Jemi 2.831.741 shqiptarë
INSTAT: Popullsia u zvogëlua

Jemi 2.831.741 shqiptarë<br />INSTAT: Popullsia u zvogëlua
TIRANE - Jemi 2 milion e 831 mijë e 741 shqiptarë. Popullsia rezidente është e përbërë nga 1 milionë 421 mijë e 810 meshkuj ose 50.2 % dhe 1 milionë e 409 mijë e 931 femra ose 49.8 %.

Instituti i Statistikave publikoi sot rezultatet paraprake të regjistrimit të popullsisë dhe banesave, proces i cili nisi më 1 tetor dhe u mbyll më 1 nëntor. 

"Në 10 vite popullsia në Shqipëri është zvogëluar 7.7 %. Në 2001 kemi qenë 3 milione 69 mijë 275 shqiptarë, ndërsa sot ne jemi 2 milionë 831 mijë  e 741 banorë. Rënia i dedikohet emigrimit në shkallë të gjerë dhe rënies së lindshmërisë” raportoi, para gazetarëve, drejtoresha e INSTAT, Ines Nurja. Të dhënat u Censusit u prezantuan sot paradite në hotel "Sheraton" në Tiranë. 

Lidhur me zvogëlimin e popullsisë me 7.7 % brenda 10 vitesh, një nga ekspertet e INSTAT nuk pranoi se mund të ketë lidhje me faktin se rezultatet e 2001 nuk mund të kenë qenë aq të sakta, dhe për rrjedhojë kanë ndikim dhe në rezultatet e tanishme.

“Nuk e pranoj që rezultatet e 2001 janë për t’u dëshiruar, por duhet një studim më i detajuar dhe duhet parë në kontestin e përgjithshëm. Ndoshta ndjesia jonë për një rritje natyrore nuk është e saktë. Të dhënat në botë tregojnë se prania e shqiptarëve është rritur, ka rënë numri i lindshmërisë, po kështu numri i meshkujve në lindje është më i lartë se i femrave”

Përsa i përket numrit të banesave INSTAT njofton se janë regjistruar 1 milionë e 75 mijë e 881 banesa në mbarë vendin, nga 785 mijë e 515 banesa  që ishte regjistruar në censusin e kaluar. Pra që nga viti 2001 e deri më sot kemi një rritje të numrit të banesave me 37 %.  Vihet re një numër më i madh banesash të reja dhe bosh në zonën rurale.  Gjithashtu, sipas Nurjes, në këtë Census janë numëruar 740256 njësi ekonomike familjare, me një rritje prej 2 % nga censusi e vitit 2001.Numri mesatar i pjesëtarëve të një Nj.E.F-je është 3.8 nga 4.2 që ishte në vitin 2001

ME SHUME SE GJYSMA E POPULLSISE BANON NE QYTET
Më të populluara janë zonat urbane se rurale. “53. 75% jetojnë në qytet, ndërsa rreth 46.3 % jetojnë në fshat". Në krahasim me 2001, më të populluara ishin zonat rurale.

MINORITETET? TE DHENAT VITIN TJETER
Regjistrimi u refuzua nga 1.4 % e popullsisë, ose 29 355 banorë. Këto janë rezultate paraprake, ndërkohë që për të dhënat përfundimtare do të duhet një skanim dhe analizë e detajuar dhe më e gjerë. 

Në bazë të këtij skanimi INSTAT do publikojë dhe të dhënat mbi minoritetin. Drejtoresha Nurja shpjegoi se "Të dhënat për minoritetin janë në pyetësorë. Ka filluar skanimi i pyetësorëve, por është voluminoz, prandaj rezultatet do të jepen vitin e ardhshëm."

BIANCHINI: CENSUSI I RENDESISHEM PER POLITIKBERESIT
Drejtuesi i Ekipit të Projektit të BE-së për Mbështetjen teknike për Censusin, Roberto Bianchini, duke vlerësuar ecurinë e censusit, tha se e gjithë Shqipëria u mbulua me harta dixhitale që lehtësuan punën e 15 mijë personave të angazhuar në këtë proces mjaft të rëndësishëm për politikbërësit.
"Procesi i censusit ende s'ka përfunduar, pasi përveç procesit të mbledhjes së të dhënave kalohet në fazën më të rëndësishme atë të përpunimit dhe analizës së tyre", tha Bianchini.

Censusi numëron njerëzit që jetojnë në Shqipëri, përfshirë rezidentët e huaj, të gjithë që kanë qëndruar minimumi 1 vit, ose me qëllim për të qëndruar të paktën një vit. Vetëm diplomatët nuk numërohen. Për këtë proces masiv në terren janë printuar 40 milion faqe materiale censusi dhe punuan 12 mijë anketues, 2 330 kontrollorë, 128 mbikqyrës 36 kordinatorë lokalë. Aktualisht në të gjithë Shqipërinë janë 374 zyra censusi dhe 11 në Tiranë. I gjithë procesi kushton 14 milione euro.

  • Sondazhi i ditës:

    Listat e deputetëve të hapura në 2/3 dhe jo plotësisht, jeni dakord?



×

Lajmi i fundit

Fredi Beleri kërkoi pezullim të dekretit të Begajt për zgjedhjet, çështja kalon në seancë gjyqësore më 30 korrik

Fredi Beleri kërkoi pezullim të dekretit të Begajt për zgjedhjet, çështja kalon në seancë gjyqësore më 30 korrik