TIRANË - Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Haki Çako gjatë një takimi me Drejtorët e Drejtorive të ndryshme të Policisë si dhe shefa sektorësh, prezantoi të mërkurën zëvendësdrejtorin e ri të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit Rebani Jaupi. Deri një ditë më parë ai kryente funksionin e Drejtorit të hetimit të Krimit Ekonomik dhe Anti-korrupsionit. 

Jaupi u emërua në këtë detyrë me urdhër të Ministrit të Punëve të Brendshme Saimir Tahiri dhe po ashtu edhe iu dha edhe Grada Policore “Drejtues i Lartë”.
 
Jaupi, është zëvendësuar në detyrën e tij të mëparshme nga Lutfi Minxhozi, i cili deri më parë mbante detyrën e Shefit të Sektorit për Krimin Ekonomik e Financiar në Policinë e Shtetit.

haki cako jaupi

Ndërkaq pas emërimit të Jaupit, bazuar edhe në ligjin e Policisë së Shtetit, janë formalizuar edhe emërimet e pesë Drejtuesve të tjerë të Departamenteve të Policisë së Shtetit. 

Kështu Ardian Çipa është konfirmuar Drejtor i Përgjithshëm për Departamentin e Hetimit të Krimeve të Rënda dhe Krimit të Organizuar. 

Altin Qato po ashtu është konfirmuar Drejtor për Departamentin Rendit dhe Sigurisë Publike.
 
Genc Merepeza, po ashtu ka mbajtur funksionin e Drejtorit të Kufirit dhe Migracionit. 

Ylli Ymeri është emëruar disa muaj më parë në detyrën e Drejtorit të Shërbimeve Mbështetëse, ndërsa Bilbil Mema është rikonfirmuar si Drejtor i Përgjithshëm për Akademinë e Sigurisë.
 
Gjatë takimit Çako, iu kërkoi strukturave më shumë përkushtim në luftën ndaj krimit, veçanërisht atij të organizuar krimeve të rënda dhe terrorizmit.