Partizani më në fund ka dhënë ‘shenja jete’. Të kuqtë pas gati 2 muajsh dhe 6 humbjesh radhazi janë rikthyer të fitojnë në Superligë. Për javën e 10 të kampionatit Partizani mposhti 0-1 Teutën pretendente për titull, falë goli të realizuar jashtë zone nga kapiteni Atanaskovski. Edhe pse patën kohë të mos dilnin pa pikë, durrsakët në fund e mbyllën ndeshjen me 10 lojtarë për shkak të kartonit të kuq të Përgjonit. Megjithatë edhe pse mori 3 pikët Partizani vijon në vendin e fundit.

Më herët Vora barazoi në shtesë 2-2 kundër Dinamos, duke i hequr dy pikë kryeqytetasve të drejtuar nga Ilir Daja. Për Dinamon kjo ishte ndalesa e dytë radhazi, duke krijuar distancë me kreun, ndërsa për Vorën pika e fituar vlen në luftën për mbijetesë.

Tre duelet e tjera të javës së 10 të Superligës u luajtën të dielën me Tiranën që u mposht 1-2 me përmbysje nga Egnatia. Elbasani fitoi 2-1 kundër Laçit, ndërsa Skënderbeu dhe Vllaznia ndanë pikët me rezultatin 1-1.

Pas javës së 10 Egnatia shkëputet në krye të Superligës me 4 pikë më shumë se Teuta e vendit të dytë dhe 7 më shumë se Dinamo e vendit të tretë. I fundit vijon të jetë Partizani që tashmë është në kuotën e 7 pikëve, 2 më pak se Vllaznia e vendit të nëntë dhe 4 pikë më poshtë se Laçi i vendit të tetë.