KIEV- Sekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Europës, Thorbjorn Jagland, ka mbajtur një takim me Presidentin e Ukrainës Petro Poroshenko dhe me zyrtarë të tjerë në Kiev, për të diskutuar mbi situatën humanitare në Lindje të Ukrainës. Jagland tha në një konferencë për shtyp se zhvillimi i krizës në Ukrainën Lindore është një dështim për institucionet Europiane dhe se kjo luftë nuk do duhej t’i përkiste shekullit të 21, por të shkuarës.
 
Ai shtoi gjithashtu se Bashkimi Europian ka dështuar në përmbushjen e qëllimit të krijimit të saj pas Luftës së Dytë Botërore, për vendosjen e paqes dhe parandalimin e konflikteve dhe luftërave të reja në Europë.
 
Këshilli i Europës përbëhet nga 47 shtete, përfshirë dhe Rusinë, dhe është krijuar për të promovuar të drejtat humane, demokracinë dhe zbatimin e ligjeve.
I pranishëm në këtë takim ishte dhe Ministri i Jashtëm i Ukrainës Pavlo Klimkin, i cili tha se për ta është tepër e rëndësishme që vendet anëtare të Bashkimit Europian dhe jo vetëm, t’i ndihmojnë në përforcimin ushtarak dhe në sektorin e sigurisë për të mbrojtur Ukrainën.
 
Ai përfundoi duke thënë se Aleanca e Atlantikut të Veriut e kupton sfidën që i është venë përpara për shkak të përkeqësimit të situatës mes Federatës Ruse dhe Ukrainës, dhe po kërkon sa më parë gjetjen e një zgjidhje.
 
Redaksia Online
(e.s/shqiptarja.com)