Jakin Marena: Berisha i pandehur, PD e varur nga tekat e hallet e një 80 vjeçari

Jakin Marena: Berisha i pandehur, PD e varur nga tekat e hallet e një 80 vjeçari

Sali Berisha, Jamarber Malltezi

SPAK ka marrë të pandehur Sali Berishën, nën akuzën për korrupsion pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi. Dhe ky u mor po të mërkurën, dy orë pas vjehrrit ish kryeministër, si i pandehur se ka korruptuar Saliun dhe për pastrim parash.

Prokurorët e Posaçëm vetëm sa i kanë komunikuar akuzën Berishës, teksa e kanë marrë të pandehur, duke i ‘ngarkuar’ në shpinë dhe dosjen voluminoze prej 500 faqesh, në të cilën janë përshkruar në mënyrë të detajuar të gjitha shkeljet e Berishës asokohe kryeministër, për aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani’ në favor të dhëndrit të tij Jamarbër Malltezi.

Vetëm pak minuta ka qëndruar Berisha brenda ambienteve të SPAK, pasi prokurorët e posaçëm kishin mbaruar punë me të. Por nuk kishte ‘mbaruar’ punë Berisha. Kreu i PD është munduar ta shesë shumë ‘shtrenjtë’ tek militantët e paktë që e kishin shoqëruar tek selia e SPAK këtë vajtje në ambientet e SPAK nga banesa e tij ku qëndron nën arrest shtëpiak prej më shumë se 9 muajsh për korrupsion pasiv në favor të familjes së tij.

Dhe në hyrje dhe në dalje të SPAK Berisha ka ngritur një sërë akuzash ndaj prokurorëve të posaçëm, tashmë të stërpërsëritura dhe që nuk bëjnë sens më për veshin e publikut shqiptar, teksa ka mbajtur fjalim të shkruar në letër që të mos harrojë asgjë.

Ndërkohë që ka stonuar në përgjigjen ndaj gazetarëve në lidhje me vendimin e SPAK, duke pranuar me gjysmë zëri se nuk ka asnjë akuzë shtesë ndaj tij nga ato që janë bërë publike dhe në fund duke thënë se ishte marrë i pandehur, Berisha nuk ka munguar të tentojë të shfaqet para militantëve të paktë të PD para godinës së SPAK si një ‘inspektor’ që kishte krye ‘inspektime’ në zyrat e SPAK. A thua s’kishte qënë aty për të marrë mandatën e të shpalurit i pandehur.

Si gjithnjë Berisha  gati sa nuk tha se kishte marrë në pyetje prokurorët e posaçëm, në përpjekje për të treguar se nuk pyet për akuzat e atyre që ai i cilëson si “mercenarë të Edi Ramës”. Duke përmendur, e kishte të shkruar në letër në fakt që një natë më parë në shtëpi, se në SPAK kishte parë dosjet e rënda të qeveritarëve të PS dhe frikën që ekzistonte në fytyrën e tyre. Se si i ishin fanitur Berishës klëeto dosje apo fytyrat e socialistëve në qeverisje, hajde e merre vesh.

Por për hir të së vërtetës ka qënë vetë Berisha që është trembur fort nga marrja si i pandehur nga SPAK nën akuzën e korrupsionit pasiv në bashkëpunim me dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi, në aferën e privatizimit të ish kompleksit sportiv “Partizani”. Ka ndryshuar ligje dhe ka nxjerrë vendime vetëm e vetëm që të përfitonte dhëndri i tij, ku deri më tani dihet se janë 5 milionë euro të deklaruar si fitim neto. Dhe dhëndri për ata që bëjnë sikur nuk kuptojnë, është Jamarbri, burri i Argitës, vajzës së ish kryeministrit Sali Berisha.

Ndërkohë që frika e Berishës u vu re që në momentin kur u shfaq para militantëve para dhe pas daljes nga godina e SPAK ku iu komunikuar akuza, me letër në dorë duke lexuar gjithçka deklaroi. Rrallëherë Berisha shfaqet në këtë mënyrë, vetëm në momentet kur është me të vërtetë i trembur fort. Dhe këtë radhë është frikësuar me të vërtetë.

Dhe vërtetë Berisha është në pozicionin që është për t’u trembur. Madje fort. Sepse përpos tij dhe dhëndrit Malltezi që janë marrë të pandehur për bashkëpunim në korrupsion dhe pastrim parash, të pandehur janë marrë dhe ortaku i dhëndrit biznesmeni Fatmir Bektashi, si dhe bashkëpronari Xhimi Begeja. Të dy këta për pastrim parash. Eshtë dhe një grua, që pritet të kalojë në ‘qarkun’ e SPAK për të marrë mandatën si e pandehur.

E keqja këtu, për të katër apo pesë të pandehurit e SPAK për aferën e “Partizantit’, Berisha, Malltezi, Begeja e Bektashi, është se janë përfshirë të bashkëpunim me njëri tjetrin, dhe kjo nuk i shpëton nga akuza për krijim grupi kriminal. Që përbën një vepër tjetër penale dhe që rëndon akoma më fort situatën për ish kryeministrin demokrat.

Aq më tepër që Berisha ka nën hetim dhe dosjen në ngarkim të tij për 4 vrasjet tragjike të ’21 janarit’, ku pritet nga momenti në moment që të merret i pandehur bashkë me bashkëpunëtorët e tij, si dhe dosjet të tjera të rënda, përfshirë dhe “Gërdecin’ me 26 viktima pa përjashtuar këtu vdekjen misterioze të Kosta Trebickës si shtetas amerikan që ka qënë, aferën CEZ-DIA dhe hetimin e pasurisë së tij e të familjes. Pra janë dosje të rënda që e zhysin fort Berishën, e pranuar dhe nga avokati i tij Gjokutaaj, që tha se vetëm për akuzën e “Partizanit’ mund të marrë një dënim prej 12 vitesh burg.

Ndaj Berisha këtë herë është trembur vërtetë shumë, pasi po sheh dita ditës që ‘laku’ i drejtësisë rreth ‘qafës’ së tij po shtrëngohet pa u ndalur, ndërsa i ka ‘firuar’ dhe mbështetja e militantëve. E për më tepër që dhe gjysma e atyre që ishin me të para selisë së SPAK ‘lusin Zotin’ që Berisha të përfundojë në qeli për të mos dalë më i gjallë prej andej.

 Prandaj Berisha kërcënoi se kandidat për kryeministër në zgjedhje do të jetë ai dhe vetëm ai, për t’ua prerë hovin atyre që janë përgatitur për t’i zënë vendin. Kuptohet, pasi të kenë hedhur jashtë lidershipit dhe vajzën Argita të lënë trashëgimtare në linjë gjaku në krye të PD nga Berisha, por që për fatin e keq të saj është dhe ajo ‘non grata’ në SHBA dhe nuk ofron asgjë për PD, duke e bërë lehtësisht të cënueshme nga ‘ujqërit’ në PD që presin afatin e ‘skadencës’ së Berishës.

Teksa i është rikthyer sërish ‘arrestit shtëpiak’ brenda në banesën e tij, në pritje të vendimit të gjykatës që me shumë mundësi do ta dërgojë në qeli, duke i hequr dhe mundësinë e hyrjes në Parlament, Berisha po bën gjithçka për të mbajtur pas vetes një pjesë të ithtarëve të tij. Thjeshtë e vetëm si mburojë përballë akuzave të SPAK dhe përballë partnerëve ndërkombëtarë që e kanë shpallur me kohë dhe vakt ‘non grata’ dhe nuk e llogarisin fare as atë dhe për pasojë as PD-në që udhëheq, si faktor relevant politik që të pretendojë për të qënë nesër aktor qeverisës.

Dhe Berisha këtë e di fort mirë. Ndaj herë bën thirrje për qeveri teknike, herë quan dhe vrasjen e Azem Hajdarit krim shtëtëror, të cilin për tetë vite në pushtet teksa kishte drejtësinë nën kthetrat e tij kishte tërë kohën e duhur për ta zbardhur, ndërkohë që bën apel për të përmbysur këtë qeveri. Sulmon drejtësinë, partnerët dhe kush i bie ndërmend kur mban fjalim para 30-40 militantëve dhe i mban me gajret se dhe mund të bëhet kryeministër, pavarësisht moshës, ‘non gratës’ dhe pragut të burgut në të cilin ndodhet.

Tani, fatkeqësia më e madhe është për PD dhe për opozitën në përgjithsësi, e cila me Berishën kryetar as që mendohet të vijë ndonjë herë në pushtet dhe për më tepër po ecën me shpejtësi drejt rrënimit, pasi nuk ofrohet asnjë alternativë pushteti, përpos përdorimit të PD si koracë mbrojtjeje për hallet e Berishës përballë drejtësisë.

Për më tepër që, në gjallje të Berishës, PD dhe këta liderët ‘mobilë’ që lëvrijnë në këtë parti duke kapërcyer herë pas here dhe ‘ylberin’ janë të detyruar t’i nështrohen tekave dhe humorit të keq, por dhe halleve të forta të Berishës, një plaku 80 vjeçar që në një vend normal duhej të ishte duke shkruajtur kujtimet e tij, duke u marrë me nipër e mbesa, stërnipër e stërmbesa dhe jo të rikthehej në krye të partisë. Dhe ta ndante e bënte lëmsh sikurse e bëri.

Por halli të bën të marrësh udhët, pasi është në rrezik burgu familjarisht, e mbi të gjitha rrezikon të humbasë dhe tërë pasurinë, të vënë me ‘mund e djersë’ duke grabitur arkën e shtetit sa herë ka qënë në pushtet, por dhe përmes pazareve të këqija sa herë që i është dhënë mundësia. Eshtë i vetmi kryeministër që ka bërë korrupsion të përgjakshëm, duke shkaktuar humbje masive jetë njerëzish për të pasuruar familjarët dhe ortakët e tij.

Në fund të herës, sa kohë që demokratët e opozita do të qëndrojnë me sytë nga ballkoni i pallatit të Berishës, duke ‘përtypur’ me dashje apo pa dashje të gjitha ‘kumbullat’ që hedh ai, sa nga mosha, sa nga izolimi në arrest shtëpiak, sa dhe nga hallet që e kanë zënë pasi është kandidat numër një për të shkuar familjarisht në qeli, PD dhe kjo opozitë po kaq kohë do të qëndrojë në opozitë. Do t’u duket afër dhe viti 2033 për të pretenduar ardhjen në pushtet.

S.G/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    A justifikohen aktet e dhunes gjatë një proteste politike?



×

Lajmi i fundit

Vlorë/ Dhunohet Policia Bashkiak, përfundon me fraktura në spital! Shkak dyshohet gjoba që i vendosi një furgoni të linjës së fshatit

Vlorë/ Dhunohet Policia Bashkiak, përfundon me fraktura në spital! Shkak dyshohet gjoba që i vendosi një furgoni të linjës së fshatit