Jemi 20 vjet më pas, por nuk do harrojmë!

Jemi 20 vjet më pas, por nuk do harrojmë!

Kryelartësia e tepruar, krenaria, janë shenja të shpirtit të vogël e bosh. Shihen rëndom sot te elita e fryrë politike serbe. Dhe nuk bëhet fjalë për një apo disa individë, por për një masë serbësh, mbi të cilët rëndon një peshë krimesh e njolla morali, që nuk do lahen e as do shlyhen dot lehtë. Shihni çfarë broçkulliti kryeministrja Bërnabiç para disa ditësh, në 20-vjetorin e intervenimit ushtarak të NATO-s, ku në një konferencë për mediat, u shpreh se “...Serbia nuk duhet të harrojë viktimat e sulmeve, fabrikat dhe urat e shkatërruara, por duhet të provojë të falë...”!? Zot, na ruaj! Edhe të harrosh këta s’të lënë. Madeleine Albright, ish-sekretaria amerikane e shtetit, ishte një nga krerët protagonistë në bisedimet e Rambujes e më pas, e njohu mirë urrejtjen psikopatike të serbve ndaj shqiptarëve, ndaj pa asnjë ngurrim, kur promovonte librin me kujtime mbi këtë proces, që pasoi me intervenimin e NATO-s, ju tha troç, “Ju, vrasës e kriminelë!”.

Të pa mbrojtur

Ishte Turqia që na shiti te sllavët. Vjedhja e tokave shqiptare nga sllavët në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të mori përmasa tronditëse për kombin. Otomanët, tashmë të rënë nga pesha luftarake e të venitur nga shkëlqimi, sa herë ndesheshin me perandorinë e re sllave, “Xhandarin e Europës”, pas humbjeve e bënë rregull t’i kompesonin ato me dhurata tokash shqiptare për sllavët, fqinjët tanë. Kongresi i Berlinit, me dhuratat sa majtas–djathtas të Tivarit, Ulqinit, Hotit, Grudës, Shpuzës, Podgoricës, Nishit, Leskovacit, Prokupljes, Kurshumlisë e Vranjës, tregoi se turqit përfundimisht i kishin lënë shqiptarët të shqyheshin nga këta fqinjë të egër e të pangopur.

 Krahina shqiptare e Kosovës, që nën Perandorinë Otomane përfshihej e organizuar si një nga katër vilajetet me popullsi dominuese etnike shqiptare, për shkaqe të pashmangshme ishte shndërruar në vatrën e lëvizjes kombëtare. Ishin kryengritësit e luftëtarët e saj, që nga Ferizaj i diktuan perandorisë vendosjen e një kushtetute të re, e cila u shpall në korrik të vitit 1908. Por 21 deputetët shqiptarë nuk do ishin dot në gjendje të ndikonin në reformimin e Turqisë në dobi të të drejtave që kërkonin. Për më tepër, edhe ato pak të drejta autonomie të cunguar që kishin fituar, xhonturqit jua hoqën, përfshi dhe ndalimin e shkollave shqipe.

 Mjeti i vetëm për fitimin e të drejtave mbeti lufta e armatosur, ku krahina e Kosovës, gjatë viteve 1911-1912 mbajti peshën kryesore, derdhi gjak trimash, fitoi beteja e superioritet të cilën krerët e kryengritjes nuk ditën e nuk deshën ta shfrytëzojnë. Një Turqi e dobët, nga ana tjetër, nxiste Rusinë, Serbinë e sllavët e tjerë. Kundër Turqisë filloi lufta, e quajtur Ballkanike, me qëllim coptimin e trojeve shqiptare, kohë kur serbët pushtuan dhe aneksuan territorin e Kosovës e Maqedonisë shqiptare. Njohja e pavarësisë së Shqipërisë nga fuqitë e mëdha, nuk i përfshiu territoret e pushtuara në kufijtë e shtetit të ri. Ja njohu ato si zotërime “fituesit”, Serbisë e Malit të Zi.

Fytyra e tiranisë të kolonizatorëve serbë

 Pushtimi i tokave u shoqërua me masakra e krime të përbindshme spastrimi të popullsisë shqiptare.

Kolonizimi i Kosovës filloi me grabitjen e tokave të shqiptarëve. Vjedhja shoqërohej me “dekrete”, që shënojnë në 24 shtator 1920 e 1 janar 1923. Ju grabitën rreth 300 mijë ha tokë arë, ku u vendosën 173 koloni me popullatë serbe. Shfarosja e popullsisë shqiptare u ngrit në nivel akademik, ku më famëkeqi ngelet ai i Cubrilloviqit. Për asgjësimin dhe dëbimin e elementit shqiptar nga trojet etnike të tyre u formësua një doktrinë raciste, nga më të ndyrat që haset e që barabitet me atë të nazizmit ndaj popullatës hebreje.

 Përzënia e shqiptarëve nga trojet e veta zë fill nga koha e infiltrimit të popullit sllav në këto anë. Spikat më parë periudha e Milosh Obrenoviqit, duke masakruar popullatën shqiptare dhe duke e detyruar atë forcërisht e përmes krimeve, që të largohet nga trojet e veta, për të mos u kthyer më kurrë atje. Kjo ide u institucionalizua në qarqet shovene serbe dhe u bë qëllimi i jetës së tyre.

 Shkolla shqipe nuk u lejuan, mësimi dhe shkrimi i saj ishte i ndaluar; shkombëtarizimi ishte kryefjala; dërgimi i popullatës drejt Turqisë dhe refugjatët e mjeruar ishin të pafund e në vazhdimësi të pandërprerë.

 Jugosllavia mbretërore dhe më pas Jugosllavia e Titos, i ndau shqiptarët e tokat e tyre mes republikave federative, i coptoi ashtu si deshi, në tre republika, duke u lënë pak mundësira të dalloheshin si faktor vendimmarrës. Vëndet shqiptare, si Ulqinin, Tivarin, Grudën, Hotin, Tuzin ja la Malit të Zi; Dibrën e madhe, Strugën, Kërçovën, Gostivarin, Tetovën e Derviçanin e Shkupit ja kaloi Maqedonisë; Krahina e Kosovës dhe Metohisë (siç ata e quanin) ja kaluan në vartësi Serbisë. Kjo ndarje politike, që interpretohej si administrative, synonte që krahinat shqiptare të ishin të plotësisht të ndara edhe mes tyre, me gjasa, me mundësi të pakta e të kufizuara për t’u organizuar në kërkimin e të drejtave njerëzore e kombëtare, pa përmëndur më tej prapambetjen e thellë ekonomike, pasojë e lënjes qëllimisht pa investime. Për shqiptarët s’kishte punë.

Të ndarë fizikisht dhe të bashkuar shpirtërisht

 “Shqipëria çoi ushtri me ndihmu Jugosllavinë për të luftu gjermanët e nuk ndihmoi Kosovën për t’u çliruar nga shtypja?”-ishte pyetja që bënin shqiptarët e Kosovës, që rrinin ende me shpresë nga shteti Amë. Tre vitet e “miqësisë” mes dy partive komuniste, Jugosllave e Shqiptare, mbeten vite të turpit tonë, sa të Enver Hoxhës aq dhe të Fadil Hoxhës. Ishte miqësi partish, e shtrirë në miqësi shtetesh, por që kurrë nuk u ngrit në nivelin miqësi popujsh. Ndonëse nën dhunën e parreshtur të shtypjes, asnjëherë atje, në Kosovë, nuk rreshtën kërkesat për të drejta. Do vinin protestat gjithëpërfshirëse të vitit 1968, kohë kur regjimi titist u shtrëngua t’u njoh shqiptarëve disa të drejta, përfshi dhe universitetin e Prishtinës, vëndi ku do përgatitej një elitë intelektuale, e aftë të rizgjonte popullin shqiptar në lëvizjen kombëtare të viteve ’80. Ishin betejat për “Kosova republikë”, që filluan t’i hapin varrin Jugosllavisë. Millosheviçi ja hoqi Kosovës edhe autonominë krahinore. Pas kësaj, egërsia serbe mbi popullin shqiptar nuk do njihte kufij, deri kur NATO u desh të ndërhynte, për të mos lejuar përhapjen më tej të krimeve që shoqëruan ndarjen e Jugosllavisë përmes luftrash.

 Në javën e fundit të marsit 1999, në mesin e qytetarëve që nxitonin drejt pallatit të sportit në Tiranë isha dhe unë. Shkonim t’u vinim në ndihmë mijëra  e mijra grave, fëmijëve e pleqve të torturaua, të raskapitur nga tmmerri që kishin parë e nga rruga e mundueshme. Shumë i kishin vrarë, të tjerë i kishin përzënë. Sekush sipas mundësive, nga Kukësi në Sarandë, mori e strehoi në banesë familjet e shqiptarëve të Kosovës. Është momenti kur u ngjiz për të mos u shkëputur kurrë më bashkimi shpirtëror kombëtar.

 Ra ky mort e u pamë-shkroi Kadare, e më qartë se kaq asnjë penë nuk mund ta përshkruante momentin. Ajo Shqipëri e varfër e asaj kohe, e drobitur, me kockat të dala jashtë e fytyrë të vrerësuar nga ngjarjet e viteve 1997 e 1998, gjendja ku e kish çuar qeverisja e keqe dhe administrimi i mbrapsht i shtetit, ja doli falë atdhedashurisë të përballonte situatën. Askush nga të ardhurit, me të cilët deri në atë moment na bashkonte përpos se gjuha shqipe, nuk ngeli pa kujdesje gjatë tre muajve që zgjati rezistenca psikopatike e Millosheviçit. Ndamë së bashku gjithçka patëm. Të ndarë në mënyrën e jetesës e në shtete të ndryshme, për pothuaj 90 vjet rrjesht, kombi mbeti një e i pandarë në gjak e vllazëri, në formim psiqik, tradita e kulturë. Më bën krenar sjellja jonë atë botë! 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni funksionimin e Gjykatave dhe Prokurorive në qarqe?



×

Lajmi i fundit

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm

Hetimet e SPAK mbi Kadastrën, arrestohen dy persona për ushtrim të ndikimit të paligjshëm