Jemi keq!

Jemi keq!

Ilir Beqaj

Jemi keq. Po, po, jemi keq. Të paktën familja ime, të afërmit e miqtë e mi, janë keq. Edhe nëse kur na pyesin këto ditë e themi se jemi mirë, e themi nga subkoshienca. Nuk mund të jemi mirë. Nuk ka se si. Derisa pjesa thelbësore e jetës sonë të përditshme materiale dhe shpirtërore zhvillohet jashtë vullnetit tone, nuk ka si të jemi mirë. Madje kur themi se jemi mirë, druhem se duhet të jemi jomirë nga mend e kresë.

Unë kam frikë. Por sot të kesh frikë nuk është pazotësi. Pazotësi është të të nënshtrojë frika. Ndërsa zotësi është të përballesh me frikën. Ta dominosh . Mesa duket, deri më tani vlerësimi për të mirën apo të keqen paska qënë i udhëhequr nga zilia dhe egoizimi njerëzor. Tani që ndjehemi të gjithë të barabartë para të papriturave dhe të panjohurave, qenkemi të gjithë mirë. A thua se mirësia u varka nga barazia.

Por çfarë është të vlerësosh? Është të masësh vlerën e diçkaje. Dhe deri tani jemi përpjekur më së shumti të vlerësojmë tri gjëra: shëndetin, pasurinë dhe lirinë. Tani po ndjejmë se zgjidhja e kësaj trileme ekzistenciale do të jetë shpëtimi ynë. Prandaj hallkatemi mendërisht se cila nga të trija është më e rëndësishme.

Po pse vallë kështu? Një njeri është i mirë vetëm nëse i shëndetëshëm, apo është i pasur, apo shprehet lirshëm? Pse vallë, një njeri me diabet apo tension të lartë të gjakut qenka njeri i keq?

Ne jemi njerëz jo sepse jemi të sëmurë apo të shëndetshëm, të varfër apo të pasur, të lirë apo të kufizuar, por jemi njerëz sepse dashurojmë, sepse urrejmë, sepse ngazëllehemi, sepse pikëllohemi, sepse qeshim, sepse përlotemi, sepse përqafohemi, sepse puthemi, sepse godasim me grusht, sepse brohorasim, sepse ulurasim, sepse psherëtijmë, sepse lindim, sepse martohemi, spse trashëgohemi, sepse ndahemi, spese vdesim. Këta jemi ne.

Kështu kemi qënë edhe para murtajës së zesë në shekullin e 15-të, edhe pas saj. Kështu kemi qënë edhe para gripit spanjoll të 1918, edhe pas tij. Kështu kanë qënë ukrainasit para Çernobilit dhe pas tij. Kështu kanë qënë njujorkezët edhe para 11 shtatorit, edhe pas tij. Kështu do të jetë edhe kësaj here. Por jo sepse kështu e ka shkruar zoti. Por sepse njerëzimi e merr vetë në dorë fatin e tij. Nuk mund ta bëjmë duke thënë se jemi mirë. Sepse po të jetë kështu jemi dorëzuar para fatit dhe po pranojmë që kjo që po kalojmë këto ditë, qenka e mira jonë.

Jemi keq. Unë për vetë jam keq. Sepse vajza ime 26 vjeçare ka ende vendime të rëndësishme për të marrë për jetën e saj personale, ndërsa unë ndjhem i pazoti t’i jam ndonjë këshillë nëse ma kërkon, sepse nuk di çfarë ti them. Unë i kam marrë vendimet më të rëndësishme të jetës sime. Paparishikueshmëria dhe panjohuria për të ardhmen nuk do të më bëjë ndonjë gjë të madhe në pjesën e mbetur të jetës sime.

Ndërsa vajzës sime po. Dhe ashtu si asaj edhe të gjithë të rinjve shqiptarë. Sot jam në politikë dhe të gjithë ne, politikanët, jemi thirrur të marrim vendime që do të ndikojnë në brezat e ardhshëm. Por, ne jemi dhe kafshë politike. Nuk lëmë dot pa menduar edhe zgjedhjet e qershor 2021. Jemi bërë aq të rrezikshëm sa e detyruam edhe Papa Françeskun të lutet për ne e të na kërkojë të mendojmë për vendin më shumë se për partitë ku militojmë.

Një lutje për kolegët opozitarë. Në këto kohë mesazhet tona duhet të jenë sa më unifikuara. Sepse kjo është luftë që fitohet apo humbet edhe psikologjikisht. Njerëzit mund të shpërqëndrohen nëse ne vijojmë të kacafytemi. Përtej interestit të sotëm i bëjmë dëm edhe kujtdo që nesër do të dojë të merret me politikë, sepse po e bëjmë të pabesueshme në shoqëri figurën e politikanit. Po flitet me një gjuhë edhe në xhami, edhe në kishë, edhe në sinagogë, edhe në tempull. Po pse, dreqi e mori, të mos arrijmë të flasim dhe ne, politikanët shqiptarë, me një gjuhë sa më të përafërt.

Të mos kërkojmë që gjithçka ta zgjidhë qeveria. Sepse kështu legjitimohet që shteti të hyjë në çdo qelizë të jetës sonë dhe kështu është i përligjur çdo vendim që merr ai që është sot në detyrën për të marrë vendime këto kohë. Të mos e ushqejmë ne vetë autoritarizimin. E gjithë çfarë po kalojmë deri tani rezultoi e papritur për të gjithë ne.

Por midis shumë të papriturave që po ndodhin, më ka rënë në sy edhe diçka. Vendet e G7 rezultojnë të jenë sot në garë se kush ta pësojë më keq nga COVID 19. Edhe Rusia e Kina me mynyrën e çuditshme se si raportojnë të dhënat na tregojnë sesa të rrejshëm janë dhe se gjithçka deri tani e kanë bazuar te kopjimi. Kësaj here eksperiencat pozitive kanë patur gjeografi të larmishme. Korea e Jugut, Islanda, Brazili.

Kësaj here që të gjithë ishim njësoj para të panjohurave as FMN, as Banka Botërore, as OECD, as Banka Europiane, as OBT, as Forumi i Davosit, as thoni kë të doni nuk ka dha ndonjë këshillë të vlefshme. Mesa duket deri më tani këto krijesa tonat, kanë marrë sistematikisht më të mirën e të gjithë botës dhe na kanë dhënë me pikatore atë çfarë u ka volitur në një moment të caktuar.

Në të ardhem e afërt do të jemi më të vetmuar. Kemi thënë e stërthënë se vendi ynë nuk bëhet. Mund të jemi para momentit që e gjithë bota do të ribëhet. Nuk do të kemi nga kush të mësojmë, por edhe nuk mund të presim e vështrojmë çdo bëjnë të tjerët. Ta fillojmë nga e para njësoj si gjithë të tjerët. Një mundësi e artë, por edhe sfidë sepse nuk mund të ankohemi mw se jemi peng i të kaluarës sonë.

Prej vitesh ka patur realizime fiction për pandemitë dhe pasojat e tyre. Por deri më sot, asnjë trill artistik nuk kish arritur të na tregonte se çmimi i naftës mund të qenka edhe negativ. Prandaj të mos i vëmë fre asnjë ëndrre. Le t’i vëmë çdo ëndrre një afat, t’i bashkangjisim një buxhet dhe le t’i kthejmë në projekte.  Besomëni! Këto nuk janë WISH. Kjo është MUST!

 

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Altini: 24/04/2020 11:09

    Do tju kaloj frika e do dilnit nga bunkerat e Surrelit. E atehere do tju rikthehet prape uria per te vjedhur me thashe si te pangopur qe jeni. Suksese ne jete!!!

    Përgjigju
  • alo alo: 24/04/2020 08:47

    Ke të drejtë z.Beqaj. T'ja fillojmë nga zero. Por le ta fillojmë nga ju kafshët politike. Të gjithë milionat euro që keni vjedhur, të gjitha taksat që nuk keni paguar ju apo ata të cilët ju i keni dhënë konçensione të rikthehen në buxhetin e shtetit. Të gjitha vilat e dyta e të treta që keni në pronësinë tuaj e të familjarëve tuaj si edhe të gjitha bizneset, t'ju merren e eurot që do përfitohen nga shitja e tyre të shkojnë në buxhetin e shtetit. Të ndryshohet Kushtetuta në një sistem zgjedhor ku primar të jetë deputeti e jo kryetari i partisë. Të bëhet ligji që detyron çdo ministri të bëjë publike çdo marrëveshje me privatin dhe të sqarohen kushtet e konçensionit-fitimet e shtetit-fitimet e privatit-pse duhet konçensioni-pamundësinë e shtetit për të kryer punën e konçensionit. Të bëhet ligji që asnjë njeri të mos ketë të drejtën e ushtrimit të posteve publike nëse nuk ka të justifikuar pasurinë në këto 30 vitet e "demokracisë". Të rishikohen të gjitha privatizimet, zaptimet dhe legalizimet e pronave publike dhe fajtorët të mbajnë përgjegjësi. Këto janë vetëm fillimi z.Beqaj, apo nuk është ky fillimi nga zero që kërkoni?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!

Takimi me gratë e PD, Vokshi bëhet ‘lëmsh’ me datat: ‘Rama i urren gratë!’ Mbështetësja: Berisha është Zoti i Tokës, e marr unë plumbin e parë!