TIRANE -  “Janullatos e mbajti në greqisht meshën dhe do të vazhdojë ta mbajë duke treguar forcën e shtetit grek. Ai ka udhëzime të veçanta dhe qëllimisht provokon në këtë mënyrë. Kjo është mënyra me të cilën demonstrojnë forcën e tyre kisha dhe shteti grek. Ata ndihen të fortë karshi nesh ndaj e demonstrojnë në kët mënyrë”, ky ka qenë reagimi i parë që ka dhënë për “Shqiptarja.com” kreu i Kishës së “Shën Marisë” në Elbasan, At Nikolla Marku, i pyetur rreth çështjes së dhënies së meshës në gjuhën greke nga kryepeshkop Janullatos.

At Nikolla Marku, ka kohë që në mënyrë publike ka kritikuar veprimet e kryepeshkopit Janullatos, madje ai ka kërkuar edhe largimin e klerikut grek nga kreu i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare. Ditën e Pashkës, në meshën për Ringjalljen e Krishtit, kryepeshkopi Janullatos e ka kryer shumicën e liturgjisë në gjuhën greke dhe jo në atë shqiptare. Ky akt i kreut të Kishës Ortodokse ka ngjallur pakënaqësi tek besimtarët, madje në qyetin e Fierit janë hedhur trakte ku kërkojnë largimin e Janullatosit.

Duke parë këtë irritim të besimtarëve ortodoksë, “Shqiptarja.com” ka biseduar me At Nikolla Marku, duke kërkuar që nëpërmjet një njeriu të Kishës Ortodokse të hedhë dritë rreth problematikës së krijuar nga kryepeshkopi Janullatos, i cili edhe pse është një njohës shumë i mirë i gjuhës shqipe, kohët e fundit në ritualet kryesore të Kishës Ortodokse nuk përdor më gjuhën shqipe, por atë greke.
 
At Nikolla, kryepeshkopi Janullatos gjatë Meshës së Shenjtë për Ringjalljen e Krishtit e ka kryer ritualin në gjuhën greke, përse ka ndodhur kjo, kur Kisha Autoqefale Shqiptare duhet të përdorë gjuhën shqipe? 
Janullatos e mbajti në greqisht meshën dhe do të vazhdojë ta mbajë, duke treguar forcën e shtetit grek. Prandaj ne besimtarët dhe intelektualët shqiptarë duam që ai të largohet, sepse ai e ka mbaruar prej kohësh misionin e tij, që ka qenë rindërtimi i Kishës Ortodokse

Kryepeshkopi është një njohës i mirë i gjuhës shqipe, madje për disa vite me radhë ai i ka kryer shërbesat në ditët e shenjta në gjuhën tonë, përse kohët e fundit ka rifilluar liturgjinë në gjuhën greke?
Janullatos ka udhëzime të veçanta dhe qëllimisht provokon në këtë mënyrë. Kjo është mënyra me të cilën demonstrojnë forcën e tyre kisha dhe shteti grek. Ata ndihen të fortë karshi nesh ndaj e demonstrojnë në kët mënyrë.
Por, Kisha Ortodokse Shqiptare është Autoqefale, pra nuk varet nga Kisha Greke, por nga Patriarkana në Stamboll…
Ne nuk kemi Kishë të pavarur shqiptare. Njohja nga Patriarkana si Kishë e pavarur është fiktive, sepse ne realisht jemi një zgjatim i Kishës Greke. Ka kohë që ortodoksët shqiptare e kanë humbur drejtimin e Kishës së tyre.

At, ju keni kohë që jeni kritiku më i ashpër i kryepeshkopit Janullatos, madje kërkoni largimin e tij, pse ndodh kjo?
Janullatos është njeriu i satirës dhe i forcës. Njeriu që e merr forcën nga kisha e shteti grek dhe nga paratë e fshehta që i vijnë nga Greqia. Kjo i jep atij forcën që arrin deri aty sa të betonizojë kishën shqiptare. Ai është njeriu që e kishte lënë të degdisur në një fshat të Elbasanit varrin e Visarion Xhuvanit. Dhe kur ne, disa njerëz të kishës dhe intelektualë të qytetit, u mblodhën dhe i sollëm eshtrat në Elbasan, ai dha urdhër për të betonizuar varrin e Visarion Xhuvanit.

Si mund të rikthehet gjuha shqipe në ritualin e Kishës Ortodokse?
Janullatos do të vazhdojë rrugën e tij, duke vazhduar me provokimet, derisa shtetarët shqiptarë të qëndrojnë kokëulur e të pafuqishëm para shtetit grek, që është në mbështetje të politikave uzurpuese të kishës greke ndaj asaj shqiptare. Shteti shqiptar duhet të ndërhyjë që t’ua kthejë Kishën Ortodokse shqiptarëve.

Shkrimi u publikua sot (22.04.2014) në gazetën Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)