Jennifer Lopez duket se ka hequr dorë nga një prej betejave të fundit me ish-bashkëshortin Ben Affleck. Pas muajsh mosmarrëveshjesh për shitjen e vilës së tyre luksoze në Bel Air, këngëtarja ka pranuar uljen me 8 milionë dollarë të çmimit të pronës, një lëvizje që, sipas TMZ, ishte kërkuar prej kohësh nga Affleck.

Sipas TMZ, Ben ishte i vendosur ta shiste sa më shpejt vilën, pasi dëshiron të mbyllë përfundimisht çdo lidhje me martesën e tyre. Jennifer, në të kundërt, besonte se prona mund të shitej për më shumë dhe për këtë arsye nuk pranonte të ulte çmimin. Në fund, ajo u bind dhe çmimi zbriti nga 68 milionë në 60 milionë dollarë.

Ish-çifti e bleu rezidencën gjigante në maj të vitit 2023 për 60.85 milionë dollarë. Vetëm pak më shumë se një vit më vonë, në korrik 2024, ajo doli në shitje, por deri më sot nuk ka gjetur blerës.

Burime të cituara nga Daily Mail thonë se çmimi fillestar ishte shumë i lartë për tregun. Madje, disa agjentë të pasurive të paluajtshme kanë vlerësuar se vila duhej të kishte një ulje prej të paktën 15% për të tërhequr blerës seriozë. Sipas tyre, Jennifer Lopez dhe Ben Affleck paguan më shumë sesa vlente realisht prona.

Një tjetër pengesë janë edhe kostot e larta të mirëmbajtjes. Sipas raportimit, sigurimi i vilës arrin rreth 500 mijë dollarë në vit, për shkak të rrezikut të zjarreve në zonën kodrinore ku ndodhet rezidenca. Pas zjarreve shkatërruese që goditën Kaliforninë Jugore, kostot e sigurimit për prona të tilla janë rritur ndjeshëm.

Megjithatë, kjo nuk është hera e parë që shitja e vilës dështon. Sipas TMZ, ish-çifti kishte pranuar më herët një ofertë prej 64 milionë dollarësh nga një çift nga New Jersey, por marrëveshja u anulua pasi blerësit u tërhoqën për shkak të një vdekjeje në familje.

Rezidenca ka 12 dhoma gjumi dhe 24 banjo, ndërsa Jennifer Lopez e ka përdorur shpesh si sfond për postimet e saj në rrjetet sociale. Ajo ka promovuar aty albumin "This Is Me... Now", markën e koktejeve Delola dhe ka publikuar disa video nga ambientet luksoze të shtëpisë, përfshirë oborrin, pishinën, kuzhinën dhe sallonet. Daily Mail shkruan se dekorimi i vilës ishte mbikëqyrur kryesisht nga vetë këngëtarja.