TIRANE-Shtyhet sërish gjyqi kundër ish-ministrit të Brendshëm. Saimir Tahiri nuk bëri asnjë deklaratë gjatë seancës gjyqësore, që u shty për shkak se nuk ishte njoftuar njëri nga të pandehurit në mungesë, Gjergji Kohila, ndërsa edhe prokura e tij për avokatin ishte me probleme, sipas gazetarit të Report Tv, Arsen Rusta. 

Pas daljes nga gjykata e Krimeve të Rënda, Tahiri u shpreh se Shqipëria po ecën para, vetëm gjyqi i tij ka ngecur. ''Keq me vjen që u shty, unë do të vazhdoj të kërkoj një gjyq sa më të shpejtë, se nuk ka më terezi njeri qe ky gjyq te zgjatet kaq shume. Shqipëria po ecën para, vetëm gjyqi im ka ngecur' tha ai. Pas dështimit të dy seancave të para, e treta është caktuar në 17 Korrik.

Tahiri akuzohet për “korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “trafik të lëndëve narkotike kryer në bashkëpunim” dhe “grup të strukturuar kriminal” në kuadër të dosjes 'Habilaj'. Në 19 Qershor ai tha se është i lodhur nga zvarritja e këtij procesi gjyqësor dhe kërkoi gjykim të shkurtuar.

Sipas tij, ky proces po zvarritet më kot dhe ka dyshime se pas fshihet politika. Gjykimi i shkurtuar nuk do të thotë pranim fajësie, por që gjykimi të zhvillohet pa iu nënshtruar shqyrtimit të fashikujve gjatë procesit në themel.