PARIS - Numri një i botës së tenisit, italiani Jannik Sinner është eliminuar nga Roland Garros. Argjentinasi Juan Manuel Cerundolo (vendi 56 në botë) përmbysi ndeshjen 2-3 me sete (6-3, 6-2, 5-7, 1-6, 1-6), duke marrë të drejtën për të kaluar më tej pas 3 orësh e 31 minuta loje. Sinner largohet që në raundin e dytë në turneun francez, por italiani u ndje keq pas setit të dytë dhe nuk mundi të dominonte më ndeshjen.
Në avantazhin 2-0 me sete, Sinner u ndje keq papritur, ndërsa dyshohet se temperaturat e larta deri në 34 gradë kanë bërë që ai të kalojë një kolaps, duke kërkuar ndihmën e fizioterapistit. Në një moment ai u dëgjua që t'i kërkojë leje gjyqtares së ndeshjes për të shkuar në dhomat e zhveshjes. 'Nuk ndihem mirë, më duhet të vjell', tha Sinner duke u larguar, për t'u rikthyer pas disa minutave.
Gjendja e italianit u pa e rënduar dhe kjo u vërtetua në fushën e lojës. Pas këtij momenti rivali Juan Manuel Cerundolo përmbysi ndeshjen me lehtësi, aq sa në disa raste u duk se Sinner thjesht po kalonte topin për inerci, duke gabuar me qëllim në shërbime, apo duke mos ndjekur asnjë kthim topi; si të kërkonte me ngulm fundin e ndeshjes. Sezonin e shkuar Sinner u mposht në finalen e Parisit nga Carlos Alcaraz.
I nxehti bëhet problem në Roland Garros
Nxehtësia po sjell shumë probleme në këtë turne. Fillimi i Roland Garros nuk bëri përjashtime dhe "viktima" e fundit ishte Jannik Sinner, i cili pësoi një kolaps fizik gjatë ndeshjes kundër Cerundolos. Por, edhe Jakub Mensik u shemb në tokë pasi mundi Navone në pesë sete. Përpara këtij rasti, Casper Ruud gjithashtu pati probleme serioze me nxehtësinë, pavarësisht se arriti të fitonte kundër Safiullin.
"Mendoj se me të vërtetë pësova goditje nga nxehtësia. Më merreshin mendtë dhe ndihesha si një zombi. Më kishte ndodhur vetëm një herë në Uashington disa vite më parë dhe në atë rast u detyrova ta braktisja ndeshjen. Këtë herë isha dy me një përpara, kështu që i thashë vetes se duhej ta ulja temperaturën e trupit tim dhe për fat të mirë funksionoi", tha Casper Ruud.
Jannik Sinner 'largon' të nxehtin e Parisit
Komente








