Kolegë gazetarë, aktivistë të shoqërisë civile por edhe qytetarë kanë marshuar sot në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, për të mbështetur gazetaren Klodiana Lala, pas sulmit me armë në banesën e prindërve të saj.

Në këtë protestë simbolike në mbështetje të gazetares, protestuesit kanë mbajtur pankarta në duar ku shkruhet “Jemi me ty, Klodiana”.

Protesta vjen pak orë pas sulmit në banesë, dhe pjesëmarrësit kanë shprehur solidaritetin me gazetaren. Protesta u organizua nëpërmjet rrjeteve sociale. Aktivisti dhe gazetari Aulon Kalaja, në një prononcim për Report Tv dhe gazetaren Esiona Konomi ka thënë:

E kam përcjellë shumë keq. Pankartën e shkrova me penel. Lajmi i trishtë, por fatmirësisht pa dëme. Ajo është gazetare që s’ka bërë kompromise. S’është rasti i vetëm. Është rasti i gazetarit Telnis Skuqi, gazetares Alida Tota, stafit të emisionit Publicus.

Aulon Kalaja, gazetar dhe aktivist i shoqërisë civile

Është një ngjarje mjaft e rëndë e cila na ka tronditur jo pak. Mendoj se sidomos për gazetarët e rinj është një ngjarje mjaft dekuarajuese. Sidomos kur ende nuk kemi asnjë person të shoqëruar dhe policia nuk ka një pistë konkrete për personat që mund të kenë qëlluar në drejtim të shtëpisë së Klodiana Lalës.

Driçim Caka, gazetar

Ngjarjen e përjetova si për vete. Është sulm ndaj të gjithë gazetarëve. Ka pasur dhunime, kërcënime por jo deri në sulm ndaj familjes. Klodi se tha të vërtetën u sulmua jo sepse mashtroi.

Etleva Delia, gazetare

Aty ku kërcënohet liria e shtpit, fillon dhe mbaron shtypja e lirisë. Ky është një atentat kundër lirisë. Ka një ecuri që nga historia e kazanit, largimi i disa figurave nga televizione të caktuara deri tek breshëria me kallashnikov.

Edmond Tupja, përkthyes