DURRËS- Një deklaratë (gafë) e bërë në media mbi situatën e tërmetit, se është e kënaqur me 50 viktima është bërë shkak që kryebashkiakja e Durrësit Valbona Sako të japë dorëheqjen. Një ditë pas videos që u bë virale duke ngjallur shumë reagime, Sako ka njoftuar këtë vendim të saj. Ajo thotë se është e lënduar nga reagimi i madh që pato ndaj deklaratës së saj dhe ka marrë këtë vendim nën një stres që i kalon fuqitë e saj.

"E lënduar nga reagimi i madh negativ ndaj një prononcimi që bëra, nën një stres që i kalon fuqitë e mia, jap dorëheqjen nga detyra e Kryetares së Bashkisë Durrës.Falenderoj nga zemra të gjithë ata që më besuan dhe shpresoj në mirëkuptimin e të gjithëve", shkruan Sako.

Pas Valbona Sakos është dorëhequr nga posti edhe nënkryetarja e bashkisë së Durrësit, Etleva Kondi. Drejtimin e Bashkisë së Durrësit tashmë e ka marrë nënkryetari Zhuljen Varfaj.

Një ditë më parë në një intervistë për TCH, Sako deklaroi se është e kënaqur me 50 viktima pasi në raste të tjera kanë qenë mbi 1000 viktima. "Ky ishte një tërmet i nivelit shkatërrimtar, por që jemi të kënaqur me 50 viktima, pasi në raste të tjera kanë qenë mbi 1000 viktima", tha Sako.

Ndërsa në një intervistë për nje tjetër televizion ajo tha se qytetarët po akomodohen në hotele me pesë yje, që në kushte normale nuk do t’i paguanin dot as për pushime.

“Ata që nuk janë sistemuar do të thotë që, zotëria, sot jemi në ditën e katërt nuk ka pasur nevojë për t’u sistemuar. Sot kemi evidentimin e saktë të pjesës së qytetarëve që realisht nuk kanë ku të banojnë. Akomodimi është i organizuar dhe siguruar për të gjithë. Qytetarët paraqiten në bashkinë e Durrësit, krijojmë një lëvizje të organizuar me transport dhe i çojmë në hotele në kushtet më të mira, janë hotele me 5 yje, që në kushte normale zotërinjtë nuk do të mund t’i paguanin për pushime”, u shpreh Sako

Sako qëndroi në postin e kryebashkiakes për rreth 3 muaj. Ajo mori mandatin pas zgjedhjeve të 30 qershorit ku kandidoi përballë kandidates së Bindjes Demokratike Valdona Sakollari.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 18:44
'Durresi i rikthehet Dakos', reagon Xhaferraj pas vendosjes së Varfajt si kryebashkiak

1575222474_du.jpg

Pas dorëheqjes së Valbona Sakos, postin për krybashkiak e mori Zhyljen Varfaj.

Nisur nga ky rast, ka reaguar edhe kreytari i Partisë Demokratike të degës Durrës, Ferdinand Xhaferraj.

Ai janë shprehur nëpërmjet faqes zyrtare ne Facebook se Varfaj është njeriu i tenderave korruptive që akoma nuk janë mbyllur në prokurori dhe se është njeriu më i afërt i Vangjush Dakos.

"Durresi i rikthehet Dakos. Me vendimin e sotem te keshillit bashkiak njeriu me i afert i Vangjush Dakos, Zhyljen Varfi apo njeriu i tenderave korruptive qe akoma sjane mbyllur ne prokurori, merr ne dore drejtimin e Bashkise.

Doreheqjet e njepasnjeshme te Sakos, dhe nen/kryetares Kondi ne te vertete tregojne shkermoqjen e Edi Rames, arkitektit te rrenimit te Durresit. Sot kemi anarki totale ne administrimin e qytetit se per vite te tera nuk i eshte sherbyer interesave te qytetareve, por vetem te grupeve kriminale.

Kjo eshte arsye qe sot askush nuk eshte ne gjendje te sherbeje dhe jemi ne kushtet e ç’organizimit ku kudo qytetaret, ne te gjitha lagjet e qytetit, na thone se askush nuk i ka kontaktuar. Ferdinand Xhaferaj", është shkruar në faqen zyrtare.

Ora 14:22
Zëvendësoi Sakon në Durrës, Varfaj për Report Tv: Përgjegjësi e jashtëzakonshme

Kryetari i ri i bashkisë së Durrësit në detyrë Zhulien Varfa në një prononcim për Report Tv pas marrjes së detyrës u shpreh se është një përgjegjësi e madhe sidomos në këto momente tragjike që po kalon qyteti. "Do të jemi 24 orë në ndihmë të qytetarëve. Marrja e detyrës në këtë moment është përgjegjësi e madhe. Situata në qytetin e Durrësit është e jashtëzakonshme" tha ai. Varfaj ka mbajtur më herët postin e nën kryetarit të Bashkisë së Durrësit.

Ora 14:00
Pas Valbona Sakos, dorëhiqet edhe nënkryetarja e bashkisë së Durrësit

1575205313_kondi.jpg

Pas Valbona Sakos është dorëhequr nga posti edhe nënkryetarja e bashkisë së Durrësit, Etleva Kondi. Ajo u emërua në krye të detyrës rreth 2 muaj më parë. Dorëheqja e kryebashkiakes së qytetit bregdetar, Sakos dhe nënkryetares vjen në një situatë ku qyteti i Durrësit është shkatërruar nga tërmeti i 26 nëntorit.

Ora 13:17
Dorëheqja e Sakos, nënkryetari merr drejtimin e Bashkisë së Durrësit

1575202760_varfasj.gif

Zhulien Varfa do të marrë kompetencat drejtuese të Bashkisë së Durrësit, deri në zgjedhjen e një kryebashkiaku të ri. Ky vendim u mor sot në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Durrësit pas dorëheqjes së Valbona Sakos. 

Varfaj ka mbajtur më herët postin e nën kryetarit të Bashkisë së Durrësit.