Situata në PD është shumë e rëndë, sidomos pas votimit të Endri Shabanit për Avokat të Popullit, një propozim ky neto me 35 firmat e deputetëve të PD dhe të opozitës! Pavarësisht se tensionet në partinë më të madhe opozitare u ngritën pas daljes së Salianjit në një ‘Foltore’ paralele me atë të Berishës, në takimin me më të votuarit e primareve dhe të zgjedhjeve e fundit parlamentare, ishte hedhja e firmave që solli votimin e e Shabanit si Avokat të Popullit, ajo që i vuri kapakun përplasjes brenda PD dhe krisjes së fortë të radhës brenda saj!

Pavarësisht se të gjithë deputetët firmatarë pro Shabanit kërkuan ndjesë publike, pavarësisht se vetë Berisha tentoi ta zhvendosë në kohë procesin e hedhjes së firmave me qëllimin e vetëm, të faturimit të këtij gabimi të pafalshëm politik kohës në të cilën kishte ndodhur, me justifikimin se u firmos për emrin e tij për shkak të mbështetjes që Shabani i kishte dhënë kandidatit të pavarur Florian Binaj për bashkinë e Tiranës, paçka se zgjedhjet në Tiranë u anuluan që me 3 nëntor ndërsa firmat u hodhën më 2 dhjetor, grupimet brenda PD nuk u qetësuan! Përkundrazi, përplasja u zhvendos më tej, jo vetëm në terren por dhe në kryesinë e PD, me tone akoma më të larta!

Salianji, por dhe një nga mbështetësit e fortë të Berishës, dhjetoristi Bislim Ahmetaj, kërkuan në mbledhjen e kryesisë së PD vendosjen përpara përgjegjësisë të Sekretarit të Përgjithshëm të kësaj partie, Flamur Noka si dhe kreut të grupit parlamentar të PD Gaz Bardhi, si urdhërdhënës për firmosjen pro kandidaturës së Endri Shabanit si Avokat i Popullit dhe keqmenaxhimin e kësaj situate, të cilësuar me shumë kosto për opozitën në tërësi!

Madje në mënyrë të drejtëpërdrejtë është kërkuar Flamur Nokës që të japë dorëheqjen, si përgjegjësi kryesor i shkatërrimit të PD, ndërkohë që për Bardhin ka akuza se e ka përshtjelluar grupin parlamentar në atë farë feje sa nuk merret vesh çfarë ndodh dhe çfarë bëjnë në të vërtetë, ku vihet re me sy të lirë se s’ka asnjë asnjë koordinim për aksionin opozitar në Kuvend!

Nënkryeytari i PD, Gjekmarkaj ofroi dorëheqjen si nënkryetar i PD dhe i Kuvendit, ndërkohë që Noka reagoi fort duke u përfshirë në debat verbal e publik me Salianjin, përmes akuzave se po përçante PD, se ka bashkëpunuar me krimin përmes Suel Çelës, akuzë kjo e rikthyer menjëherë nga Salianji në drejtim të Nokës, si dhe akuza të tjera për shërbim ndaj Ramës të demokratëve më të votuar! Duke ia nxjerrë ‘të palarat’ njëri tjetrit për bashkëpunimin me njerëzit e krimit!

Këtyre akuzave iu bashkua dhe Berisha, teksa akuzoi jo vetëm Salianjin por dhe Kadiun, fituesin e primarëve në Tiranë, se nuk janë përfshirë në fushatën e PD, duke marrë menjëherë reagimin e tyre se po bëhen akuza të pavërteta! E reja në këtë rast ishte përfshirja këtë radhë e Berishës në mënyrë të drejtëpërdrejtë në debatet me strukturat e bazës dhe anëtarët e kryesisë, pasi më parë këtë ‘punë të pistë’ ai ua kishte lënë mbështetësve e ithtarëve të tij, duke filluar që nga Noka e përfunduar tek Vokshi! Për të goditur ‘armiqtë’ dhe ‘tradhëtarët’! Këtë radhë jo!

Aq rëndë është situata në PD, sa jo vetëm që kanë shkëmbyer akuza dhe kundërakuza mes tyre si dhe kanë deklaruar vijimin e foltoreve paralele në bazë, por në këtë valë debatesh janë përfshirë dhe persona me ndikim në PD, që për hir të së vërtetës gjenden shumë afër dhe brenda familjes Berisha! Të cilët nuk kanë kursyer as Flamur Nokën, teksa janë shprehur se numrat dy të PD ka qenë gjithmonë intelektualisht afër Berishës, ku përmendet Arben Imami, Neritan Ceka, Bamir Topi, Ridvan Bode dhe Jozefina Topalli, ndërkohë që numri dy aktual i PD-së, duke iu referuar Flamur Nokës, është shumë larg intelektualisht kryetarit Berisha. Për më tepër që njerëzit që janë shumë afër familjes së Berishës kanë nënvizuar faktin se kreu i PD s’është më ai i pari, është zbutur shumë duke u përpjekur të justifikojë firmat për Shabanin, teksa kanë hedhur akuza të rënda se opozita po humbet moralin, të vetmen gjë që ka në dorë kur nuk është në pushtet.

Madje nënvizojnë se Berishën ata nuk e mbështetën për të marrë drejtimin e partisë, si pajtues fëmijësh politikë në PD, por si lider i fortë që vendos parimin edhe kur politikisht nuk i shkon për shtat si parti. Duke akuzuar fort zërat ndryshe në PD, teksa i kujtojnë liderit demokrat se nuk mund të tallen fëmijët e llastuar të ekraneve të kundërshtarit politik, me thelbin e të bërit politikë dhe se nuk mundet partia më e madhe e opozitës të mos nxjerrë kandidat të saj, se ‘s’duan dy tre palaço të Ramës që dalin në media si opozita e opozitës’. Sipas njerëzve të afërt të familjes Berisha, ‘t’i qëndrosh presionit të padrejtë të SHBA e të përkulesh para presionit të Shabanit e Shehajt, vetëm një PD pa lidership politik mund ta bëjë.

Berisha duhet të sillet si Berisha, bash për këtë u mbështet. Kthehuni tek parimet e lërini negociatat me Flamura e Oerda. Opozita të vetmin pushtet ka moralin, asgjë tjetër. Po e falët edhe këtë, ulni qepenin e mos gënjeni më njerëzit. Po luajtët me taktikat e Ramës, fiton Rama, se ka nën kontroll gjithçka”. Janë fjalë të rënda këto, pasi deklarohen nga brenda familjes Berisha!

Dhe këtyre akuzave i janë shtuar dhe akuza nga ish deputetë e mbështetës të fortë të Berishës, mes të cilëve Edmond Spaho, i cili shprehet se opozita po sillet si një ‘pulë pa kokë’, aludim i hapur se Berisha nuk e ka situatën nën kontroll dhe vartësit e tij po veprojnë sipas kokës së tyre pa koordinim e mbi të gjitha pa pyetur liderin e PD. Pra mesazhi nga të gjitha anët është i qartë: Berishën po e ‘vozisin’ dhe më shqip, por e përdorin shumë keq njerëzit brenda PD për qëllimet e tyre duke i bërë qejfin, e jo sipas formatit që kërkon të sillet një lider politik si Berisha!

Për hir të së vërtetës Berisha nuk është zbutur aspak! Ai me shpirt i përjashton të gjithë ata që i kanë dalë kundër brenda partisë, jo vetëm nga strukturat drejtuese, por përfundimisht e pa kthim edhe nga PD, për të qënë njëherë e mirë rehat me këtë punë! Dhe kjo mundësi nuk përjashtohet duke parë presionin e madh që ka brenda familjes madje, jo vetëm nga baza e partisë, e cila ka shtuar në ‘listën’ e shkarkimeve, edhe emrat e nënkryetarëve dhe të sekretarit të përgjithshëm të PD!

Por Berisha ka dy arësye që nuk po ‘nxitohet’ në këtë drejtim! Pengesa e parë është fakti se një përjashtim i ri do të ‘fironte’ dhe 260 mijë vota ta tjera në zgjedhjet e ardhshme! E themi këtë sepse goditja ndaj Bashës dhe grupit të tij kohë më parë, ndonëse pjesa më e madhe me në krye Bardhin e Salianjin u rikthyen te Berisha pas marrjes së vulës dhe logos së partisë me vendim gjykate, dha një kosto prej 260 mijë votash minus për PD në zgjedhjet e 11 majit, krahasuar me ato të 4 viteve më parë kur opozita drejtohej nga Basha! Ndarja e rrënoi më shpejt PD-në, për ta katandisur në kufijtë e mbijetesës si forcë politike, pasi pushtetin e ka qarë me kohë dhe me vakt dhe për këtë janë të bindur që nga baza deri tek kupola blu. Me Berishën në krye, kurrë nuk vijnë në pushtet! Për këtë janë të bindur të gjithë, por nuk kanë çfarë të bëjnë!

Por arsyeja më e fortë që e pengon Berishën të veprojë me dorë të hekurt, është se ai tashmë është plakur! Për efekt të moshës, është mbi 81 vjeç, Berisha nuk mund të kontrollojë të gjitha lëvizjet në PD, rrymat dhe orekset brenda kësaj partie, dhe për këtë arsye, me sa duket ai mbështetet gjithnjë e më shumë tek ato që i servirin njerëzit që ka më afër në parti! Kryesisht nënkryetarët dhe sekretari i përgjithshëm.

Jo pak herë Berisha është zënë ‘mat’ ose duke folur me frazeologjinë e Nokës ose teksa ka shpenzuar kohë e fuqi duke mbrojtur Nokën në takimet e bazës e në kryesi! Siç bëri dhe në rastin e justifikimit të deputetëve të PD për firmat e hedhura për Shabanin, madje duke rrezikuar shumë teksa ka mashtruar për datën e firmosjes dhe arsyen përse firmosën! Duke këmbëngulur se nuk ka pasur asnjë urdhër nga numri dy i PD për firmat! Por dhe është luhatur mes qëndrimeve të Bardhit e të eksponentëve të tjerë të kësaj partie. Ndoshta është ndikuar dhe në mënyrë të pavatedishme, pasi s’ka asgjë për të dhënë vetë!

Më se njëherë Berisha ka treguar se është i pasigurtë në sjelljen e tij politike, jo vetëm për shkak të gafave që ka bërë në deklarimet publike, jo vetem për shkak të ngatërrimit me ose pa dashje të kohëve e ngjarjeve, vendndodhjes së tyre si pasojë e demencës së moshës së thyer e pleqërisë së thellë që e ka kapur, por dhe pse ai po shfaqet gjithnjë e më shumë në publik si një politikan i thyer e pa asnjë shpresë, si një politikan i shterruar e për më tepër i udhëzuar shumë keq! Aq sa përfshihet vetë nëpër polemika nën nivelin e një lideri, ‘punë të pista’ që dikur ua kishte lënë të tjerëve! Pa përjashtuar këtu qasjen e njejtë ndaj opozitarizmit, njëlloj si në vitin 1990, pavarësisht se tashmë jemi 35 vite pas, në kohën e internetit, dhe askush nuk dëgjon versione të vjetëruara të të bërit opolitikë! Aq më tepër këta të rinjtë që nuk pyesin fare! Dhe s’mashtrohen për më tepër!

Pikërisht kjo ka tërhequr me sa duket dhe vëmendjen e familjarëve të tij, që përmes njerëzve që kanë afër kanë hedhur mesazhet se Berisha është zbutur dhe nuk po vepron me dorë të fortë por sipas tekave apo e thënë më thjeshtë vepron me mendtë e njerëzve brenda PD, që nuk shquhen fort për mendje të ndritura! Madje dhe i kanë anatemuar ata me emra. Apo siç e thotë sërish njeriu afër familjes Berisha, në një mesazh të tij se “ajo parti (PD) ka nevojë më shumë se kurrë t’ju drejtohet universiteteve, po ju hapën dyert, e të ikë nga idiotët e padobishëm dhe kalamajtë e pazareve të vogla. Po nuk e bëri dot këtë Sali Berisha, me ty Ervin, me Mulin e formatin tuaj do të kthehet si partia e Tomës”!

Prandaj familjarët e Berishës mesa duket kërkojnë dorë të hekurt në qëndrimet politike, për të mos i pyetur as “idiotët e padobishëm dhe as kalamajtë e llastuar në PD”, pra as ata që janë nën nivelin zyrtar të inteligjencës apo intelektualizmit! Po kujt ia kërkojnë, themi ne! Berisha është vërtetë i plakur, i lodhur e madje shumë i lodhur dhe e ka të vështirë t’i ‘thithë’ këto mesazhe e ta menaxhojë më siç duhet veten, prandaj po mbetet ende nën ‘vozitjen’ e njerëzve afër tij në PD!

Më e udhës do të ishte që ta mblidhnin në shtëpi, dhe njëri nga fëmijët, meqë PD është pronë e ‘hipotekuar’ e Berishajve dhe pikërisht për këtë arsye lufta nuk po bëhet për 1-shin e partisë por 2-shin e saj, të merrte zyrtarisht drejtimin e kësaj partie! Për t’ua prerë po zyrtarisht edhe atë fiksimin atyre që, sipas po këtyre familjarëve, ‘në mëngjes dalin para pasqyrës dhe e shohin veten pasues të Berishës’! Më mirë vonë se kurrë!

Do të shpëtonin të paktën ‘erzin’ e kreut aktual të PD e familjarit të tyre, i cili nuk po rinohet më, por po plaket më shumë  çdo ditë e orë, e për pasojë më të mëdha do të jenë gafat, që do të nxjerrë nga goja dhe që do t’i prezantojë si opozitarizëm! Fundja pa Berishën kryetar ndryshohen më kollaj dhe sekretari i përgjithshëm dhe nënkryetarët e PD! E akoma më lehtë ‘idiotët e kalamajtë e llastuar’ në PD. Sikurse etiketohen!