Ja “provat” e teknikëve për
deformimin e zgjedhjeve  

Ja “provat” e teknikëve për<br />deformimin e zgjedhjeve  
Raporti përfundimtar i ministrave teknikë për zgjedhjet e qershorit, ku sipas tyre vërtetohet blerja e votës, është shumë voluminoz, por plot me hamendësime dhe pretendime e asnjë fakt konkret. Shumica e shkeljeve janë argumentuar në mënyrë përgjithsuese, ndërsa edhe aty ku jepen disa raste konkrete janë ato përplajse që janë bërë publike midis ministrave teknik dhe vartësve të tyre të Partisë Socialiste.

Teknikët që u emëruan në detyrë nga kryeministri sipas propozimit të kryeopozitarit Lulzim Basha, raportojnë se në mbledhjet e Task-Forcës nuk kanë marrë pjesë në asnjë mbledhje Ministrat e mazhorancës, anëtarë të Task-Forcës; nuk kanë marrë pjesë përfaqësuesi i Prokurorisë dhe KQZ, në cilësinë e subjekteve të ftuara.

Pra sipas raportit përfundimtar të ministrave teknikë rezulton se i kanë zhvilluar të vetëm gjashtë mbledhjet e Task-Forcës. Monitorimi i veprimtarisë së administratës gjatë fushatës zgjedhore në zbatim të marrëveshjes politike të datës 18.05.2017 PS-PD, është realizuar nga ana e Task Forcës si dhe të grupeve të monitorimit në institucione të ngritura për këtë qëllim në bazë të VKM nr. 473, datë 01.06.2017 “Për marrjen e masave dhe monitorimin e veprimtarisë, sjelljes apo përdorimit të burimeve njerëzore, financiare dhe logjistike të administratës shtetërore, gjatë procesit zgjedhor për zgjedhjet në Kuvendin e Shqipërisë për vitin 2017” si dhe të kuadrit ligjor në fuqi. Gjithashtu, ministrat teknikë kanë raportuar ‘provat’ për deformimin e zgjedhjeve, të cilat janë përmbledhur më poshtë.

-Ministri teknik i Drejtësisë, Gazment Bardhi, në ushtrim të funksionit të monitorimit ka kërkuar hapjen e një portali, me qëllim denoncimin e rasteve të administratës në zgjedhje, por sipas tij Sekretarja e Përgjithshme Juliana Hoxha ka urdhëruar heqjen e portalit, si dhe u ka kërkuar punonjësve të mos zbatojnë urdhrat e ministrit. Bardhi ka informuar Kryeministrin dhe DAP për marrjen e masave ndaj këtyre shkeljeve ‘penguese dhe aspak bashkëpunuese’, por deklaron se nuk ka marrë asnjë përgjigje.

Gjithashtu, ministri teknik Bardhi ka pezulluar Juliana Hoxhën nga pozicioni i Sekretares së Përgjithshme, pasi ajo edhe pse kandidonte për deputete në PS vazhdonte detyrën në Ministrinë e Drejtësisë.

-Ministri teknik i Arsimit dhe Sporteve, Mirela Karabina, shprehet se është penguar për të përmbushur detyrat si anëtar i Task-Forcës nga Sekretari i Përgjithshëm, Plarent Ndreca dhe nëpunësve civilë të MAS, duke e cilësuar këtë sjellje të qëllimshme. Karabina sjell shembullin e mungesës së etikës, ku përmend ‘korrigjimet me shkrim dore që SP iu bënte shkresave të ministrit dhe bllokimin drejtpërsëdrejti të e-mailit deri në datë 03.06.2017’. Veç të tjerash, Karabina deklaron se Ndreca ka

ushtruar presion mbi stafin e Ministrisë nëse do të mbanin komunikim me ministrin dhe kabinetin e saj, duke  penguar drejtoritë dhe punonjësit civilë të niveleve më të ulëta të zbatojnë urdhrat e Ministrit(përmendin rastin e Alqi Kushit, drejtor i SHM; rasti i Kolekës, drejtor i IT, etj që kanë shpërfillur urdhrat e ministres Karabina). 

Plarent Ndreca është kallëzuar nga Karabina edhe për ndërhyrje në procesin e maturës shtetërore në Fushë-Krujë, ku ai ka hyrë në ambientet e shkollës “Shote Galica”, i paautorizuar, me qëllimin favorizimin e të rinjve që votonin për herë të parë, në mbështetje të Partisë Socialiste. Ndër të tjera, Karabina deklaron se znj. Koleka me urdhër të Ndrecës, ka  refuzuar të publikojë në faqen zyrtare të MAS deklaratat për shtyp të saj.

- Ministri teknik i Mirëqenies Sociale, Xhuljeta Kërtusha, në raportin përfundimtar adreson problematikat pothuajse të njëjta me ato të Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, si presion të drejtpërdrejtë tek punonjësit civilë të niveleve më të ulëta për të refuzuar autoritetin e ministrit, ka fshehur në mënyrë abuzive shkresa hyrëse drejtuar Ministrit, ka refuzuar të firmosë çdo shkresë si dhe shkresat drejtuar Kryeministrit, ka ushtruar presion dhe kontroll verbal tek zyra e financës duke penguar të gjitha pagesat për të përndjekurit politikë, të cilat janë detyrim ligjor dhe duke lejuar pagesa selektive.

Madje sipas Kërtushës, asistentja e ish ministrit, Olta Xhacka ka arritur deri në ekstreme duke bërë presion mbi njësitë e prokurimeve, të cilat më pas janë ankuar vetë tek stafi i ministrit dhe  ka penguar Ministrin e MMRS ushtrojë funksionet e saj dhe veçanërisht në drejtim të procesit të monitorimit referuar VKM 473/2017.

Sipas informacionit të përcjellë nga Ministri,  Artur Micko i komanduar Drejtor i Përgjithshëm i Shërbimit Kombëtar të Punësimit ka refuzuar të shqyrtojë në mënyrë objektive rastet e përfshirjes në fushatë të punonjësve të Shërbimit Kombëtar të Punësimit dhe t’i shkarkonte nga detyra sipas propozimit të Ministrit, pasi sipas Xhuljeta Kërtushës Micko ka qenë subjektiv për sa kohë ai ka mbajtur deri vonë pozicionin e kryetarit të FRESH-it.

-Ministri teknik i Financave,Helga Vukaj  është përballur me problematika të ngjashme si ministrat e tjerë, si për shembull kërkesa për vënien në funksion  të numrit jeshil 0800 1963, numër të cilin Ministria e ka pasur më parë në funksionim, me qëllim marrjen e denoncimeve që sipas Vukaj, nuk është zbatuar për asnjë moment nga administrata e Ministrisë. 

Helga Vukaj ka kërkuar masa disiplinore për punonjës të Ministrisë, të cilët refuzuan zbatimin e urdhrit të Ministrit për të qenë pjesë e grupit te punës për monitorimin e administratës shtetërore, si edhe përgjegjës për monitorimin e mospërdorimit të aseteve shtetërore, por ministrja teknike konstaton se pas mbledhjeve përkatëse të komisioneve të disiplinës, për asnjë nga rastet nuk është marrë masë disiplinore duke dalë me vendime pa masë, pavarësisht se sipas MF shkeljet ishin të provuara, argumentuara dhe dokumentuara.

Gjithashtu Ministrja teknike e Financave konstaton neglizhencë për administratën tatimore në përcjelljen e të dhënave të kërkuara, e cila nuk identifikoi kontrollet tatimore dhe rimbursimeve, një nga detyrat e lëna nga Task Forca.

-Ministri teknik i Shëndetësisë, Arben Beqiri konstaton mungesë bashkëpunimi në monitorimin e zgjedhjeve, megjithatë ai pranon se nuk ka pasur dinamikë përplasjesh në Ministrinë e Shëndetësisë.

Ministri teknik në raportin përfundimtar deklaron se një pjesë e mirë e këtyre nëpunësve civilë,  kryesisht me ata të nivelit të lartë drejtues, kanë fituar vendin e punës jo me anë të konkurrimit, por sipas tij duke  u emëruar politikisht pa konkurs dhe duke u konfirmuar më pas në detyrë për shkak të efekteve të ligjit të ri për nëpunësin civil. Kjo frymë politizimi për teknikun e PD është përçuar edhe tek punonjësit e shërbimit civil të nivele më të ulëta.

Ministri teknik Beqiri raporton i bindur se nëpunësit civilë të lartë nuk janë të pavarur politikisht, i cili sjell shembullin e Genc Gjonçaj, duke e konsideruar si shembullin më tipik të një Sekretari të Përgjithshëm politik, dhe sipas tij  është fakt i njohur e që mund të verifikohet lehtësisht se ka qenë në kohën e emërimit përfaqësues i subjektit politik Partia Socialiste.

Ndër të tjera, Beqiri përmend rastin e  Ministrit të Financave dhe Zëvendësministrit të Financave, Znj. Irena Beqiraj, që sipas tij,  nën justifikimin se mbronte nëpunësit civilë në Ministrinë e Financave, ka vepruar në shkelje të autoritetit të ministrit si titullari më i lartë në institucion duke cënuar hierarkinë administrative si dhe është sjellë në mënyrë tërësisht jo etike sipas ministrit, duke bërë edhe deklarata publike në media dhe rrjete sociale aspak serioze dhe të denja për një funksionar të lartë të administratës.

  • Sondazhi i ditës:

    FSHF rinovon kontratën me trajnerin e Kombëtares Sylvinho, a jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Firmoset marrëveshja me Fondin e Katarit, për sheshin fundor te 'Bulevardi i Ri', Veliaj: Pajë që do t’i mbetet Tiranës! Fokus te puna, që të lëmë gjurmë, jo te zhurma

Firmoset marrëveshja me Fondin e Katarit, për sheshin fundor te 'Bulevardi i Ri', Veliaj: Pajë që do t’i mbetet Tiranës! Fokus te puna, që të lëmë gjurmë, jo te zhurma