gentjan Gjyli, Genti Raça, Erald Elezi, Artan Leskoviku, Altin Marko, Orjon Islamaj, Adrian Kroi, Bledar Aliaj, Blerta Musabelli, Kamelia Tafaj, Adela Kica, Denis Xhoxhi, Ajda Strazimiri, Gëzim Noni, Shkëlqim Lusha, Ela Goxhaj, Jetmira Dervishi, Valbona Pepa. SPAK ka marrë të pandehur edhe dy shoqëri, "Net Group" dhe "DAAM".

SPAK e akuzon Berberin se ndonëse kishte kaluar fiktivisht pronësinë e shoqërisë “DAAM” sh.p.k te persona të tjerë, vijonte të ishte pronari de facto i saj, duke e përdorur për të përfituar personalisht nga tenderat publikë. Sipas Prokurorisë së Posaçme, shoqëria “Net Group” në pronësi të Valter Begajt, është përdorur për të devijuar para, drejt një tjetër kompanie, “Daam”, në letër në pronësi të Begajt, por që sipas hetuesve ishte në zotërim indirekt të Berberit.