- Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, priti grupin prej 37 vullnetarësh të rinj të Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, të udhëhequr nga drejtori, Stephen Kutzy, që prej muajit shtator do të fillojnë punën e tyre në ndihmë të shkollave të ndryshme të Kosovës.
Presidentja Jahjaga vlerësoi lart ndihmën që vullnetarët e Korpusit Amerikan të Paqes po u ofrojnë të gjitha komuniteteve nëpër pjesë të ndryshme të Kosovës dhe tha se kontributi i tyre është shumë domethënës.
Ajo tha se vullnetarët e Korpusit të Paqes, përveç punës së drejtpërdrejtë me fëmijët nëpër shkolla, do të ndihmojnë edhe në thellimin e miqësisë dhe forcimin e marrëdhënieve midis qytetarëve të Kosovës dhe popullit amerikan.
Drejtori i Korpusit amerikan të Paqes në Kosovë, Stephen Kutzy, e falënderoi presidenten Jahjaga si dhe institucionet e qytetarët për pritjen e ngrohtë që i kanë bërë vullnetarëve të Korpusit të Paqes, të cilët pas përfundimit të trajnimeve do të vendosen nëpër faamilje në vendbanimet e ndryshme të Kosovës.











