Të jesh "Zonjë shtëpie" nuk është shaka! Nuk them vetëm për faktin e të gatuarit dhe përgatitjes së ushqimit për fëmijët dhe pjestarët e tjerë të familjes. Të drejtosh shtëpinë është një zanat i vështirë, por për këtë do të flas një herë tjetër, pasi qëllimi im sot, janë Festat e Fundvitit. Një zonjë e mirë shtëpie parashikon me kohë gjithçka dhe nëse ajo do të ketë të ftuar në shtëpinë e saj, pikërisht nga ajo varet nga prezantimi i shtëpisë, i tavolinës e deri tek detajet me të holla dhe më të veçanta.

Por le të fillojmë me përgatitjen e tavolinës me rastin e festës. Në përgjithësi të ftuarit nuk ulen menjëherë në tavolinën e ngrënies, por ftohen në sallon apo në dhomën e ndenjes duke u ofruar aperitiv me fruta të thata, biskota, apo brusketa fine të lyera me gjalpë të aromatizuar etj dhe shoqëruar me ndonjë pije të lehtë. Nuk duhet të mungojë muzika në sfond, jo shumë e lartë, por shoqëruese dhe nxitëse e atmosferës së ngrohtë mes miqsh dhe të afërmish.

Pasi të jetë bërë gati e gjithë tavolina e ngrënies, mund të ftohen mysafirët. Për këto Krishtlindje kam dëshirë t'ju ofroj një menu të pasur që fillon nga antipasta e përfundon tek ëmbëlsira. Brusketa me gjalpë dhe salmon, kumbullat e thata me proshutë të tymosur dhe djathë dhie dhe një sallatë të veçantë Nicolo'. Si pjatë të parë ju propozoj "Ravioli me gjalpë dhe sherebelë" ndërsa në pjatën e dytë natyrisht që nuk mund të mungojë gjeli i detit. Receta që unë do të përgatis për tryezën time është "Rosto gjeli deti i mbushur me pazi dhe gjizë pa kripë dhe kërpudha porcini". Për të përmbyllur ëmbëlsisht darkën apo drekën tuaj ju sugjeroj "Millefeuille me Pandoro dhe krem Zabaione" shoqëruar me akullore me fistikë. Natyrisht nuk mund të anashkaloni..pijet, shtrimin e tavolinës dhe të gjitha detajet që janë tepër të rëndësishme për një festë të përsosur në shtëpinë tuaj.

Antipasta
1. Brusketa me gjalpë dhe salmon
1 Bukë e tipit Baguette (e gjatë)
80 gramë gjalpë i freskët pa kripë
200 gramë salmon i tymosur
Lëngu i 1 limoni
Kopër e freskët

Përgatitja:
Salmonin e tymosur, të prerë në feta, vendoseni të marinohet në lëng limoni për 1 orë. Prisni në feta të vogla bukën dhe vendoseni për 5-6 minuta në një furrë të ngrohur më parë. Më pas lyejini me gjalpë fetat e bukës vedosini, nga një copë salmon përsiper dhe kopër të prerë dhe servireni.

2. Kumbulla të thata me proshutë të tymosur dhe djathë dhie
200 gramë kumbulla të thata pa farë
100 gramë pastërma e tymosur ose pancetë
50 gramë djathë dhie i tipit Pecorino

Përgatitja:
Merrni kumbullat, lajini mirë, thajini me një pecetë. çajini nga njëra anë dhe vendosini nga një copë të vogël djathi. Më pas mbështillini me një fetë pastërma dhe "qepini' me një kruajtëse dhëmbësh që të mos lëvizin. Futini në furrë të ngrohur më parë në 200 gradë për 10 minita. Servirini të ngrohta.

3. Sallatë Nicolo'

300 gramë sallatë jeshile
1 dardhë e prerë hollë
1 shegë
50 gramë fara luledielli të pjekura
Vaj ulliri,
Pak djath Parmigiano reggiano në feta të holla
Uthull balsamike, Kripë,
Përgatitja: Pritet sallata, ndërsa dardha pritet hollë. Shtohen dhe trazohen kokërrzat e shegëve, farat e lulediellit, kripa dhe fetëza djathi Parmigiano Reggiano. Shtohet vaji i ullirit dhe uthulla balsamike.

PJATA E PARË

Ravioli me gjalpë të freskët dhe salvia/ sherebelë
800 gr ravioli te mbushura me mish të grirë
200 gr gjalpë i freskët
20 gjethe sherebelë
1 lugë gjellë parmigiano reggiano

Përgatitja:
Kjo është pjatë shumë e thjeshtë, por sekreti i saj qëndron në përgatitjen e gjalpit me sherebelën. Merren gjethet e sherebelës (mundësisht e freskët) dhe priten në copa të vogla, hidhen mbi gjalpin e butë dhe përzihen mirë. Mbështillet me një qese celofan dhe vendoset ne frigorifer, por jo në ngrirje. Marrim një enë dhe hedhim gati 2 litra ujë dhe e lëmë të ziejë. Në momentin kur fillon të ziejë, hedhim kripën dhe sapo të tretet shtojmë raviolit. Bëni kujdes të mos ngjiten dhe për këtë shtoni në ujin e përvëluar 1 lugë gjellë vaj ulliri. Vendosni një tigan me bazë të gjerë në zjarr dhe shtoni gjalpin e freskët, lëreni të shkrijë, por mos e skuqni. Kulloni raviolit dhe hidhini në tigan dhe trazojini ngadalë. Vendosini në pjatë duke i grirë djath Parmigiano Regiano dhe duke e zbukuruar me një gjethe sherebelë të freskët. Shërbehet e ngrohtë.

Shkrimi u publikua sot në Suplementin Fundjava, në gazetën Shqiptarja.com(print), 21 dhjetor 2012
(ad.ti/shqiptarja.com)