Të paktën tetë persona kanë humbur jetën në Japoni, pasi reshjet rekord të shiut goditën pjesën lindore të vendit, duke shkaktuar përmbytje, ndërprerje të energjisë elektrike dhe kaos në transport.

Autoritetet japoneze e përshkruan situatën si “të paprecedentë”. Në prefekturën Chiba, pranë Tokios, më shumë se 20 mijë familje mbetën pa energji elektrike, ndërsa mbi 100 mijë të tjera morën urdhër për t'u evakuuar për shkak të rrezikut nga përmbytjet dhe rrëshqitjet e dheut.

Guvernatori i Chibas, Toshihito Kumagai, tha se nuk kishte përjetuar kurrë një situatë të tillë gjatë karrierës së tij në menaxhimin e fatkeqësive.

Sipas Agjencisë Meteorologjike të Japonisë, në disa zona ranë mbi 100 milimetra shi në vetëm një orë, rreth tre herë më shumë se mesatarja e muajit gusht dhe niveli më i lartë i reshjeve i regjistruar ndonjëherë në vend.

Mes viktimave është një grua që humbi jetën brenda makinës së saj të përmbytur, ndërsa dy persona të tjerë u rrëzuan në rrugë dhe ndërruan jetë më pas.

Stuhia la të bllokuar mijëra pasagjerë në aeroportin Narita të Tokios gjatë natës, ndërsa disa linja hekurudhore dhe autostrada u mbyllën. Rreth 1.800 persona kaluan natën në godinën e qeverisë së prefekturës Chiba.

Reshjet e dendura vijnë pas një serie stuhish që goditën Japoninë, Filipinet dhe Kinën gjatë kësaj jave. Meteorologët paralajmërojnë se këtë vit pritet një sezon tajfunesh më aktiv se zakonisht.