Ishte 12 gusht 2025 në mëngjes, ora 10:30, kur Gerond Meçe, del nga shtëpia pasi më herët kishte kryer një telefonatë pune. Makinën Hunday, e kishte të parkuar në anë të pallatit dhe teksa afrohej, një makinë fuoristradë e tipit ‘Defender’, ngjyrë e zezë, me fenelina policie, afrohet drejt tij.

“Gerond Meçe’ i thërret një person, i gjatë, pa mjekër, i veshur me uniformë ngjyrë blu si dhe një jelek ngjyrë të verdhë me mbishkrimin BKH, Byroja Kombëtare e Hetimit.

Me këto detaje, e nis rrëfimin e rrëmbimit të tij, në një dëshmi të 22 shtatorit 2025 në Prokurorinë e Posaçme, Gerond Meçe, pronari i kompanisë “Advanced Businnes Solution ABS”, si një nga personazhet kyçe të dosjes së SPAK për grupin e Ergys Agasit, të cilin e ka shpallur në kërkim për dyshimet mbi tenderat e AKSHI-t.

Bashkë me rrëfimin e tij Meçe i ka vënë në dispozicion SPAK-ut pamjet filmike nga momenti kur e kanë marrë poshtë pallatit ku banonte, të cilat kanë fiksuar çdo moment të ngjarjes, nga kënde të ndryshme.

Momenti kur Gerond Meçe del nga pallati

Hunday i Geron Meçes dhe 'Defender' e pengmarrësve (12 gusht 2025)

Meçe, kompania e të cilit që prej vitit 2016 ka aplikuar thuajse në çdo tender të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit, i ka rrëfyer hetuesve të Prokurorisë së Posaçme se personi i veshur si agjent i BKH-së i kishte thënë vetëm kaq: “Jemi SPAK-u, duhet të vish me ne, hyr në makinë”.

Momenti kur rrëmbejnë Geron Meçes

Në atë moment ai thotë se e ka besuar se është SP AK dhe është bindur, pa krijuar pakënaqësi apo rezistencë. Nga mbrapa makinës fuoristradë del një person i dytë dhe i hap vendin për t'u ulur brenda. Edhe ky, i pa maskuar.

Fillimisht Meçes i është dukur si një tjetër polic, ndërsa me pas ka parë brenda në makinë që ky person ka pasur të veshur xhinse te zeza. Ai është ulur te sedilja mbrapa, në vendin e mesit,  kur një person i tretë futet nga krahu i majtë. Edhe ky i fundit, me xhinse te zeza dhe me bluzë si ato të policisë.  

“Dy personat që kanë qenë mbrapa me Gerondin (personi dy dhe personi tre) kanë qenë me tatuazhe, personi dy ka pasur tatuazh në pjesën e jashtme të dorës së djathte, midis gishtit të madh dhe gishtit tregues. Personi i tre, në parakrahun e dorës së majtë, komplet parakrahun tatuazh bardh e zi”, thuhet në dosjen e SPAK, një pjesë të së cilës Report Tv e disponon.

Në makinë ndërkohë ishte dhe një person i katërt, shoferi i automjet “Range Defender”. Ndryshe nga tre të parët, ky ishte i maskuar. Ai urdhëron një prej pengmarrësve që të merrte dy çantat, të cilat Gerond Meçe sapo i kishte futur në bagazhin e makinës së tij.

Në momentin që merren çanta, Meçe pyet: Keni ndonjë letër, ju lutem ma jepni? Personi i parë, që ishte në vendin e pasagjerit para, i thotë që është i arrestuar dhe urdhëron personin mbrapa në të djathtë të Gerondit t'i vinte prangat.

Edhe kërkesën e dytë të Gerond Meçes që të mund të komunikonte me familjen, ata e refuzojnë, duke i thënë se letrat do t’ia jepnin në komisariat.

Dy personat në krah të tij nuk po dinin t’i vinin prangat dhe kjo bëri që Meçe të dyshonte se nuk kishte të bënte me policë apo agjentë të BKH-së, teksa i thotë “O çuna po unë nuk jam kriminel”. Në këtë moment i vënë një kapuç të zi në kokë, dhe personi i fundit që arriti të shihte ishte babai i tij, në oborrin e pallatit që makina la pas. 

Edhe pse personat që kishte para komunikonin me zë të ulët, Gerond Meçe e kupton që në fakt atë po e nxirrnin jashtë Tiranë dhe jo në komisariat. 

“Çuna e mora vesh se çfarë jeni...unë jam në moshë dhe kam probleme me zemrën, kapuçi që kam në kokë më pengon frymëmarrjen”, u thotë ai.

Ata i heqin kapuçin, dikush mundohej t’ia mbate kokën ulur poshtë, por ai kishte arritur ta shikonte itinerarin e rrugës. Destinacioni ishte Elbasani, jo nga autostrada por nga rruga e Kërrabës.

Fillimisht ia kërkojnë qetësisht pasëordin e telefonit, por pasi refuzon i shtrëngojnë prangat. Ishte ora 11:20 kur janë gjendur në një shesh të madh, afër fshatit Gracen, pa zbritur në qytetin e Elbasanit.

I thonë të dalë jashtë nga makina dhe me insistim i kërkojnë kodin e telefonit, ai refuzon dhe në këtë moment vjen shoferi, (i vemi i maskuar) dhe e godet me shpulle. Marrin celularin, ia vendosin te gishti dhe arrijnë ta zhbllokojnë. 

Menjëherë e kalojnë telefonin në “airplane mode”. Kjo mbase pasi gjatë rrugës celulari i biznesmenit kishte rënë pa pushim.

“Ne po të kërkojmë të bashkëpunosh, jo si me passëord-in, se në të kundërt ke plumbin në kokë”, i thotë njeri prej të pengmarrësve që në makinë kishte ndenjur në vendin e pasagjerit, teksa i tregonte armën që kishte në brez.

Tjetri nxjerr pistoletën nga brezi, fuste dhe nxirrte karikatorin, duke i thënë “do bashkëpunosh apo si e ke”.

"Ore për çfarë të bashkëpunoj?!”, pyet Gerond Meçe.

Personi i parë, i veshur me jelek me mbishkrimin BKH (të cilin tashmë e kishte hequr) shkon te makina dhe merr një zarf të bardhë, e hap dhe i tregon një tabelë exel, që tregonte tenderat, që biznemeni kishte ankimuar në Komisionin e Prokurimit Publik (KPP).

Ata e pyesin “E njeh këtë letër"? Fillimisht i thotë jo por e kupton se për çfarë bëhet fjalë.

“Janë tendera që ti ke ankimuar dhe duhet të tërhiqesh, nuk kemi punë me lekët e tua, i gëzofsh ato”, i thonë pengmarrësit

“Nuk behet kështu kjo punë, sepse edhe po u be, u prish pune me shume juve sesa mua ", i përgjigjet ai.

Ndërkohë Gerond Meçe mundohet t 'u mbushë mendjen që nuk bëhet në këtë moment tërheqja, duke u thënë se nuk është ai administratori. Biznesmeni u ka treguar agjentëve të BKH-së në SPAK, se përmes telefonit të tij ata kanë marrë administratorin kompanisë “ABS”, Shkëlqim Kërluku, ndërsa dyshon se një person i pestë ishte afruar me një makinë Volvo në vendin e ngjarjes.

Ata e kanë futur në makinë, i kanë kthyer telefonin, dhe e kanë lejuar të flasë me gruan dhe të tjerët që e merrnin.

Ora kishte shkuar 15:10 dhe në këtë moment pengmarrësit e konfirmojnë që në asnjë komisarit nuk kishte denoncim nga familjarët e Meçes. Presin edhe 1 orë e 20 minuta, futen në makinë në pozicionet siç ishin në fillim.

Pas 6 orësh pengmarrje, e zbresin të rrethrrotullimi që të çon direkt për në autostradën Tiranë-Elbasan, në afërsi të Bradasheshit, dhe i thonë “Nuk dua probleme nga ty, nuk dua denoncime nga ty, në të kundër do të vrasim ty, grua, motër, nënë. Se baba ti nuk ke”.

Ky ishte kontakti i fundit që Gerond Meçe thotë se pati me pengmarrësit e tij, ndërsa denoncim thotë se nuk bëri sepse nëndrejtori i policisë së Tiranës Erion Ismaili, kohë më parë, nëpërmjet një personi që thotë se nuk i kujtohet, i kishte kërkuar të qëndronte sa më larg nga AKSHI-i.

Këtë rrëfim si nëpër filma, biznesmeni Gerond Meçe, e mbështet duke i vënë në dispozicion Prokurorisë së Posaçme edhe disa video, marrë nga kamerat e pallatit ku ai banon, që tregojnë momentin kur katër persona e marrin 12 gushtin e kaluar.

Pamjet, të marra nga disa vendndodhje, sipas SPAK tregojnë se në orën 8:49 parkohet mjeti “Defender”, ngjyrë e zezë me targa “AC121JJ” si dhe momentin kur Meçe del nga shtëpia, kur 4 persona i afrohen, dhe në orën 10:42 mjeti largohet.

Për ta vërtetuar edhe më tej rrëfimin, SPAK ka kontrolluar edhe telefonin e Shkëlqim Kërlukut, administratorit të kompanisë së Meçes, dhe aty kanë gjetur komunikime dhe foto të ardhur në Ëatsapp nga telefoni i Gerond Meçës, ku renditen 7 tendera, dhe mesazhi “duhet me u tërhek nga AKSHI”.

Pjesë nga dosja (Mesazhi i mbërritur në telefonin e administratorit të Gerond Meçes)

Tërheqje që SPAK thotë se e ka vërtetuar edhe në KPP, jo vetëm nga ankimet por edhe në disa tendera që ishin në proces dhe Gerond Meçe ishte një prej garuesve.