Sot u zhvillua në Gjykatën e Posaçme seanca e parë e procesit penal që Carlo Bollino ka hapur ndaj Jamarbër Berishës dhe Belind Këlliçit për veprat penale të shpifjes dhe fyerjes. Procesi kishte nisur fillimisht në Gjykatën Penale të Juridiksionit të Përgjithshëm, por ndërkohë që Belind Këlliçi u bë deputet, gjykata vlerësoi se kompetenca kalonte te GJKKO.

Përmes shortit elektronik, gjyqtare e çështjes u caktua Irena Gjoka, e cila në seancën e sotme njoftoi se kishte paraqitur kërkesë për heqje dorë nga gjykimi, për shkak të konfliktit gjyqësor që ka në një proces tjetër me Jamarbër Berishën. Edhe Jamarbër Berisha dhe Belind Këlliçi kërkuan që çështja të mos gjykohet nga Irena Gjoka.

Në pritje të vendimit për këtë kërkesë, Carlo Bollino refuzoi që sot në sallën e gjyqit çdo mundësi pajtimi me të kallëzuarit. Për këtë arsye, që nga seanca e ardhshme në proces do të marrë pjesë edhe një prokuror i SPAK-ut.

“Ne jemi këtu për të kërkuar drejtësi pas një seri shpifjesh që vazhdojnë edhe sot në seancë. Pala tjetër kishte një pankartë në të cilën kishte përsëritur të njëjtat shpifje për të cilat unë i kam kallëzuar”, shprehet botuesi Bollino.

Por pikërisht përpara SPAK-ut u zhvillua për herë të parë një përballje mes Carlo Bollinos, në cilësinë e palës kallëzuese, dhe Jamarbër Berishës me Belind Këlliçin, në cilësinë e të kallëzuarve për shpifje dhe fyerje.

Bollino pati kështu mundësinë t'u thoshte për herë të parë ballë për ballë, edhe në prani të kamerave, të vërtetën mbi këtë proces dhe arsyet pse i ka kallëzuar penalisht.

E vërteta e parë, sipas Bollinos, është se Jamarbër Berisha dhe Belind Këlliçi kanë deklaruar publikisht se ai është bërë pronar duke e vjedhur truallin ku ka ndërtuar me shpenzimet e veta godinën e Report TV. Në të vërtetë, tha Bollino, trualli nuk është blerë dhe as përvetësuar, por është marrë me qira nga shteti përmes një procedure publike konkurruese. Megjithatë, të kallëzuarit kanë pretenduar prej vitesh se ai e ka "vjedhur" truallin duke paguar vetëm një euro.

“Unë nuk jam pronar, kam marrë me qira një tokë publike. Nuk jam pronar. Akuza për vjedhje është shpifje. Unë s’kam marrë pronësi, unë jam qiramarrësi. Jam në pritje të drejtësisë. Jam viktimë e shpifjes dhe fyerjes. Nuk e kam sulmuar opozitën, përveç në disa raste Berishën me të cilin kam konflikt 30-vjeçar. Nuk kam konflikt me Këlliçin as me Malltezin”, thekson Bollino.

Gënjeshtra e dytë, sipas Bollinos, është pretendimi i Jamarbër Berishës se ai është pronari i ligjshëm i atij trualli. Bollino i kujtoi se ai nuk ka qenë kurrë pronar dhe e sfidoi edhe një herë të paraqesë certifikatën e pronësisë, dokument që, sipas tij, nuk është dorëzuar kurrë në gjykatë, megjithëse është kërkuar edhe nga vetë gjyqtari.

Carlo Bollino: A ke certifikatë pronësie? Ke pasur ndonjëherë?

Jamarbër Berisha: Po. Patjetër. E keni tek ky libër.

Carlo Bollino: Pse nuk e ke dorëzuar në gjykatë? Sepse ti nuk ke qenë pronar asnjëherë. Është gënjeshtër. S’ka certifikatë pronësie.

Carlo Bollino pranoi kërkesën e palës së kallëzuar për zëvendësimin e gjyqtares, jo sepse ka ndonjë rezervë ndaj Irena Gjokës, por sepse dëshiron që procesi të zhvillohet para një gjyqtari, vendimi i të cilit të mos mund të kontestohet nga askush.

“Më mirë të ndryshohet gjyqtarja, sepse unë dua një vendim jashtë çdo polemike. Nuk e njoh fare Irena Gjokën”, thekson Bollino.

Tani do t'i takojë SPAK-ut dhe gjykatës të përcaktojnë se kush thotë të vërtetën: Carlo Bollino apo çifti i PD-së Berisha–Këlliçi. Gjykata do të duhet të vlerësojë nëse akuzat që ata kanë përsëritur prej vitesh kanë ndonjë bazë faktike, apo nëse përbëjnë thjesht shpifje dhe fyerje të përdorura për të goditur një gazetar të pavarur, të cilin, sipas Bollinos, Sali Berisha e ka sulmuar dhe shpifur si armik personal prej më shumë se 30 vitesh.