Kur ka nisur ideja për devijimin e lumit Vjosë?

Shqipëria është njohur me këtë projekt-ide shumë vonë pasi fillimisht kishte zëra se do të merrej një vendim për devijimin e Vjosës dhe asgjë më shumë. Por shteti fqinj,Greqia që është edhe ideuesi i projektit për devijimin e lumit Vjosë dhe jo vetëm, ka nisur që më 31 korrik të 2013 me një VKM që i shkon për shtat pasurimit të hidrografisë së vendit të tyre. Më 31 korrik të 2013 Ministria e Transportit dhe Ministria e Mjedisit në Greqi nënshkruan një projekt, ku parashikohet devijimi i lumenjve në veri të Greqisë për pasurimin e liqenit të Janinës. Në listë është edhe lumi i Vjosës, gjatësia e të cilit në territorin grek është 70 km.

A kishte patur më parë informacion për këtë pretendim të palës greke?

Fillimisht kur kanë nisur zërat e parë për këtë projekt, Shqipëria ishte në fazën që sapo kishte përfunduar ratifikimin e marrëveshjes së përcaktimit të kufijve detar me Greqinë pas debateve të shumta për ndryshimin e tyre. Në dhjetor të 2012 një nga eurodeputetët grekë Nikos Krisogelos ngriti pyetjen nëse vendet e BE kishin apo jo të dhëna për një plan të Greqisë lidhur me devijimin e lumit Vjosë nga rrjedha e tij normale.

Ku konsiston ekzaktësisht devijimi i Vjosës nga Pala greke?

Lumi Vjosa e fillon rrugëtimin e tij pranë fshatit Vuvusa në veriperëndim të Greqisë dhe vazhdon rrjedhën natyrale në jug të Shqipërisë, drejt Detit Adriatik. Ndërkohë në territorin grek kalon vetëm 70 km e gjatësisë së tij. Projekti parashikon që 70 milionë metër kub ujë, të devijohen çdo vit nga burimi i lumit të Vjosës. Diga që është menduar të ndërtohet sipas projektit, parashikon një fund të papritur të udhëtimit të lumit në Vuvusë. Sipas këtij projekti të palës greke synohet devijimi i ujërave me anë të një dige të re.

Kur dhe si është njohur pala shqiptare në lidhje me këtë projekt të shtetit helen?

Pala jonë është njohur nëpërmjet reagimeve që vetë përfaqësuesit e politikës greke kanë bërë në parlamentin evropian. Vetë deputetët grek kanë qenë ata që kanë bërë me dije në korrik të 2013 se Greqia e kishte firmosur tashmë projektin për të devijuar Vjosën.  

Si është pritur ky vendim i qeverisë greke në lidhje me këtë projekt?

Faktikisht nga asnjëra palë nuk është pritur mirë pasi: pala greke, eurodeputetët kanë thënë se ky është një projekt i paarsyeshëm dhe destruktiv pasi projekti i firmosur nga pala greke për devijimin e lumit Vjosë është edhe i paligjshëm. Përsa i përket palës shqiptare fillimisht ajo nuk ka reaguar fare që në momentin e parë kur u hodh si ide në Parlamentin Evropian, por reagimet kanë nisur të vijnë pas firmosje së këtij projekti në korrik të 2013.

Kjo do të thotë që ka kaluar mjaftueshëm kohë nga nisja e idesë deri në firmosjen e projektit nga pala greke.

Në fillim kjo u mor vetëm si një ide e çmendur dhe askush nuk e besoi njësoj sikurse ndodhi edhe me devijimin e Radikës. Të parët që kanë nisur çdo reagim kanë qenë qytetarët. Për rastin e Vjosës banorë të shumtë të zonave në të cilat kalon Vjosa ishin ata që u ngritën të parët por edhe ambientalistë të cilët kanë reaguar duke thënë se nëse ndodh ajo që është projektuar atëherë pjesa më e madhe e Vjosës e cila kalon në territorin shqiptar do të humbasë.

Por a nuk ekziston një konventë ndërkombëtare në lidhje me përcaktimin e ujërave ndërkombëtare?

Në Konventën mbi Përdorimin e Ujërave Ndërkombëtare, shkruhet se Lumenjtë të cilët kalojnë në dy a më shumë vende, këto vende kanë njësoj të drejta të barabarta për të përdorur ujërat e tij dhe nuk mund të ndërmarrin asnjë veprim për të ndërhyrë në rast se nuk ka miratimin e palës tjetër. Po ashtu kjo konventë parashikon se nuk mund të merren vendime që nuk trajtojnë njësoj të dyja vendet që kanë të drejtën e shfrytëzimit të kësaj pasurie.

A ndikon devijimi i Vjosës në ekosistem?

Ka një ndikim të madh pasi edhe shkalla e devijimit është jashtëzakonisht shumë e madhe nëse marrim parasysh prurjet. Devijimi i Vjosës do të thotë që të mos “ekzistojë” më ky lum për territorin shqiptar në të cilin ka gjatësinë më të madhe.

Redaksia online
(f.m/shqiptarja.com)