Këtë të shtunë Sali Berisha rizgjidhet kryetari i ri i PD, sipas parimit ‘një anëtar, një votë’ apo ‘referendumit’ për kryetarin sipo ka dëshirë ta quajë këto ditët e fundit! Jo se nuk ka qënë kryetar apo kishte dyshime se nuk do të merrte votat e demokratëve për të vijuar drejtimin e kësaj partie përtej 35 viteve!

Askush nuk e ka vënë dhe as e vë në dyshim faktin se Berisha, përballë çdo kandidati që do të përzgjidhej për të garuar me të, në këtë derenxhe ku është katandisur PD dhe mbi të gjitha pas goditjeve të njëpasnjëshme që janë dhënë ndaj çdo mendimi ndryshe dhe mbështetësve të tyre në këtë parti, do të ishte ai fituesi i garës për kryetarin!

Berisha kandidon përballë Berishës, i vetëm, për të ‘ratifikuar’ praninë e tij në krye të PD, pa pasur asnjë frikë se dikush mund ta rrezikojë t’i prishë ‘madhështinë’ e fitores në këtë parti, madhështi e cila që nga viti 2013 i ka rezervuar PD-së,  vendin e nderit në krye të opozitës, vend që pritet të mbaet dhe në dekadën e ardhshme, pavarësisht rrudhjes vit pas viti të saj!

Të gjithë e kuptojnë arsyen e dhunimit të PD deri në këtë farë feje, sa të përjashtohen të gjitha kandidatët, sado fiktivë ishin, në garën për postin e kryetarit, por që mund ta ‘moderonin’ sadopak procesin e zgjedhjeve në PD, qoftë dhe formalisht për të thënë nse u bë garë! Por ama, askush me mendje normale nuk arrin të depërtojë në ‘poret gri’ të Berishës për të mësuar, qoftë dhe përgjithësisht se përse ai e ‘përdhunon’ në këtë farë feje PD-në! Të tijën e ka, pse e mundon kaq shumë, për të treguar se e zotëron në çdo qelisë të saj!

Nuk ka në asnjë cep të statutit të PD një nen apo një paragraf që përcakton kritere për kandidatin për kryetar partie! E themi këtë sepse, nëse është mbi 18 vjeç, aderon në këtë parti, ai ka të drejtë të zgjedhë apo të zgjidhet! Nëse nuk vlen, pra ka ‘resurse’ negative, është vetë anëtarësia e PD ajo që e nxjerr jashtë loje, duke i dhënë votën kundër! Nuk ka asnjë nen të statutit që përcakton që kandidati kryesor përzgjedh rivalët e tij! Madje dhe vendos që garën ta bëjë pa rivalë! Vetëm Berisha e bën këtë gjë! 

Këtë të shtunë demokratët, disa të tronditur ndërsa të tjerë më sindromën e “Stokholmit’, do të shkojnë në kutitë e votimit për të votuar! Përpos kupolës së PD afër Berishës që e dinë se për çfarë do të votojnë, të thjeshtët demokratë ende mbeten të paqartë nëse do të votojnë për zgjedhjen e kryetarit, apo për referendumin që Berisha të qëndrojnë në krye të PD deri në vdekje! Se tashmë dhe në kundërshtim me statutin, ajo që thirrje deri më tani si votim për zgjedhjen e kreut të PD sipas parimit ‘një anëtar mjë votë’, tashmë është trasformuar më referendum për Sali Berishën! Për ta “çimentuar’ atë si i ardhma e PD deri në vdekje!

Pasi e tha para mediave deputeti Ivi Kaso se më 23 maj, Partia Demokratike do të zhvillojë një referendum për kryetarin Sali Berisha. Kaso tha në një dalje për mediat, në emër të Komisionit të Organizimit dhe Kontrollit të Operacioneve Elektorale të Partisë Demokratike. “Në të gjithë degët e PD do të ngrihen qendrat e votimit ku, nga ora 08.00 deri në orën 18.00 demokratët janë të thirrur të votojnë masivisht, në këtë shprehje të demokracisë së drejtpërdrejte. Nëpër degët e mëdha, sipas kërkesave është përcaktuar se mund të ngrihet edhe më shumë se 1 qendër votimi. Këtë të shtunë 77 degë të PD në të gjithë Shqipërinë shprehen në referendum për kryetarin në një ushtrim të demokracisë”, tha Kaso! E ‘zeza mbi të bardhë’! Pavarësisht se nuk dihet kur u mor vendimi për referendumin, kush e mori, qoftë dhe në kundërshtim me statutin!

Prandaj themi se, kjo është dilema që po trazon mendjen e demokratëve të cilët do të zbarkojnë këtë të shtunë nëpër kutitë e votimit në selitë e PD në Tiranë dhe në degët në rrethe, për t’i vënë ‘kryqin’ vetëm një emri në fletën e votimit: Sali Berishës! Dilemë e cila pritet të sjellë dhe firo në pjesëmarrje, por aspak në kutinë e votimit! Pasi fletët në një formë apo tjetër do të jenë aty ëpr t’u numëruar, si gjithnjë, të gjitha në kutitë e votimit! Dhe përmes ndonjë arithmetike ndryshe, ku dalin më shumë vota pro për kandidatin  se sa votues, trashëgimi kjo nga arithmetika ‘proverbiale’ e Lulzim Bashës! Që ia thoshte rëndshëm në këtë drejtim!

Për të mbuluar përllogaritjen e numrit të anëtarësisë në PD, të tronditur nga largimet dhe përjashtimet përmes ‘krehjes’ së listave të zgjedhësve në këtë parti, por dhe për të treguar pjesëmarrje të lartë në ‘referendumin’ për zgjedhjen e Berishës në krye të PD, nuk përjashtohet mundësia që të merret si model, zgjedhja e kreut vendor të PD të Kurbinit, ku në procesverbalin përtundimtar të rezultatit thuhej se “numri i fletëve të gjetura në kuti ishte 1500, ndërsa numri i votuesve që kishin marrë pjesë ishte 784”. Në PD ndodhin këto gjëra!

Kush do ta kundërshtojë Berishën që bën me PD si të dojë! I ka marrë parasysh të gjitha ai, vetëm e vetëm që të qëndrojë në krye të kësaj partie, të mos ketë asnjë rival, humbës kuptohet, që në momentin e thirrjes nga i Plotfuqishmi për në amëshim, të mos ketë asnjë mundësi të hyjë në garë si i privilegjar, asnjë prej këtyre rivalëve humbës! Prandaj përjashtoi Salianjin, Balliun, Meremen, Mulajn dhe i futi frikën në palcë Gaz Bardhit apo këtyre të tjerëve që as nëpër mend nuk e kaluan mundësinë e një gare me Berishën. Qoftë dhe për t’i dhënë seriozitet garës dhe fuqi legjitimuese zgjedhjes së Berishës në krye të PD, me një ‘tundje beli’ të paktën!

Kanë dërguar letra në Bruksel tek PPE-të, tek Parlamenti Evropian dhe në Berlin, por pa asnjë efekt për Berishën! Do të kishin efekt nëse Berisha pretendon për të sjellë PD në pushtet! Por ai e ka ndarë mendjen! Do të jetë kreu i opozitës deri në vdekje, dhe bashkë me të në opozitë do të jetë PD dhe aleatët e saj! Sa të jetë gjallë ai! Dhe një kryetari partie që nuk pretendon të vijë në pushtet askush nuk ka çfarë i bën! Vetëm Zoti ndërhyn, larg qoftë ajo ditë dhe jetë sa më të gjatë për Berishën, që ta ‘heqë’ nga kryetar i PD! Prandaj bën kështu Berisha, s’pyet për askënd!

Deri atëherë demokratët, ata që kanë mbetur apo do të mbeten pas largimit në punën e tyre ose drejt pushtetit, do të qëndrojnë në opozitë! Deri atëherë dhe këta ‘mëtonjësit’ për postin e kryetarit do të qëndrojnë në pritje, për të filluar pastaj luftën për të marrë postin e kryetarit, gjithnjë duke qëndruar afër Berishës deri në amëshim! Brenda rrethit më të afërt të tij! Deri atëherë do të durojnë dhe heshtjen tallëse të fëmijëve të Berishës, të cilët shohin jo pa ironi këtë devotshmëri të shtirë të këtyre njerëzve pa shtyllë kurrizore, pasi për hir të së vërtetës janë ata që e kanë në ‘testament’ si trashëgimi PD-në, kanë në dorë letrat e pronësisë së saj në emër të familjes Berisha! Thjeshtë argëtohen me ‘mëtonjësit’, shohin si e ‘dredhin’ ditë pas dite ‘belin’!

Ndërkohë që për të gjithë ata që shpresojnë në ringritjen e PD dhe të opozitës, këshilla jonë është që ta marrin lehtë këtë punë! Berisha e ka me nge, herë acaron situatën duke hedhur kamikazët në flakë përmes molotovëve e fishekzjarrëve dhe menjëherë pas kësaj skeme, hyn në konsensuse marramendëse me mazhorancën në pushtet! Hedh dhe ndonjë lek, miliona dollarë apo euro meqë ra fjala, për lobim në SHBA e Berlin për ta bërë sa më të besueshëm për ithtarët, mashtrimin  e madh se po përpiqen për të ‘rregulluar telat’ me ndërkombëtarët për rrëzimin e Ramës! Kërcënohet dhe Rama herë pas here, por ky kërcënim, thjeshtë e vetëm përdoret si ‘drogë’ për të qetësuar demokratët! Do të vazhdojë gjatë kështu! Berisha është rracë që jeton gjatë!