Marashi kujton se më datën 21 korrik 2015, Kuvendi i Republikës së Shqipërisë miratoi ligjin e ri “Për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor në institucionet e arsimit të lartë në Republikën e Shqipërisë” dhe i drejtohet presidentit për përmbysjen definitive që sjell ky ligj në Qendrën ndëruniversitare të Studimeve Albanologjike (QSA), duke i kërkuar ndihmën dhe solidaritetin, sipas tij “për normalizimin e situatës”. Marashi në këtë peticion i shpjegon presidentit situatën që krijohet me aprovimin e ligjit të ri.
“Pasoja e parë e drejtpërdrejtë që solli ky ligj, madje përpara se të nisë të implementohet, është mohimi i statusit të QSA dhe nxjerrja e këtij institucioni jashtë kornizës ligjore. Qysh nga krijimi i tij dhe deri dje, ky institucion ishte pjesë e sistemit shqiptar të arsimit të lartë dhe shkencës dhe rregullohej me ligjin që u abrogua. Sot, ai nuk është më i tillë dhe as ligji i ri, ashtu si dhe asnjë akt ligjor a juridik, nuk e njeh më këtë institucion. Nesër, me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, ky institucion publik, i braktisur nga ministria e linjës, mbyll derën.
Për t’ia dorëzuar çelësat kujt?, pyet Marashi. Duke iu referuar këtij peticioni, lind pyetja se çfarë ka do të ndodh në të vërtetë me QSA-në dhe institutet e saj. I pyetur nga “Shqiptarja.com”, kryetari i Akademisë së Shkencave, Myzafer Korkuti, pohon se vendimi i shkrirjes së QSA-së do të jetë përfundimtar, dhe pas kësaj institutet e kësaj qendre do të vendosen nën drejtimin e Akademisë së Shkencave të Shqipërisë. “Ligji që u aprovua për arsimin e lartë ka përjashtuar nga varësia e tij institucionet e kërkimeve shkencore. Kështu që edhe pse pritet aprovimi, ligji është vendosur.
Pra ligji i ri e ka zgjidhur problemin”, tha dje Korkuti. Lidhur me peticionin që i është dërguar presidentit nga drejtori i QSA-së, Korkuti u shpreh se: “Institucionet e kërkimit shkencor do të vihen në Varësi të Akademisë së Shkencave. Kjo është çështja që e ka detyraur Ardian Marashin për t’i bërë këtë peticion presidentit”.
Ndarja e QSA, 7 vjet histori debatesh
Ndarja e QSA, që nga viti 2008 ka hapur shumë debate mes akademikëve. Një pjesë kanë qenë pro dhe një pjesë kundër kësaj ndarjeve. 7 vjet më parë kjo qendër doli më vete dhe përfshiu në rrezen e vet Institutin e Arkeologjisë dhe të Gjuhësisë. Një pjesë e instituteve shkencore u shkrinë plotësisht dhe iu atashuan universitetit. Sipas Korkutit Akademia e Shkencave mbeti vetëm me një funksion honorifik, por megjithatë me administratë të plotë, me kryetar, nënkryetar, sekretarë, etj.
Qendra e Studimeve Albanologjike, gjithashtu pati drejtorin e saj dhe institutet patën drejtuesit përkatës. Dy vjet më parë, vetë kryetari akademisë së shkencave Muzafer Korkuti, në një intervistë për “Shqiptarja.com” zbuloi projektin që do t’ia nisnin qeverisë së re për shkrirjen e QSA-së. “Institutet e shpërndara në skaje të ndryshme të Tiranës do të shkrihen dhe nuk do të ketë më dy apo tre kupola drejtuese, por kupola do të jetë një, ajo e Akademisë së Shkencave”, ka pohuar kryetari i ASHSH-së Korkuti.
Shkrirjen QSA, ai e ka lidhur me fillimin reformës në Akademinë e Shkencave që në vitet 2005-2006, ku pohon se: “Për fat të keq në ato vendime, nuk rezultoi asnjë veprim i duhur, ndodhi ajo që ndodhi dhe u shkri Akademia e Shkencave, edhe pse ishte një grup i gjerë akademikësh që bënë diskutime kundër shkrirjes”.
Ndërsa Marashi, edhe në intervistat e tij të mëparshme në “Shqiptarja.com” gjithmonë ka mbrojtur idenë e qëndrimit të instituteve shkencore të arkelogjisë, gjuhësisë dhe albanologjisë jashtë varësisë nga Akademia e Shkencave. Në peticionin që i ka dërguar dje presidentit Nishani, ai proteston duke thekuar se “Ky institucion ka nevojë për qëndrueshmëri, të përkthyer në siguri juridike e financiare. Ka po kaq nevojë edhe për autonomi të mirëfilltë, pa të cilën s’ka liri akademike, as kërkim shkencor të besueshëm.
Ky institucion kërkon sot t’i rikthehet statusi ligjor, pra tepër pak për aq shumë sa ai ofron”. Por sipas kryetarit të Akademisë së Shkencave, me shkrirjen që i bëhet QSA-së “dhe në pikëpamje ekonomike ka më shumë leverdi. Nuk ka nevojë për shumë kuadro”. Korkuti pohon se synimi kësaj reforme është që në akademi të vihet në themel të punës së instituteve cilësia shkencore. Ai pohon se “koha provoi se u gabua me ndarjen”.
Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 28 Korrik 2015
Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)